Demiraj paralajmëron drejtorët e policisë për shitblerjen e votës

Garantimi i një procesi zgjedhor me standarde ka qenë në fokus të një takimi që ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj zhvilloi dje me drejtuesit vendorë të policisë në 12 qarqe. Në njoftimin për shtyp thuhet se, në takimin që u zhvillua në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, është diskutuar dhe janë dhënë udhëzime për masat që policia duhet të marrë në parandalimin dhe evidentimin e personave dhe grupeve kriminale në drejtim të shitblerjes së votës; presionin ndaj zgjedhësve; përdorimin e parave nga burime të paqarta në ndikim të procesit elektoral dhe marrjen e bllokimin e kartave përkundrejt shpërblimit monetar me qëllim heqjen e së drejtës për të votuar.
“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, 12 drejtorë vendorë të policisë në qarqe, drejtori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar dhe drejtori për Sigurinë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit raportuan konkretisht evidentimin e të gjithë rasteve konkrete të shitblerjes së votës, krimeve të tjera elektorale dhe planin e masave për javën e fundit të fushatës zgjedhore ku shtohen aktet e blerjes së votës dhe krimet elektorale”, thuhet në njoftim. Po ashtu, rëndësi iu dha planit të masave për të evidentuar ngjarjet para, gjatë dhe pas ditës së zgjedhjeve.
Ministri i Punëve të Brendshme, Dritan Demiraj kërkoi nga Policia e Shtetit përmbushjen e të gjitha përgjegjësive ligjore që i jep ligji dhe tha se, nuk është e nuk do të jetë e toleruar mbështetja e subjekteve politike nga efektivë me uniformë. “Çdo tolerim ndaj këtij fenomeni do të penalizohet rreptësisht. I gjithë zinxhiri drejtues i Policisë së Shtetit do të mbajë përgjegjësi sipas përcaktimeve të ligjit”, tha Demiraj.
Demiraj vlerësoi rezultatet e Policisë së Shtetit në luftën e përditshme dhe pa kompromis ndaj kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Më 25 qershor, qytetarët shqiptarë do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre për katër vitet e ardhshme në Kuvendin e Shqipërisë.

Artikulli paraprakRama konfiskon edhe linjat e transportit urban për fushatë
Artikulli tjetërSkandal, Plarent Ndreca fshin serverat që heton Prokuroria