“De Telegraaf”: Transfertat “sekret shtetëror” të krimit shqiptar në Holandë

Një artikull i para pak ditëve i gazetës holandeze “De Telegraaf” bëri publik raportin e policisë holandeze, i cili rekomandon vendosjen e regjimit të vizave mes Shqipërisë dhe Holandës, si një teknikë për të kontrolluar hyrjen e kriminelëve shqiptarë dhe qendrimin e tyre në vend.
Bazuar në artikullin e “De Telegraaf”, 11 deputetë të Parlamentit holandez i kanë dërguar 12 pyetje zyrtare Ministrisë së Sigurisë dhe Drejtësisë të Holandës rreth vendosjes së sistemit të vizave për qytetarët shqiptarë.
Parlamentarët kërkojnë të konfirmohen të dhënat e përmendura në memon e Policisë dhe Prokurorisë holandeze mbi rritjen e shpejtë të aktivitetit kriminal të shqiptarëve në Holandë.
Më poshtë gjeni artikullin e plotë të publikuar në “De Telegraaf”.
***
Trafiku i përhapur i kriminelëve shqiptarë në Holandë është jashtë kontrollit. Policia dhe Prokuroria këshillojnë qeverinë holandeze të rifusin regjimin e vizave me Shqipërinë. Kjo do të na mundësonte kontroll më të mirë të gjendjes, sepse kriminelët nuk do të hynin më në vend pa u vënë re. “Kjo mund të ishte një mallkim për bandat kriminale”, tha prokurori Jeroen Van Berkel.
Kriminelët shqiptarë kanë përparuar nga korrierë të thjeshtë për grupet e tjera kriminale në drejtues të tregtisë së drogës nga Amerika e Jugut deri në thellësi të kontinentit evropian. Ato përdorin Roterdamin dhe Amsterdamin, si qendra të shpërndarjes.
Këto janë deklaratat alarmante në memon e brendshme të Policisë të marrë nga gazeta “De Telegraaf”. Sipas hetuesve kriminalë natyra dhe përmasat e këtij problemi po përkeqësohen me shpejtësi. Përveç trafikimit të drogave dhe qrnieve njerëzore ka edhe krime të tjera: në qendrën e regjistrimit për transaksione të zakonshme financiare, shumë transferta janë klasifikuar si “sekret shtetëror”.
Raporti i hartuar në fillim të gushtit tregon se arrestimi “aksidental” teksa udhëtonte nën autostradë i një prej kriminelëve më të kërkuar nuk është ngjarje e rrallë. Holanda është një qendër kryesore për aktivitetet kriminale të kriminelëve të kërkuar nga Shqipëria, e cila është gjithashtu vend kandidat për anëtarësimin në BE. Regjimi i vizave u hoq që në vitin 2010.
Policia e Amsterdamit dhe Roterdamit i bien alarmit ngaqë dyshojnë se shqiptarët po marrin një pozicion strategjik në industrinë e hotelerisë, tregtisë dhe shitjen e blerjen e pasurive të patundshme. “Ne nuk duam që pas disa vitesh të themi: oh! ata kanë në pronësi të gjithë bulevardin qendror të Amsterdamit”, u shpreh shefi i hetimeve.
Krimi po rritet me shpejtësi. Në vitin 2016, numri i kriminelëve shqiptarë u dyfishua krahasuar me një vit më parë. Vetëm në Amsterdam, Policia filloi 36 hetime ndaj personave shqipfolës. Policia vlerëson se numri i shqiptarëve që hyjnë në Holandë është rreth 6 herë më shumë se ata që regjistrohen zyrtarisht. Kjo sepse turistët kanë të drejtë të udhëtojnë të lirë në zonën Shengen.
“Kur zbatohet regjimi i vizave, ne mund ta monitorojmë kush hyn në vend”, tha Van Berkel.
Qeveria do të bëjë mirë të merret me këtë çështje. Ministria e Sigurisë dhe Drejtësisë ende nuk mund të japë një përgjigje zyrtare, për aq kohë sa raporti nuk është dorëzuar zyrtarisht.

 

Artikulli paraprakBERZH, 73% e shqiptarëve: Ekonomia është përkeqësur
Artikulli tjetërDemalia, Sigurimi i Shtetit dhe dosjet e munxosura