“Debutimi në Kombëtare? S’e mendoj”

Dëmtimi i Marchettit e shtyu Thomas Strakoshën drejt debutimit në Serinë A. Nga tempulli i futbollit italian, gardiani i ri shqiptar nisi rrugën e gjatë drejt karrierës në një prej kampionateve më të fortë të botës. Në një intervistë dhënë për radion zyrtare të Lazios, Strakosha shprehet fillimisht se, Inzaghi ia komunikoi vetëm pak momente përpara ndeshjes se do ta mbronte ai katërkëndëshin. “Isha i qetë. “San Siro” është një prej stadiumeve më të bukur ku mund të debutosh, por unë nuk e shijova aspak për shkak të rezultatit. Në vijim, ai rrëfen disa momente private dhe zbulon emrat e personave që e kanë uruar për këtë debutim.
“Më telefonoi gjithë familja dhe shumë miq. Më telefonuan edhe Berisha e Cana, por dua të theksoj se ai që më ka qëndruar përherë pranë është Marchetti. Më ka këshilluar shumë dhe më ka dhënë kurajo, duke më thënë se mund të arrija çdo limit”, thekson 21-vjeçari shqiptar. I pyetur nëse tashmë ëndërron debutimin edhe me fanellën e Shqipërisë, Strakosha thekson se nuk është aspak i fiksuar me këtë ide, por shton se kur kjo të ndodhë për të, do të jetë një motiv krenarie.
“Kur shkon në Kombëtare nuk mendon shumë kush do të luajë, por mendon për të përfaqësuar sa më mirë vendin tënd”, pohon djali i legjendës, Foto Strakosha. Në vijim, ai rrëfen edhe bisedat që bën shpesh herë me të atin, duke theksuar se ai nuk kënaqet asnjëherë, ndërsa ndalet edhe te ndeshja e dytë, ku do të luajë titullar këtë të dielë përballë publikut vendas në “Olimpico”, duke e pranuar se Marchetti ka pak shanse për t’u aktivizuar dhe ai do të luftojë për t’i siguruar skuadrës bardhekaltër tre pikët.
Ndërkohë, Armando Vajushi është detyruar të lërë para kohe fushën e lojës në ndeshjen që Pro Verçeli fitoi 1-0 ndaj Çezenës në Serinë B. Sulmuesi shqiptar është titullar i padiskutueshëm në radhët e skuadrës së tij dhe e filloi këtë takim nga minuta e parë. Por në minutën e 13-të, pas një përplasje me mbrojtësit kundërshtarë, ai u detyrua të kërkonte ndihmën e stafit mjekësor. Futbollisti provoi të kthehej në fushën e lojës, pas dëmtimit të pësuar, por e kishte të pamundur të vazhdonte dhe në minutën e 20 u zëvendësua.
Sipas informacioneve paraprake, sulmuesi ka një dëmtim në gju, por do të shihet në ditët në vijim se si është situata e tij dhe sa kohë do t’i nevojitet lojtarit për t’u rikthyer në fushën e lojës.
Ndërkohë, sulmuesi shqiptar i Pizës, Edgar Çani, e filloi takimin ndaj Askolit nga minuta e parë dhe qëndroi në fushë për 60 minuta. Ai dha asistin e golit të parë për ekipin e tij. Portieri i Kosovës, Samir Ujkani, ishte sërish portieri që mbrojti portën e ekipit të drejtuar nga Xhenaro Gatuzo.
Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, ishte titullar si gjithnjë për Avelinon dhe qëndroi në fushë për 90 minuta në takimin e barazuar 0-0 në transfertë përballë Vinçenzës. Ndërkohë, Migjen Basha e ndoqi të gjithë humbjen 0-4 të Barit në shtëpi me Beneventon nga stoli, pasi trajneri Stelone nuk e pa të nevojshme ta aktivizonte.

Artikulli paraprakAtletiko po rritet!
Artikulli tjetërTre teori për bioenergjinë