Dështimi i reformës territoriale

Kur qeveria jetëzoi reformën e re territoriale, pati si qëllim kryesor rritjen e miradministrimit në shpenzimet e pushtetit lokal. Përqendrimi në 62 njësi i më shumë se 370 njësive që ishin deri para zgjedhjeve lokale të 2015 sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave do të shkurtonte shpenzimet për pushtetin vendor me të paktën 30 për qind. Ky kursim që do të vinte nga shkurtimi i kostove të personelit, të cilat do të rialokoheshin për shpenzimet kapitale po në njësitë vendore.
Por ajo që ka ndodhur me financat e pushtetit vendor tre muajt e parë të vitit është krejt e kundërta. Shpenzimet e pushtetit vendor janë rritur me 1.1 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke arritur në 5,7 miliardë lekë .
Nga ana tjetër, brenda totalit të shpenzimeve në rritje, fondi i pagave ka pësuar fryrje të ndjeshme. Përgjatë tremujorit të parë shpenzimet për paga dhe sigurime shoqërore të pushtetit vendor arritën sa 62 për qind e krejt totalit të shpenzimeve. Në vitin 2013, pagat për administratën e pushtetit lokal zunë vetëm 40 për qind e totalit të shpenzimeve.
Shpenzimet kapitale kanë ardhur në ulje gjithashtu. Për tremujorin e parë ato ishin e mbeten 730 milionë lekë ose 12 për qind totalit të shpenzimeve, teksa ky raport ka qenë më shumë se 20 për qind në tre vitet e kaluara.
Gjendja financiare e qeverive lokale në Shqipëri në fakt është përkeqësuar gjatë dekadës së fundit. Pas një përmirësimi ndërmjet viteve 2002 dhe 2009, financat e pushtetit vendor janë përkeqësuar gjatë pesë viteve të fundit dhe tani janë në nivele të barabarta me ato në fillim të procesit të decentralizimit. Kështu konsolidimi në pak njësi mund të përmirësojë efikasitetin dhe efektivitetin e shpenzimeve të pushtetit lokal, kjo nuk do të zgjidhë problemin e mungesës së fondeve.
Situata është rënduar edhe më tej, pasi një procesi auditimi në bashkitë e reja ka zbuluar një borxh mbi 65 milionë euro, i cili  është konsideruar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar si një rrezik i ri fiskal për financat publike.

Artikulli paraprakGreqia shtrenjton paketat turistike
Artikulli tjetërParalajmërohet rritja e re e çmimit të naftës