Deshifrimi i politikës së Trumpit në Azi

Mira Rapp-Hooper

Ekspertët që pretendojnë se e dinë me siguri se si do të shpaloset politika e jashtme e presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, janë duke u futur në një lojë të rrezikshme parashikimi. Teksa ata, së bashku me partnerët ndërkombëtarë të Amerikës, përpiqen të përcaktojnë konturet e planeve të tij, ekzistojnë të paktën dy grupe me burime materialesh që mund të analizohen. Grupi i parë janë fjalimet e Trumpit lidhur me politikën e jashtme gjatë fushatës, i dyti janë fjalët dhe shkrimet e këshilltarëve të tij të ngushtë të sigurisë kombëtare.
Kur bëhet fjalë për qasjen e presidentit të zgjedhur në Azi, këto dy grupe provash na çojnë në dy drejtime të kundërta. Megjithatë, edhe pse vizionet që kemi pikasur deri tani janë të ndryshme, ato kanë përsëri një faktor të rëndësishëm të përbashkët. Asnjë nuk i bën thirrje politikës së jashtme të fokusuar në sistemin e aleancave, rregullave dhe normave që kanë penguar çdo hap të lidershipit të Shteteve të Bashkuara në rendin ndërkombëtar që në vitin 1945. Së bashku me pasigurinë e madhe që rrethon objektivat e Trumpit për Azinë dhe mjetet që ai ka sugjeruar se do të përdorë për t’i arritur ato, mungesa e lidershipit të parashikueshëm mund të çojë drejt destabilizimit të balancës rajonale të pushtetit, por vetëm në periudhën afatshkurtër.

Duke lexuar gjethet e çajit
Politika e jashtme, veçanërisht ajo që ka lidhje me Azinë, ka luajtur një rol relativisht të vogël në fushatën presidenciale të Trumpit. Kur ngrihej çështja e politikës së jashtme amerikane kundrejt Azisë, ai kishte tendencën ta shfrytëzonte mundësinë për të nënvijëzuar akoma më shumë këndvështrimin e tij botëror “Amerika është e para”, të cilën e ka adoptuar nga izolacionisti Charles Lindberg, duke dalë kundër marrëveshjeve të tregtisë dhe duke premtuar shpagim ekonomik për këdo sfidonte interesat amerikane. Në fakt, gjatë gjithë fushatës presidenciale, Trumpi duket se i shikonte shtetet aziatike vetëm përmes lentes ekonomike dhe shpesh i shikonte si shtetet që shkelnin rregullat dhe meritonin ndëshkim.
Njëlloj si Hillary Clinton, Trumpi e kundërshtoi Partneritetin Trans Paqësor gjatë fushatës, por ai sulmoi edhe marrëveshjet e tregtisë së lirë më gjerë, duke u zotuar se do të ndërpresë disa nga lidhjet ekonomike ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara. Trumpi premtoi se do ta etiketonte Kinën si manipuluese të monedhës gjatë 100 ditëve të tij të para në detyrë – një kërcënim që mund të mos sjellë pasoja domethënëse dhe që tashmë është i dalë jashtë mode, duke qenë se Pekini e mban monedhën artificialisht të lartë.
Më shqetësues ishte zotimi i Trumpit për të imponuar një tarifë 45% për importet kineze. Një politikë e tillë do të nxiste një luftë ekonomike, do të çonte drejt recesionit, do të eliminonte miliona vende pune në Amerikë dhe do të dëmtonte ekonomitë e disa prej aleatëve të ngushtë të Shteteve të Bashkuara, përfshirë edhe Japoninë dhe Korenë e Jugut. Këshilltarët e fushatës së Trumpit që atëherë e kanë reduktuar ndjeshëm nivelin e tarifës që mund të imponohej, por asnjë prej tyre nuk ka tentuar ta zhdukë tërësisht si ide.
Kur bëhet fjalë për çështje të sigurisë së Azisë, Trumpi nuk duket se ka vështrim të zhvilluar dhe ka favorizuar vazhdimisht ndëshkimin ekonomik si mjet i politikës së jashtme. Ai ka thënë se politika tregtare e Shteteve të Bashkuara mund ta detyrojë Kinën të tërhiqet nga Deti i Kinës së Jugut dhe ka argumentuar se Amerika duhet të përdorë levën e saj ekonomike për t’i bërë presion Kinës që të frenohet në Korenë e Veriut – një “problem” që Trump thotë se Pekini mund ta zgjidhë “me një telefonatë”. Trump duket se është i bindur që ideja e tarifës mbi të mirat kineze të importuara përputhet plotësisht me shpresën e tij për marrëdhënie të përmirësuara me Pekinin.
Trumpi ka shfaqur një antipati të thellë për zotimet e vjetra të Shteteve të Bashkuara në Azi, përfshirë edhe ato të mospërhapjes bërthamore dhe të sigurisë së aleatëve rajonalë. Në shumë raste, ai i ka bërë thirrje Japonisë dhe Koresë së Jugut që të paguajnë koston e plotë të aktivitetit ushtarak amerikan brenda kufijve të tyre, duke theksuar se nëse nuk e bënin këtë, Shtetet e Bashkuara mund të tërheqin trupat ushtarake.
Shqetësimet për ndarjen e barrës në aleancën me Shtetet e Bashkuara nuk është diçka e re, por kriticizmi i Trumpit i ka shqetësuar disi aleatët aziatikë, disa madje kanë thënë se Trumpi nuk është në dijeni të faktit që Japonia dhe Koreja e Veriut janë vendet që Shteteve të Bashkuara i kushtojnë më pak se çdo vend tjetër në botë për shkak të kontributit financiar të Tokios dhe Seulit. Ata kanë thënë edhe se Trump nuk ka demonstruar interes në vlerën strategjike dhe ekonomike që ka aleanca për Shtetet e Bashkuara dhe nuk duket se i respekton mjaftueshëm aleatët për ta diskutuar privatisht çështjen e ndarjes së barrës financiare pas zgjedhjeve, në vend që ta bënte atë publikisht gjatë fushatës.
Me pak fjalë, politika aziatike e Trumpit deri tani ka shfaqur izolacionizëm, paparashikueshmëri dhe favorizim për të përdorur ndëshkimin ekonomik si mjet i politikës së jashtme. Por, këshilltarët e ngushtë të Trumpit për çështjet aziatike, duket se kanë shfaqur një tjetër lloj qëndrimi.

Një tjetër vizion
Këshilltarët për çështjet e Azisë të presidentit të zgjedhur janë shfaqur tepër dyshues kundrejt Kinës dhe kanë mbështetur një politikë të jashtme të fortë dhe të njëanshme të Shteteve të Bashkuara në rajon. Këshilltarët e Trumpit, Alex Grey dhe Peter Navarro, përmes deklaratave të tyre, janë përpjekur të artikulojnë vizionin e kandidatit në Azi – një vizion që ndiqte atë të Ronald Reagnit për “paqe përmes forcës”.
Ata kërkuan të ndërpritej izolimi i buxhetit të mbrojtjes, një zgjerim i jashtëzakonshëm prej 350 anijesh të Marinës amerikane dhe një prezence më të fortë ushtarake në Azi se ajo që ka ofruar administrata aktuale në rajon. Këshilltarët e përsëritën skepticizmin e Trumpit për rolin qendror të tregtisë ndërkombëtare në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara dhe bënë të qartë se aleatëve amerikanë do t’u kërkohet “me gjithë respektin” të paguajnë më shumë për mbrojtjen e tyre. Por ata ofruan edhe një vizion më të qëndrueshëm për sa i përket prezencës amerikane në Azi dhe Paqësor, duke thënë se mbizotërimi ushtarak i Washingtonit kufizon ndjeshëm kërcënimet që vijnë nga Kina.
Pas zgjedhjeve, Trump ka biseduar në telefon me presidentin e Koresë së Jugut, Park Guien-hye dhe me kryeministrin japonez, Shinzo Abe dhe ka përsëritur zotimet e mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara në Korenë e Jugut dhe Japoni. Këto biseda duket se kanë shkuar mirë. Pyetja e vërtetë e aleatëve për Shtetet e Bashkuara nuk është nëse Trumpi do të ndërpresë zotimet e sigurisë së Washingtonit sepse diçka e tillë do të përballej me një kundërshtim të fortë nga ana e Kongresit dhe ka shumë pak gjasa të miratohej. Pyetja është nëse Trumpi do t’i heqë kuptimin aleancave të Shteteve të Bashkuara duke reduktuar bashkëpunimin me partnerët deri në pikën që ata të ndihen të braktisur.
Biseda e parë telefonike e Trumpit me presidentin Xi Jinping, më 14 nëntor, la shumë pyetje pa përgjigje. Të dy liderët u zotuan të bashkëpunonin dhe të forconim lidhjet, por pozicioni i presidentit të ri amerikan gjatë fushatës ndoshta i ka lënë të shqetësuar kinezët. Së bashku me skepticizmin që ka treguar Trumpi ndaj aleancave të Shteteve të Bashkuara, këto biseda me Kinën i japin aleatëve aziatikë arsye për të pasur frikë krijimin e një force më të madhe bashkëpunimi të Washingtonit me Pekinin: një lloj marrëveshjeje G2 ku interesat e vendeve më të vogla do të kalonin në plan të dytë.
Tendenca e Trumpi për t’u përplasur me Kinën dhe njëanshmëria e shfaqur nga këshilltarët e tij, e bëjnë këtë perspektivë jo të mundur, por nuk ka asnjë arsye përse administrata e Trumpit të mos vendosë ta ndëshkojë Kinën ekonomikisht dhe të ngrejë prezencën ushtarake amerikane në rajon, duke i lënë Pekinit edhe disa çështje të sigurisë në dorë. Trumpi mund ta ndryshojë pozicionin e tij për Kinën dhe aleancat amerikane pas janarit. Por edhe pse bashkëpunimi G2 i Kinës dhe Shteteve të Bashkuara është i pamundur, fakti që aleatët kanë arsye për të pasur një frikë të tillë, ka rëndësi të madhe. Kjo sugjeron se deklaratat e ndryshme të Trumpit e kanë zbehur kredibilitetin e Shteteve të Bashkuara.

Azia e lënë pas dore
Siç kanë theksuar edhe një sërë ekspertësh të politikës së jashtme, do të duhen muaj të tërë që administrata e re të zhvillojë një tjetër strategji për Azinë. Duke pasur parasysh paparashikueshmërinë e Trumpit, ai mund të vendosë të mos krijojë një strategji të re, por të zgjedhë strategji të vogla rast pas rasti dhe të vendosë se çfarë do të thotë slogani “Amerika është e para” në rrethana të ndryshme.
Nëse tiparet pozitive të vizionit të Trumpit për Azinë janë ende të paqarta, boshllëqet të paktën janë të dukshme. Deklaratat e Trumpit dhe këshilltarëve të tij nuk i kanë përmendur institucionet ndërkombëtare si Shoqata e Vendeve Aziatike Juglindore (ASEAN) apo Forumi i Bashkëpunimit Ekonomik Aziatiko-Paqësor, madje nuk kanë ngritur as të drejtat e njeriut dhe rregullin e ligjit si principe të politikës së jashtme.
Trump dhe këshilltarët e tij kanë shfaqur shenja që tregojnë se aleancat amerikane janë më shumë se transaksione të thjeshta apo që Shtetet e Bashkuara duhet të bashkëpunojnë ngushtë me vendet aziatike në vend që të zgjedhë të influencojë rajonin sa herë diktojnë interesat. Megjithatë, presidenti i ri dhe këshilltarët nuk kanë folur në mënyrë të detajuar për të treguar nëse kanë ndërmend të luajnë një rol konstruktiv në rendin ndërkombëtar: në rrjetin e traktateve, regjimet, normat dhe ligjet që Shtetet e Bashkuara kanë kontribuar të ndërtojnë që në vitin 1945.
Nëse konservatorët tradicionalë vazhdojnë të mbushin poste në administratën e Trumpit, atëherë këto mangësi do të plotësohen. Nëse Shtetet e Bashkuara nuk e ruajnë rendin ndërkombëtar, mund të ketë zhvillime armiqësore në balancën e pushtetit në Azi. Së pari, vendet që kanë qenë partnere me Shtetet e Bashkuara, por ruajnë lidhje të ngushta me Kinën mund të orientojnë politikën e tyre drejt Pekinit. Kjo tendencë ka gjasa të jetë më e dukshme në Azinë Juglindore, ku shumë shtete shpresojnë të përfitojnë më shumë nga lidhjet ekonomike me Kinën – Malajzia dhe Filipinet kanë filluar ta ndjekin këtë logjikë.
Duke pasur parasysh vartësinë e tyre të gjatë ndaj zotimit të Shteteve të Bashkuara për sigurinë, aleatët e Washingtonit do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me administratën e re. Teksa detajet e qasjes së Trumpit bëhen gjithmonë e më të qarta, ata mund të vendosin të rrisin pavarësinë e tyre të sigurisë, duke shtuar shpenzimet e mbrojtjes dhe bashkëpunimin ushatarak me njëri-tjetrin, ndoshta siç duhet të kishin bërë kohë më parë.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakEnigma e unit
Artikulli tjetërProtesta kundër manipulimeve të Soros