Dështimi i Ramës, Greqia merr projektet e Shqipërisë

Janë 40 projekte që janë shpallur fituese në thirrjen e dytë të Programit Interreg IPA II Greqi-Shqipëri 2014-2020 dhe lista e publikuar shënon dështimin e dytë të Shqipërisë në pak ditë pas Samitit të Triestes. Referuar kësaj liste janë vetëm 3 nga 40 projektet që janë fituar nga organizata apo institucione shqiptare dhe që gjatë zbatimit do të japin impakt në vendin tonë. Greqia nga ana tjetër ka arritur të marrë 37 projekte që në vlerë kalojnë dukshëm pjesën që përfiton Shqipëria.

Fituesit

Por kush janë fituesit shqiptarë. E para është Agjencia Kombëtare e Burimeve të Natyrës me një vlerë projekti prej 596 mijë eurosh. I dyti renditet Agjencia për Zhvillim Ekonomik dhe Lokal AULEDA me një vlerë projekti prej 678 mijë eurosh dhe së treti Instituti për Kërkime Urbane me një vlerë rreth 700 mijë euro. Pra, Shqipëria ka përfituar më pak se 2 milionë euro. Greqia ka përfituar një listë të gjatë projektesh me organizata dhe institucione si: Agjencia e Baseneve të Ujit në Janinë, Agjencia e Menaxhimit të Parkut në Zakinthos, Bashkia e Prespës, Bashkia e Ziros, Qendra Kërkimore e Universitetit të Janinës, Dhoma e Zhvillimit Tregtar në Artë. Lista është e gjatë dhe projektet kanë një shtrirje të jashtëzakonshme që nis nga uji deri tek polifonia. Më shumë sesa numri i projekteve për t’u pasur zili është vlera që do t’i shkojë komuniteteve përmes tyre. Në total vlera është rreth 25 milionë euro, duke lënë shumë pas pjesën që ka përfituar Shqipëria nga e njëjta garë.

Projekti

Interreg Greqi-Shqipëri këtë herë të paktën për pjesën e Shqipërisë ishte i fokusuar në Qarkun e Gjirokastrës, Beratit, Vlorës dhe Korçës. Objektivi i projektit është gjetja e ekuilibrit midis zhvillimit të qëndrueshëm rajonal dhe zgjerimi i bashkëpunimit ndërkufitar midis popullsisë rajonale dhe institucioneve vendore, e gjitha kjo në përputhje me politikat kombëtare dhe ato të Bashkimit Evropian, në mënyrë që sfidat e përbashkëta të adresohen ashtu siç duhen. Prioritete të programit cilësohen promovimi i turizmit, transportit dhe infrastrukturës, si dhe nxitja e ekonomisë lokale.

Samiti i Triestes dhe braktisja e Shqipërisë

Më 12 korrik u zhvillua në Trieste të Italisë Samiti i radhës për Ballkanin Perëndimor, por të gjitha faktet thonë se Shqipëria nuk ka mundur të marrë këtë vit asnjë projekt në infrastrukturë. Pavarësisht kësaj kryeministri gjatë një konference për shtyp duke pasur në krah edhe drejtoreshën e tij për investimet e huaja (ish-shefe e financave, në kohën që ka drejtuar Bashkinë e Tiranës), mori guximin dhe duke iu hakërruar gazetarëve deklaroi, se Shqipëria u rendit e dyta për nga projektet që ka përfituar gjatë këtij samiti!
Për herë të parë fatin e Shqipërisë në këtë samit, si dhe dështimin e Shqipërisë për të çuar projekte e ka dekonspiruar ambasadori italian në Shqipëri, z. Alberto Cutillo, më 30 qershor gjatë në një takimi me bizneset e vendit tonë në rezidencën e ambasadës, ku u prezantua informacioni i detajuar lidhur me axhendën e këtij samiti.
“Nuk ka projekte konkrete për Shqipërinë në infrastrukturë, ndryshe nga ai i mëparshmi ku ishte projekti i hekurudhës Tiranë-Durrës. Shpresojmë që në edicionin e ardhshëm të ketë projekte. Gjithsesi, samiti është i rëndësishëm pasi mund të identifikohen projekte për të cilat mund të hidhen hapa për zhvillimin e mëtejshëm”, deklaroi atëherë ambasadori Cutillo.
Dhe në fakt tani që ky samit është mbyllur dhe kanë dalë të gjitha të dhënat zyrtare për projektet që u vendosën aty rezulton, se e vërteta është pikërisht ajo që kishte deklaruar që më 30 qershor ambasadori Cutillo.
Ja cila është e vërteta e plotë e këtij samiti, që nxjerr zbuluar mashtrimin e Kryeministrit Rama:
Në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Trieste, BE miratoi 194,1 milionë euro grante për sektorin e transportit rrugor dhe sektorin e energjisë. Ky financim ishte pjesë e axhendës së bashkëpunimit për periudhën 2015-2020, me vlerë totale 1 miliard euro. Deri më tani, rreth 501,3 milionë euro janë përdorur për mbështetjen e 20 projekteve të ndryshme në rajon. Nëse shikojmë shpërndarjen e granteve të reja që u dhanë në Itali, rezulton se Kryeministri Edi Rama dhe ekipi i tij kanë dështuar krejtësisht, në sigurimin e çdo investimi të ri.

Artikulli paraprakTurqia zgjat gjendjen e jashtëzakonshme
Artikulli tjetërRusia kërkon komplekset diplomatike në SHBA