Dëmtimi i Dembele bllokon pagesën e çekut

Dëmtimi i pësuar nga Ousman Dembele ndaj Getafes do të lërë Barcelonën pa një prej futbollistëve të planifikuar si titullarë në sulm për të paktën 3 apo katër muaj. Por nga ana tjetër, edhe do t’i kursejë katalanasve një shifër prej 10 milionë eurosh, të paktën për këtë sezon.
Sipas “La Vanguardia”, një nga klauzolat e transferimit të futbollistit francez nga Borusia Dortmund parashikon që 10 milionë euro të paguhen në rast se lojtari do të arrijë shifrën e 50 ndeshjeve me fanellën e katalanasve.
Me tre apo katër muajt pushim, kjo shifër nuk mund të arrihet, ndaj Borusia duhet të presë deri në sezonin e ardhshëm për pagesën e këtyre 10 milionë eurove. Më e thjeshtë do të jetë pagesa e një tjetër klauzole prej 10 milionë eurosh që është vendosur në marrëveshjen e transferimit të tij.
Kjo shifër duhet paguar menjëherë sapo Barcelona të sigurojë kualifikimin në Ligën e Kampioneve në një nga 5 vitet e ardhshme. A ekziston ndokush që mendon se katalanasit do të mbyllin kampionatin jashtë katërshes së parë në Spanjë?

Artikulli paraprakLargimi i Ançelotit i bën mirë Bajernit
Artikulli tjetërRooney dënohet me dy vjet heqje patente