DEA amerikane përjashtoi Tahirin nga hetimi për baronin e drogës, Balilaj

Për shkak të lidhjeve të drejtpërdrejta me atë që u quajt nga mediat dhe “CNN” si “Eskobari i Ballkanit”, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u përjashtua nga aksioni ndërkombëtar, i organizuar nga policia greke, DEA amerikane dhe polici të vendeve të tjera të BE-së për kapjen e Klement Balilit. Më pak se dy muaj më parë, autoritetet greke njoftoi policinë dhe Prokurorinë shqiptare se një shtetas me emrin “Keli” ishte kreu i një organizate trafiku droge, me shtrirje në disa vende të Europës.   Ndërkohë, një javë nga operacioni me 15 të arrestuar në Greqi dhe dy shqiptarë të prangosur në Belgjikë si pjesë e të njëjtit rrjet, në Shqipëri nuk ka asnjë të dhënë rreth të dyshuarve si krerë të grupit të narkotrafikut. Lidhjet e forta politike të Klement Balilit, të theksuara nga “CNN” grek, mund të jetë një nga arsyet përse DEA dhe Prokuroria greke përjashtuan nga hetimet dhe finalizimi i operacionit palën shqiptare. Edhe pse fillimisht pala shqiptare kishte bashkëpunim me atë greke në hetimin e këtij grupi, në përfundim gjithçka ndryshoi. Tashmë nuk ka më asnjë dyshim se Prokuroria dhe policia shqiptare janë përjashtuar nga hetimi i këtij rrjeti, pasi nuk e kanë justifikuar besimin e DEA-s dhe Prokurorisë greke. Faktet e deritanishme e konfirmojnë këtë gjë, duke hedhur dyshime të forta për rolin e vërtetë të institucioneve të hetimit shqiptar. Ndërkohë në mars të këtij viti, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka regjistruar procedimin nr. 44 për akuzën e trafikut të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim. Informacioni për këtë procedim Prokurorisë i është përcjellë nga policia, e cila kishte marrë të dhëna nga autoritetet greke. Gjatë marsit, autoritetet greke i kishin përcjellë njësisë kundër krimit të organizuar në Policinë e Shtetit të dhëna rreth një shtetasi shqiptar, që dyshohej si drejtues i një rrjeti narkotrafiku, me shtrirje në disa vende të Europës. Bëhet fjalë për një shtetas shqiptar me emrin “Keli”, i cili jetonte në Jug të Shqipërisë dhe përdorte një numër grek. Menjëherë policia është vënë në lëvizje dhe me autorizimin e Prokurorisë ka nisur punën për identifikimin e shtetasit Keli, i cili sipas dokumenteve të Prokurorisë greke rezulton të jetë Klement Balili, deri para pak ditësh drejtor i Transporteve në qytetin e Sarandës. Policia ka hasur vështirësi në përgjimin e numrit grek që përdorte Balili, por ka vënë në përgjim numrin e tij shqiptar, si dhe ka mbajtur në vëzhgim të dyshuarin. Të dhënat rreth identitetit të tij i janë përcjellë Prokurorisë greke, e cila në bashkëpunim me zyrën e DEA-s në Athinë kishte mundur të identifikonte pjesën tjetër të grupit.

PD: Tahiri të largohet nga detyra

Sekretari i Përgjithshëm në Partinë Demokratike, Arben Ristani ndërsa solli në vëmendje faktin e përjashtimit të Tahirit nga aksioni i autoriteteve greke theksoi krijimin e lehtësirave nga ana e tij dhe Ramës në mënyrë që Balili të arratisej nga Shqipëria pa lënë asnjë gjurmë.   “Është dita e katërt e arratisjes së Klement Balilajt i akuzuar si një prej krerëve të trafikut ndërkombëtar të drogës, ndërkohë që paturpësisht Tahiri doli e foli për suksese. Tahiri ishte përjashtuar nga ky aksion ndërkombëtar, i organizuar nga policia greke, nga DEA amerikane dhe polici të vendeve të tjera të BE-së, për shkak të lidhjeje të drejtpërdrejta me atë që u quajt nga mediat dhe ‘CNN’ si Eskobari i Ballkanit. E megjithatë Tahiri, Rama dhe krerët e tyre të policisë u bënë pjesë e këtij aksioni duke e dëmtuar atë, duke ndihmuar njeriun e tyre, Klement Balili, t’i shpëtojë kërkimit, duke e ndihmuar të arratiset”, u shpreh Ristani.
“Qëndrimet kontradiktore të policisë, për hetimin e organizatës kriminale tregojnë se ata janë komprometuar për shkak të lidhjeve të Balilajve me drejtues të lartë politikë në vend, me Tahirin në veçanti. Ndërkohë që policia greke ka nxjerrë urdhër ndalimi duke përmendur me emër dhe mbiemër, Klement Balilajn, i njohur me pseudonimin Keli, si një prej krerëve të trafikut ndërkombëtar të drogës, policia shqiptare nuk e di nëse ky person është apo jo nën hetim. Ndonëse pjesa më e madhe e anëtarëve të organizatës janë arrestuar, Policia e Shtetit nuk ka bërë asnjë prej atyre deklaratave zyrtare të saj, ku ajo mburret për gjoja suksese në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, siç vrapoi ta quante në fillim të publikimit të të dhënave”, tha Ristani.
“Dhe e gjitha kjo ka vetëm një shpjegim. Autoritetet shqiptare janë përjashtuar nga hetimi pasi janë vërtetuar lidhjet e Balilajt me politikanë të lartë dhe është vërtetuar mbrojtja që i japin atij drejtuesit e Policisë së Shtetit në trafikun e drogës. Lidhja dhe mbrojtja që Klement Balilaj ka quhet Saimir Tahiri. Është ky ministër, i njohur si mburojë e trafikantëve dhe e krimit prej tre vitesh, nga Viluni te Habilajt, nga Durim Bami te Shullazi, nga Marku te Arben Frroku, e së fundmi tek Eskobari Balili. Lidhjet e Saimir Tahirit me bandat kriminale dhe organizatat e narkotrafikut janë tashmë të njohura edhe nga partnerët tanë europianë dhe amerikanë. Është emergjente që ai të largohet një orë e më parë nga detyra, e një hetim i plotë e i gjithanshëm të nisë për lidhjet e tij kriminale”, bëri të ditur ndër të tjera sekretari i Përgjithshëm në PD, Ristani.
Arben Shahini

Darkat e shefave të komisariatit me Klement e Rigers Balilin

Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar dje denoncimet e tre qytetarëve dixhitalë të cilët faktojnë “urdhrin e Saje Qorrit për Klement Balilin për t’u larguar nga Shqipëria. Lidhjet e ngushta të Eskobarit me drejtuesit e policisë së jugut dhe kryetarin e Bashkisë Delvinë. Përcjelljen nga Policia e Sarandës të skafit me drogë që u kap në Greqi”.
“Mirëmëngjesi Doktor, urdhrin e Tahirit, Klement Balili për t’u larguar nga Shqipëria e ka marrë direkt nga shefi i Komisariatit të Sarandës. Po kështu kushërinjtë e Saimir Tahirit janë të lidhur ngushtë me Klement dhe Rigers Balilin, të cilët ka qenë tek ‘Santa Kuaranta’ mbas datës 8 maj, një ditë më mbrapa kapjes së skafit me kanabis në Greqi. Gjithashtu, shefi i Komisariatit të Sarandës, shefi i Komisariatit të Delvinës dhe shefi i Komisariatit të Kufirit Sarandë, kjo treshe darkonin së bashku me K.B., dhe kryetarin e Bashkisë Delvinë çdo natë tek kompleksi ‘Santa Kuaranta’, ai dhe vëllezërit e tij, u njoftuan nga këta shefa dhe nga kushërinjtë e Tahirit për kontroll nga policia”.
“Përshëndetje Doktor, në këtë trafik droge është i përfshirë edhe nipi i Klemend Balilit, kryetari aktual i Bashkisë Delvinë, i cili ka pasur pjesën e tij në ngarkesën e kapur nga policia greke para një jave, kryetari i bashkisë Rigers Balili, e bën këtë profesion (trafik droge) kur ka kryer detyrën e përmbaruesit në qytetin e Gjirokastrës, ku shkonte e blente dhe e paketonte vetë në Lazarat. Kjo verifikohet nëse pyet banorët e këtij fshati dhe për përfshirjen e tij në këtë trafik me shtetin e Holandës, t’i verifikojnë tabulatet e numrave të telefonit dhe në ngarkesën e fundit e kapur në Greqi ka pasur pjesën e vet së bashku me xhaxhanë e tij tashmë i arratisur”.
“Përshëndetje Doktor, mund t’ju them një info lidhur me të dyshuarin Klemend Balili, se një ditë para se skafi me drogë të ndalohej nga policia greke, ky skaf ka kaluar para Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, afër portit. Kjo mund të verifikohet nga kamerat e këtij komisariati, skafi shkoi drejt plazhit Era, në lagjen Kodër të Sarandës, e rimorkuar nga një makinë e tipit ‘Renxh’, me shofër një i afërm i tyre dhe nga ky plazh niset të nesërmen drejt Greqisë, i cili u ndalua nga policia greke”.

“CNN”: Brenda 48 orëve në Tiranë urdhër arresti ndërkombëtar për Balilin

Brenda 48 orëve pritet të mbërrijë në Shqipëri urdhër arresti ndërkombëtar për Klemend Balilin. Kështu bëri të ditur dje “CNN” grek, duke iu referuar burimeve nga hetuesit e dosjes për organizatën kriminale që bënte trafik ndërkombëtar të drogës. Sipas “CNN” urdhri i arrestit ndërkombëtar i lëshuar nga autoritetet greke do të shpërndahet në të gjithë Evropën, ndërsa dosja e plotë hetimore ndaj biznesmenit nga Saranda do të jetë në duart e palës shqiptare në ditët e ardhshme.
Dyshohet që Klemend Balili të ketë llogari bankare në së paku 10 vende të Evropës, prandaj hetimet do të fokusohen edhe në këtë drejtim.
Mediat greke e cilësuan Balilin si “Eskobarin e Ballkanit”, pasi ai sipas dosjes hetimore të autoriteteve greke dhe amerikane, rezulton si financuesi kryesor i rrjetit kriminal që çonte drogë në shumë vende të Evropës. Po pavarësisht se urdhër arresti ndërkombëtar do të jetë në duart e palës shqiptare, tashmë prej 4 ditësh Klemend Balili rezulton i zhdukur.
Dyshohet se ai është larguar për në Kolumbi, ndërsa autoritetet shqiptare kanë heshtur që prej fillimit, duke faktuar pretendimet e palës greke se ky njeri nuk mund të preket për shkak të lidhjeve të tij të fuqishme politike në Tiranë.

Artikulli paraprakPS nuk pranon që të dëgjohen Llalla dhe Ajazi
Artikulli tjetërShukriu fshihej në Tiranë kur u arrestua nga Prokuroria