De Maiziere: Turqia duhet të sqarojë kritikat

Presidenti i Turqisë Erdogan ka hedhur poshtë kritikat e vëzhguesve ndërkombëtarë. Ndërsa ministri i Brendshëm gjerman kërkon shpjegime. Problemet me integrimin e turqve në Gjermani.
Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere ka kërkuar nga Turqia që të sqarojë kritikat e vëzhguesve ndërkombëtarë për manipulime në referendum. “Tani duhet të shpjegohet shpejt nëse vërtet votimi ka kaluar në një atmosferë fer dhe të pastër – nëse në Turqi mund të flitet për kushte normale”, tha politikani i CDU, për gazetën “Rheinische Post”.
De Maiziere shpreson se qeveria turke do të jetë “aq e arsyeshme” sa të evitojë përshkallëzimin e mëtutjeshëm të gjendjes, sepse gati gjysma e votuesve ishin kundër ndryshimeve kushtetuese. Duke folur për numrin e madh të votuesve turq në Gjermani, që i thanë “po” ndryshimeve, ministri i Brendshëm tha: “Unë pres që pikërisht turqit që jetojnë në Gjermani të marrin pjesë në një debat konstruktiv për të ardhmen e përbashkët”. “Një përplasje tjetër mes kulturave tona nuk guxon të ketë”.

Özdemir: “Na duhet një ofensivë për integrim”
Kryetari i ekologjistëve Cem Özdemir deklaroi për “Passauer Neuen Presse”, se votimi i turqve në Gjermani e ka tmerruar. “Ne kemi nevojë për një ofensivë për integrim më të mirë”, theksoi ai. Tani po na hakmerren lëshimet e CDU-së dhe SPD-së nga vitet e kaluara, mendon ai. Özdemir ka kërkuar në një deklaratë për gazetën “Bild” nga turqit që jetojnë në Gjermani që të deklarohen për vlerat e vendit ku jetojnë. “Njeriu duhet të respektojë vlerat dhe Kushtetutën e vendit tonë ku jetojmë, nëse duam të jemi të lumtur këtu”.
Komisioni zgjedhor në Turqi ka konstatuar se 63,1% e votuesve turq në Gjermani kanë votuar për ndryshimet kushtetuese, ndërkohë që numri i përgjithshëm ishte 51,4%. Kjo do të thotë se në Gjermani ka qenë përqindja shumë më e madhe e atyre që kanë mbështetur Erdoganin. Vëzhguesit e OSBE-së kanë shprehur rezerva ndaj votimit, për shkak të parregullësive të shumta gjatë procesit zgjedhor. Të njëjtat kritika janë dëgjuar edhe nga Këshilli i Evropës. Vëzhguesit kanë kritikuar Erdoganin për “keqpërdorimin e resurseve shtetërore”.
Ndërsa Erdogan i ka quajtur “jo serioze kritikat dhe raportet e vëzhguesve”. “Vendi ka pasur votim demokratik më të mirë se në të gjitha vendet e tjera perëndimore”, tha ai.

Artikulli paraprakMike Pence: Në tryezë plan lufte ndaj Kim Jong
Artikulli tjetërKosova në zgjedhje?