Deficiti në energji, prodhimi bie me 26%, konsumi rritet me 7.8% në janar-qershor

Nga suficit vitin e kaluar prodhimi i energjisë elektrike në raport me konsumin ka pësuar një deficit të fortë në gjashtë mujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave të INSTAT për bilancin e energjisë elektrike në gjashtëmujorin e parë prodhimi i energjisë elektrike në totale nga HEC-et publikë dhe ato private ka pësuar një rënie vjetore me 25.9 për qind, teksa konsumi është rritur me 8 për qind si pasojë e rikthimit në punë të kompanive të mëdha të industrisë ARMO dhe Kurum.
Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje), në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017, rezultoi me rritje duke arritur vlerën 1.080 Gwh nga 776 Gwh në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016. Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) arriti 361 Gwh në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017 nga 1.289 Gwh në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike është 3.012 Gwh nga 4.066 Gwh energji të prodhuar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016. Me rënie të prodhimit të energjisë elektrike, për gjashtëmujorin e parë të vitit 2017, kanë rezultuar të gjithë prodhuesit e energjisë, si hidrocentralet publike (-26,9 për qind) dhe hidrocentralet private dhe koncensionare (-23,8 për qind). Rënia e prodhimit të energjisë elektrike në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017 ka ndikuar në rritjen e importeve dhe rënien e eksporteve të energjisë elektrike. Importet bruto (energji në marrje) u rritën me 39,2 për qind, ndërsa sasia e eksporteve bruto (energji në dhënie) u ul me 72,0 për qind, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2016. Hidrocentralet publike kanë realizuar 67,4 për qind të prodhimit të energjisë elektrike për gjashtëmujorin e parë të vitit 2017 nga 68,4 për qind që realizuan në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016. Përqindja që zënë hidrocentralet private dhe koncesionare në prodhimin neto vendas të energjisë elektrike është 32,6 për qind nga 31,7 për qind që zinte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017, humbjet në rrjet kanë rënë me 1,6 për qind. Ndikim në këtë rënie kanë patur uljet e humbjeve teknike në shpërndarje, të cilat përbëjnë 61,7 për qind të humbjeve gjithsej në rrjet si edhe rënia e humbjeve dhe konsumit vetjak në transmetim që përbën 8,0 për qind të humbjeve gjithsej në rrjet. Në këtë periudhë, humbjet në rrjet janë 1.021 Gwh nga 1.037 Gwh që ishin në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016. Humbjet në shpërndarje janë rritur me 0,8 për qind krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar si rrjedhojë e rritjes së humbjeve jo teknike në shpërndarje prej 21,5 për qind. Humbjet në transmetim, ndryshe nga gjashtëmujorët e viteve të kaluara, këtë gjashtëmujor kanë rezultuar me rënie. Humbjet në transmetim ranë me 23,1 për qind, duke përbërë 8,0 për qind të humbjeve në rrjet nga 10,2 për qind të humbjeve gjithsej në rrjet që zinin në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016. Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017, u rrit me 7,8 për qind, duke arritur vlerën 2.710 Gwh nga 2.515 Gwh që ishte në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016. Ndikimin më të madh në rritjen e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët, e kanë dhënë konsumatorët jo familjarë, të cilët kontribuuan me +7,0 pikë përqindje në gjashtëmujorin e parë të 2017 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016 përkundrejt kontributit prej +0,8 pikë përqindje të energjisë së konsumuar nga konsumatorët familjarë.

Energjia, Sekretariati: Qeveria të rishikojë urgjent modelin e tregut

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka publikuar rishikimin e radhës për Ballkanin Perëndimor, duke marrë në analizë ecurinë e modelit të ri të tregut të energjisë, ngritjen e bursës si dhe aspekte të tjera teknike. Aktualisht, Sekretariati është i vendosur që të marrë masa ndaj Shqipërisë për pjesën që ajo nuk ka plotësuar, ndërkohë që këtë e bën me dije edhe në raport. Reforma në energji është konsideruar nga ana e mazhorancës si një nga arritjet më të mëdha të mandatit të parë qeverisës. Por edhe pse sot kemi një model të ri në letër për tregun sipas Sekretariatit ka disa çështje që duhet të rishikohen me urgjencë.
“Modeli i tregut përfshin strategjinë për promovimin e likuiditetit bazuar në të ashtuquajturat zonat e import/eksportit dhe masa të tjera të përkohshme deri në zbatimin e plotë të modelit. Ky i fundit parashikon edhe pjesëmarrjen e detyrueshme të lojtarëve kryesorë në mënyrë graduale. Në të njëjtën kohë, vendimi i Këshillit të Ministrave që vendos Shërbimin e Detyrueshëm Publik pengon hapjen e tregut dhe likuiditetin e tregut shqiptar të energjisë. Duhet të rishikohet në mënyrë urgjente”, thuhet në raport. Përveç kësaj, Sekretariati sjell në vëmendje se, marrëveshjet dypalëshe mes KESH dhe OSHEE si dhe procedura për prokurimin e energjisë për mbulimin e humbjeve nga operatorët e transmetimit dhe shpërndarjes, shkelin ligjin e Komunitetit të Energjisë (si dhe ligjin kombëtar). Sekretariati aktualisht po përgatit masën e tij për këtë shkelje.

 

Artikulli paraprakKonkurrenca shqyrton përthithjen e Veneto Banca nga Intesa Sanpaolo
Artikulli tjetër20 mijë dosje për 10 gjyqtarë!