Debate të forta mes Vasilit dhe Gjiknurit, ndërpritet mbledhja për Reformën Zgjedhore

Ndërpritet mbledhja e grupit të punës të Keshillit Politik që po zhvillohet në Pallatin e Kongreseve.

Shkak janë bërë debatet e forta mes përfaqësuesit të PS-së, bashkëkryetar i komisionit të reformës zgjedhore Damian Gjiknuri dhe nënkryetarit të LSI-së, përfaqësues i opozitës Petrit Vasili.

Nga brenda mbledhjes së Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, mes Petrit Vasilit, Oerd Bylykbashit dhe Damian Gjiknurit raportohet për debate të forta, që kanë çuar deri në ndërprerjen e bisedimeve, por që kanë rinisur sërish brenda minutash.

Debati më i fortë është ai i zhvilluar mes Petrit Vasilit dhe Damian Gjiknurit, për shkak se mazhoranca shprehet se çështjet për të cilat kanë rënë dakord që në muajin Mars, nuk mund të shtohen me kalimin e ditëve. Një nga pikat më të nxehta të diskutimit mes palëve është qeveria kujdestare, 6 muaj para zgjedhjeve që kërkohet me ngulm nga ana e opozitës, por që nuk pranohet nga mazhoranca socialiste.

Kjo situatë e nderë mes palëve u paralajmërua që në nisje të kësaj mbledhje, ku përfaqësuesit e opozitës thanë se Rama po merr peng Reformën, pasi marrëveshja e nisur në Janar, ishte e ndryshme nga ajo që ka deklaruar kreu i qeverisë në media. Rama tha se, e gjithë Reforma Zgjedhore do të bazohet në rekomandimet e OSBE-OHDIR, ndërsa opozita këmbëngul se gjatë rrugës kanë dalë çështje të reja, siç është dhe ajo e qeverisë kujdestare, që është një propozim i palëkundshëm nga ana e tyre.

Kujtojmë se që në krijimin e Këshillit Politik, të dakordësuar nga të gjitha palët, u tha se puna e kësaj strukture që do të asistohet nga përfaqësues të OSBE/ODIHR-it do të përqendrohet tek objekti i Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, pra rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, ndryshe nga pretendimet e tanishme të opozitës jashtë parlamentare.

Mëngjesin e sotëm u publikua dhe email-i që Vasili kishte drejtuar ndaj anëtarëve të Këshillit Politik, ku thuhej: “Është e qartë se ky qendrim publik i kryeministrit është një provokim i rëndë për Këshillin Politik, që minon frymën e konsensusit. Këshilli politik nuk është as zyrë dhe as paradhomë e kryeministrit. Ky kryeministër me rekorde tepër të rënda në manipulimin dhe kriminalizimin e zgjedhjeve në Shqipëri nuk ka asnjë interes për të mbështetur propozimet e opozitës, që pastrojnë zgjedhjet nga shitblerja dhe kriminalizimi. Nuk mendoj se OSBE – ODIHR janë noterizuesit e propozimeve të njëanshme provokative dhe antikosensuale të Kryeministrit”, thuhet në komunikimin elektronik që ne kemi siguruar.

“Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në Këshillin Politik, pas deklarimeve të kryeministrit kryetar partie të tij, është tashmë në kushtet e pamundësisë së plotë të negociimit dhe të mungesës së plotë të besimit e të sinqeritetit politik për të ndërtuar konsensus.Pa qartësuar në nivel politik një situatë të tillë, vazhdimi në këto kushte i punës së Këshillit Politik do të ishte vetëm një peëmbushje e skenarit të Kryeministrit për zvarritjen e procesit të reformës zgjedhore, me qëllim fitimin e kohës dhe vendosjes përpara faktit të kryer e votimit të njëanshëm të kësaj reforme.”- thuhet në emailin e dërguar nga Petrit Vasili për anëtarët e Këshillit Politik.

Artikulli paraprakKush është drejtori i Bankës që i vôdhi 30 mijë dollarë klientit nga llogaria
Artikulli tjetërZyrtare/ FSHF vendos kur do të rifillojë kampionati