Derbi Lazio-Roma, sfidë e hapur

Lazio-Roma, derbi i qytetit të përjetshëm rikthehet në skenë këtë të dielë me bukurinë dhe madhështinë që e karakterizon. Në “Olimpico” sot do të vendosen sërish përballë njëra-tjetrës, dy skuadrat e kryeqytetit italian në një sfidë që nuk e humbet asnjëherë rëndësinë e saj. Nga njëra anë është Lazio e Piolit, ndërsa në krahun tjetër Roma e Spalettit. Ky do të jetë derbi numër 144 mes bardhekaltërve dhe verdhekuqve me Romën që kryeson në përballjet direkte me 50 fitore kundrejt 36 të lacialëve, ndërsa 57 takimet e tjera kanë përfunduar në barazim.
Në këtë edicion Lazio ka zhgënjyer totalisht pritshmëritë e tifozëve të saj, ndërsa Roma pas një nisjeje jo të mirë që i bëri sezonit që solli edhe shkarkimin e trajnerit Rudi Garcia është rikthyer fuqishëm në garë, duke regjistruar 8 fitore në 9 ndeshjet e fundit të kampionatit. Jo vetëm renditja, me verdhekuqtë që numërojnë 18 pikë më shumë se bardhekaltërit, por edhe fakti që Lazio ka që nga 2012-ta që nuk fiton një derbi, bëjnë që Roma e Spalettit të hyjë si favorite në këtë ndeshje. Të vjen keq që një stadium fantastik si “Olimpico” nuk do të mbushet në kapacitetin e tij të plotë për këtë superderbi, pasi tifozët ultras të të dyja skuadrave ashtu si në fazën e parë do ta bojkotojnë sërish këtë sfidë, kjo për faktin se tifozët e Lazios e Romës nuk pranojnë që policia të vendosë barriera ndarëse mes dy tifozerive.
Në mbrëmje luan edhe Interi që shpreson te ndonjë hap fals i Romës në derbi për të ngushtuar disi distancën në klasifikim ndaj verdhekuqve që kanë 5 pikë avantazh. Zikaltërit presin në “San Siro” Torinon, në një sfidë që për Interin duhet fituar me çdo kusht. Roberto Mançini mund të mbështetet te i gjithë grupi i futbollistëve që ka në dispozicion për këtë duel pasi janë rikthyer nga dëmtimet respektive kapiteni Icardi dhe mesfushori francez Kondogbia. Nga ana tjetër Torino e Venturës do të ketë dy mungesa të rëndësishme, pasi sulmuesi Ciro Immobbile është i dëmtuar, ndërsa kapiteni Kamil Glik i skualifikuar. Në orën 15.00 luan edhe Milani që sfidon në transfertë Atalantën me shpresën për t’u rikthyer te fitorja në kampionat.
Fiorentina e Paulo Souzës nga ana tjetër pret në shtëpi Sampdorian, sfidë në të cilën nuk i bën punë asnjë rezultat tjetër veç fitores. Në këtë ndeshje do të kemi një rikthim të Vincenzo Montellës në “Artemio Franchi”. Në Gjermani vëmendja do të jetë e gjitha te sfida e “Borussia Park” mes Gladbahut vendas dhe Herthës së Berlinit, ndërkohë që një takim mjaft interesant do të jetë edhe Hoffenheim dhe Koln, me Mërgim Mavrajn që pritet të aktivizohet si titullar në radhët e skuadrës së drejtuar nga Peter Stoger.
Në Spanjë, Sevilla do të kërkojë të mbajë gjallë shpresat për të pozicionuar në vendin e 4-t kur të presë në shtëpi Real Sociedadin që nuk po kalon një moment të mirë në La Liga. Në Holandë është dita e Ajaxit të Amsterdamit që synon një fitore të thellë ndaj Zwolles për të nderuar ashtu siç duhet, legjendën Johan Cruyff. Në Ligue 1 në Francë, Lyoni me misionin për ta mbyllur kampionatin në vendin e 3-të do të kërkojë të mposhtë me çdo kusht një kundërshtar të vështirë si Lorient në transfertë.

Totti-Roma, divorc i pashmangshëm

Qëndrimit të Françesko Tottit te Roma po i vjen fundi. Sipas asaj që publikohet te e përditshmja “Corriere dello Sport”, raporti mes kapitenit legjendar të verdhekuqve dhe klubit italian është prishur përfundimisht pasi drejtuesit e Romës këmbëngulin në qëndrimin e tyre për të mos rinovuar kontratën e tij edhe për një vit. Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, dëshira e Tottit është që të vazhdojë të luajë dhe duke parë këtë situatë të krijuar duket se e ka marrë vendimin për t’u larguar në një kampionat tjetër jashtë Italisë. Ajo që pret tashmë 39-vjeçari është vetëm komunikimi zyrtar i drejtuesve të klubit roman për të bërë më pas edhe zgjedhjen e tij përfundimtare dhe në këtë pikë alternativat nuk i mungojnë.

Artikulli paraprakIbrahimoviç te Milani?
Artikulli tjetërTrump në mes dy zjarreve, atij republikan dhe amerikan