Debatet e Prokurorëve me kamikazen e Ramës tek Krimet e Rënda që kërkon lirimin e Shullazit, si e braktisën

Çështja “Shullazi” ka futur në një kolaps Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe shkak janë bërë veprimet e ndërmarra së fundmi nga drejtuesja, Donika Prela.
“Boldneës.al” ka mësuar në mënyrë ekskluzive për debatet e ashpra që janë zhvilluar paraditen e së Mërkurës gjatë mbledhjes së zhvilluar nga shefja e Krimeve të Rënda, Donika Prela, e cila tentoi të zëvendësonte prokurorët e çështjes, Elisabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi.
Prokurorja Imeraj, prej fundit të Korrikut 2018 është komanduar drejtuese e Prokurorisë së Tiranës. Ndërsa prokurori Nakuçi prej disa javësh është në trajtim mjekësor jashtë Shqipërisë.
Në seancën e fundit, zhvilluar pak ditë më parë, Prela autorizoi ish-drejtuesin e Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, për të përfaqësuar prokurorinë në gjyq, ku ishte përcaktuar të lexoheshin konkluzionet e prokurorisë për të pandehurit. Prania e Hajdarmatës, megjithëse formale, pasi ai nuk mund të prezantonte konkluzionet për një çështje që nuk e ka hetuar, shkaktoi reagimin e avokatëve. Ata deklaruan se Hajdarmataj nuk mund të përfaqësojë prokurorinë në këtë proces gjyqësor, për shkak të përplasjeve që kanë pasur gjatë kohës kur ai ishte drejtues.
Në këto kushte, Donika Prela, ka vendosur që të zëvendësojë dy prokurorët, Imeraj dhe Nakuçi, me të tjerë, nëpërmjet shortit. Por, kjo zgjedhje e Prelës është kundërshtuar nga një pjesë e prokurorëve të Krimeve të Rënda.
Pasi është mësuar qëllimi i mbledhjes, pra hedhja e shortit për caktimin e prokurorit ose prokurorëve për leximin e konkluzioneve në procesin kundër Shullazit, i pari ka reaguar prokurori Ols Çela.

Ky i fundit ka kërkuar nga drejtuesja të sqarohet se përse po zhvillohet shorti, kur çështja ka dy prokurorë, të cilët kanë zhvilluar hetimin dhe kanë ndjekur të gjithë procesin ligjor. Sipas tij, këta dy prokurorë duhet të përfundojnë procesin, ku ka qenë pjesë që në fillimet e tij.
Pasi drejtuesja Prela është shprehur se prokurorja Elisabeta Imeraj nuk mund të paraqitet, pasi është e komanduar në Prokurorinë e Tiranës dhe prokurori Nakuçi nuk mund të paraqitet për arsye shëndetësore, prokurori i parë reagues, Ols Çela, i ka konsideruar të pabazuara argumentat e shefes së tij. Sipas tij, sqarimet e drejtueses Prela nuk janë aspak bindëse, pasi dy prokurorët e çështjes mund të prezantohen në gjykatë për konkluzionet ndaj grupit ‘Shullazi” në momentin më të parë që do u krijohet mundësia.
Pasi ka dhënë opinionin e tij, , Ols Çela, i cili më parë ka qenë vetë drejtues i Prokurorisë për Krime të Rënda, është larguar nga mbledhja në shenjë protestuese, pasi e konsideroi jo-ligjore dhe jo-proceduriale organizimin e saj nga Donika Prela.
Pas prokurorit Çela, nga mbledhja kanë dalë me radhë prokurorët Edvin Kondili dhe Përparim Kulluri. Këta të dy, prokurorë me shumë çështje të suksesshme në biografinë e tyre profesionale, nuk kanë pranuar gjithashtu që të jenë pjesë e një farse proceduroiale.
Pas largimit të tre prokurorëve të parë, Prela, me shumë mundësi e gjendur në vështirësi para stafit, ka ndryshuar disi mendimin fillestar. Ajo u ka sugjeruar pjesës së mbetur të stafit që të hidhet shorti, për të përcaktuar 3 prokurorë të tjerë, të cilët do të shoqërojnë Besim Hajdarmatën në seancën e konkluzioneve për Shullazin.

Ky sugjerim ka shkaktuar reagimin edhe të Hajdarmatës, i cili i është drejtuar titullares së Krimeve të Rënda se ky veprim nuk është aspak ligjor. Prokurori mësohet të jetë shprehur se nuk ka asnjë hezitim të paraqitet në seancë, edhe vetëm e i pa shoqëruar nga prokurorë të tjerë, por gjithësesi caktimi i tij duhet bërë nëpërmjet procedurës.
Sipas Hajdarmatës, nëse prokuroria shkel procedurat, kjo mund të shfrytëzohet nga avokatët që, në një Apelim të mundshëm të tyre, gjykata t’i konsiderojë nul veprimet e institucionit të Prokurorisë.
Pasi është përballur me qëndrimin e Hajdarmatës, Donika Prela i ka kërkuar këtij të fundit që të zgjedhë ai vetë prokurorët që do t’i bashkohen në seancën e konkluzioneve për Shullazin. Kjo kërkesë është kundërshtuar nga Hajdarmataj, duke këmbëngulur se nuk po respektohet aspak procedura dhe se kjo shkelje proceduriale nga ana e Prokurorisë mund të shkojë në favor të të pandehurve.
Në mes të këtyre kundërshtive dhe bojkotit paraprak të mbledhjes nga ana e disa prokurorëve, Donika Prela e konsideroi takimin të mbyllur dhe njoftoi se do të vinte në dijeni Prokurorin e Përgjithshëm, por edhe Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për veprimet e prokurorëve.
Natyrisht, Donika Prela duhet të njoftojë Prokurorin e Përgjithshëm (të Përkohshëm) dhe KPK-në edhe për procedurat e ndjekura prej saj, të cilat, për herë të parë në historinë e Prokurorisë, shkaktojnë një rebelim të kësaj natyre.

“Boldnews.al”

Artikulli paraprakProtestë para Kuvendit në mbrojtje të Teatrit, aktivistët: Do ta mbrojmë me forcë, gati të futemi në burg!
Artikulli tjetërBëhuni gati, brenda pak muajsh edhe Rruga e Elbasanit me koncesion dhe me pagesë