Derbi edhe në stol

Derbi i Madoninës do të luhet edhe në stol për Inter-Milan. Si në një ballo që do të shohë të zbresë në pistë një debutant dhe një senator në kërkim të fitores së tij të parë. Mbrëmjen e së dielës, do të luhet edhe takimi mes Luçiano Spallettit e Vincenzo Montellës.
Spalletti numëron më shumë derbi se kolegu i tij në karrierë, që të gjithë me Romën. Ndaj kjo do të jetë hera e parë që me mbështetjen e 80 mijë tifozëve të “San Siros”, kryesisht të Interit do të mbajë pozitën e të zotit të shtëpisë në derbin e Madoninës, me zikaltërit që do të shohin kuqezinjtë e Milanit nga lart-poshtë me avantazhin e 7 pikëve në klasifikim. Bilanci i teknikut 58-vjeçar flet për një avantazh të tij në numrin e derbeve të luajtura, nga 13 të tillë të gjithë të zhvilluar mes Romës dhe Lazios ka marrë 6 fitore dhe dy barazime. Gjithashtu ka arritur suksesin duke ngritur dy trofe të Kupës së Italisë. Gjithsesi këtë herë do të tentojë ta çojë në 7 numrin e fitoreve në derbi.
Nga ana tjetër qëndron Vincenzo Montella, i cili numëron gjithsej 7 derbi në karrierën e tij si trajner, me tri fitore, tri barazime dhe një humbje edhe pse ndryshe nga kolegu interist i ka zhvilluar me një sërë ekipesh të tilla si Roma, Catania dhe Sampdoria, por i mungon suksesi në “San Siro”.
“Një trajner duhet të qëndrojë gjithnjë i kthjellët, por këtë herë do të preferoja edhe një autogol mjafton që në fund të fitonim”, ka deklaruar 43-vjeçari duke i hedhur benzinë zjarrit dhe ndezur edhe më shumë rivalitetin për këtë derbi të luftuar që premton spektakël dhe shpirt gare.
Interi i afrohet derbit me një mision: të fitojë Milanon. Ose më mirë, të rifitojë. Po, sepse sezonin e kaluar, pas 3 vitesh, skuadra zikaltër humbi supremacinë në qytet: një superioritet megjithatë relativ, duke qenë se pak mund të krenohesh për një vend të gjashtë kundër të shtatit.
Ndërkaq, kuqezinjtë janë rikthyer në kupa, megjithëse vetëm në Ligën e Europës, nga mungonin pikërisht prej një trevjeçari, ndërsa Ikardi me shokë janë të detyruar t’i shohin nga shtëpia. Pra, tek Interi duan të “rikthejnë” gjithçka në vendin e vet.
Nga si ka filluar kampionati, skuadra e Luçiano Spalletit gjendet në kushtet ideale: pas 7 javësh, jo vetëm që gjendet në vendin e dytë (të ndarë me Juventusin) me vetëm 2 pikë larg Napolit kryesues, por ka arritur të krijojë një distancë sigurie nga “Djalli”.
Derbi, pra, do të jetë rasti më i mirë për t’u shkëputur nga kuqezinjtë me 10 pikë diferencë. Po, sepse pas merkatos verore “shpërthyese”, me 11 të afruar dhe 230 milionë euro investime, të paktën do e kishin menduar një situatë të tillë…
Arlind RAMA

Artikulli paraprakJashanica: Në Beograd të tregojmë si jemi ne shqiptarët
Artikulli tjetërInfantino: VAR në Rusi 2018!