Dedja: Pushteti të heqë dorë nga presioni ndaj Kushtetueses

Në një intervistë në televizionin “Ora News”, kreu i Kushtetueses, Bashkim Dedja tha se nuk do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do të pengojë procesin integrues të vendit. Dedja adresoi dhe një apel, kur tha se duhet të ndalen sulmet në adresë të Gjykatës Kushtetuese. Deklaratat, Dedja i bëri në përfundim të një aktiviteti të Avokaturës së Shtetit.

– Kur do të merret në shqyrtim nga Kushtetuesja ligji i Vetting-ut?
Të gjithë thonë se e ka sjellë Komisioni i Venecias, edhe sot e kësaj dite opinioni i Komisionit të Venecias nuk ka ardhur zyrtarisht në Gjykatën Kushtetuese. Akoma nuk kemi një përgjigje zyrtare ndonëse e ka botuar në faqen e saj elektronike. Ne kemi komunikuar dhe dje dhe sot me Komisionin e Venecias, para pak çastesh më është kthyer përgjigje që ka pasur një problem teknik nga Komisioni i Venecias që nuk e kanë dërguar dhe mund ta nisin që sot në rrugë elektronike dhe manuale. Jemi në pritje të opinionit të Komisionit të Venecias zyrtarisht.
Vazhdimisht është sulmuar Gjykata Kushtetuese për zvarritje dhe vonesa në shqyrtimin e kësaj çështjeje, natyrisht që kjo është një çështje shumë e ndjeshme dhe e rëndësishme për reformën në drejtësi, është ligji bazë pas Kushtetutës që u hap rrugën të gjitha ligjeve të tjera për t’u zbatuar në praktikë, por dua të sqaroj opinionin se është shqyrtuar në një kohë rekord ky ligj nga Gjykata Kushtetuese. Pavarësisht se nuk është marrë akoma vendimi, procedurat paraprake kanë përfunduar dhe është në pritje të opinionit të Komisionit të Venecias që pastaj të procedojmë vendimmarrjen. Në bazë të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese qoftë atij të vjetrit, qoftë atij që është në fuqi sot, neni 47 që është miratuar këtë vit dhe ka hyrë në fuqi para një muaji parashikon se vetëm procedura paraprake nga marrja e kërkesës deri në vendimmarrjen e Kolegjit ose mbledhjes së gjyqtarëve nëse do të kalojë për gjykim apo jo, ka tre muaj në dispozicion.
Kushtetuesja e ka shqyrtuar në kohë rekord. Kërkesa është regjistruar më datën 5 tetor në Gjykatën Kushtetuese, Kolegji ka vendosur më 14 tetor duke e kaluar çështjen për gjyq, ndërkohë që është marrë vendimi për t’i dërguar Komisionit të Venecias më datë 25 tetor nga mbledhja e gjyqtarëve për t’i kërkuar mendim dhe seanca gjyqësore është bërë pa kaluar një muaj nga depozitimi i kërkesës. Nuk është Gjykata Kushtetuese që e pengon apo e ka zvarritur, përkundrazi ka punuar me shpejtësinë maksimale për t’i dhënë përgjigje sa më shpejt pretendimeve të ngritura të këtij ligji. Sepse gjykata fare mirë ishte komode, mund të zbatonte ligjin dhe nëse do të kalojë për gjyq apo jo mund të priste periudhën tremujore. Është krejtësisht e pabazë, të gjitha insinuata që ngrihen për zvarritjen e qëllimshme të këtij procesi.
Gjykata Kushtetuese po punon maksimalisht që t’i japë një përgjigje sa më të shpejtë me vendim përfundimtar kësaj kërkese që ka të bëjë me thelbin e reformës në drejtësi.
Gjykata Kushtetuese nuk është bërë dhe nuk do të bëhet kurrë pengesë për integrimin e vendit, për reformën në drejtësi. Përkundrazi është një kontribuese jashtëzakonisht e rëndësishme e reformës në drejtësi dhe e demokracisë në vend. Mjafton të kthejmë kokën pas dhe të shikojmë vendimmarrjen kushtetuese të kësaj gjykate, e cila ka dhënë vendime jashtëzakonisht të rëndësishme që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe balancimin e pushteteve apo integritetin kombëtar të këtij vendi.
Natyrisht që ajo do kohën e vet, por ne po punojmë me shpejtësi maksimale. Po hidhet baltë vazhdimisht mbi Gjykatën Kushtetuese, duke përfshirë dhe në kuadrin e besimit të ulët ndaj pushtetit gjyqësor. Jo vetëm publiku, por një pjesë e madhe e juristëve nuk e dinë që Gjykata Kushtetuese nuk bën pjesë në pushtetin gjyqësor. Ai perceptim që është për opinionin e ulët dhe besimin e ulët të Gjykatës Kushtetuese nuk është për Gjykatën Kushtetuese, por sistemin gjyqësor. Këtë e thonë të gjithë progres raportet për Shqipërinë nga 2005 që është në monitorim dhe Kushtetuesja. Në asnjë prej tyre Gjykata Kushtetuese nuk ka pasur vlerësime negative, por pozitive.
I bëj thirrje politikës, pushtetit, mediave, kushdoqoftë që të heqin dorë nga presione që i bëjnë Gjykatës Kushtetuese, sepse si gjithë të tjerët dhe gjyqtarët e Kushtetueses janë shtetas të këtij vendi, njëlloj si gjithë qytetarët e tyre, janë të përgjegjshëm për detyrën e tyre, do të vendosim për më të mirën e asaj që kërkohet. Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet Kushtetutës dhe do ta mbrojë atë sipas rregullave dhe ligjeve që janë në fuqi dhe konventave ndërkombëtare.

– Nga kush u është bërë presion zoti Dedja?
Nuk ka presion të drejtpërdrejtë, por fakti se çdo ditë në media, shtyp, Parlament apo portale, thuhet se gjykata qëllimisht po zvarrit reformën, është bllokuese e integrimit në BE, gjyqtarët janë të kësaj apo asaj natyre përfshi dhe deri tek kriminelë etj., ka një ligj që do t’i sqarojë këto gjëra bashkë me strukturat mbështetëse. Secili do të përgjigjet për gjithçka ka bërë dhe gjithçka është, duke filluar nga gjyqtarët kushtetues deri tek gjyqtari dhe prokurori më i thjeshtë. Ai që ia ka bërë vendin, ai që do të ketë përgjegjësi, do t’i nënshtrohet përgjegjësisë. Ai që ia ka bërë vendin të përgjigjet, të shkojë në ferr. Ai që është i ndershëm, që ka punuar me profesionalizëm dhe iu ka përkushtuar detyrës së tij patjetër që duhet të vlerësohet.

– Kur mund të kemi një vendim përfundimtar?
Sa i takon procedurave, e thashë që vetëm procedurat paraprake ligji i njeh tre muaj. Por zgjatja tërësore e procesit, edhe gjykimi, edhe vendimmarrja ligji ka parashikuar deri në një vit. Por kurrë ne dhe jam i bindur që kjo nuk do të ndodhë. Do të jetë një përgjigje në kohën sa më të shpejtë të mundshme, por se kur është e pamundur të përcaktohet dhe nuk është vetëm në dorën time, vendimi është kolegjial. Secili duhet të përgatitet dhe të jetë i bindur, i ndërgjegjshëm në atë që do të vendosë dhe do të jetë krejt i qartë në konkluzionet e tij.

Artikulli paraprak19 milionë dollarë në vit për Vilmën
Artikulli tjetër“Politico”: Me Ramën Shqipëria 9 vite larg anëtarësimit në BE