De Bur qan hallin e ndihmësve të tij

Frank De Bur ka refuzuar oferta të njëpasnjëshme për të marrë drejtimin e skuadrave të ndryshme, disa prej tyre shumë prestigjioze. Trajneri holandez ka pranuar se nuk ka kaluar ende mërzinë e largimit nga drejtimi i Interit, që rezultoi një zgjedhje plotësisht e dështuar e tij dhe klubit zikaltër.
Por më shumë se për veten, ai duket i mërzitur për ndihmësit e tij, të cilët sigurisht nuk janë po aq të paguar sa trajnerët.
“Dy ditë pas shkarkimit tim kishte ndonjë klub që kontaktoi Guide Albes, menaxherin tim. Por në atë moment nuk kisha asnjë dëshirë që të kthehesha në drejtim. Shumë klube bënë propozime edhe para se të shkoja në Itali, por Interi është një klub i njohur ndërkombëtar dhe një shoqëri e madhe”, shpjegoi De Bur për “Fox Sports”.
“Unë personalisht kam zhgënjyer njerëzit, të cilët ndërmorën këtë udhëtim me mua. Kështu e ndjej këtë situatë. Trajneri fiton më shumë dhe merr pjesën më të madhe të nderimeve, por asistentët janë ata që japin gjithçka për të. Pastaj pas 85 ditësh u detyruan të bënin gati valixhet. Është një kokëçarje se të duhet të ndërrosh shtëpi, etj. Kjo më bën të ndjej më shumë trishtim”, deklaroi holandezi i cili me sa duket do të mendohet mirë para se të zgjedhë aventurën e radhës për karrierën e tij.

Artikulli paraprakMilan-Inter, derbi edhe në merkato
Artikulli tjetërUEFA publikon skuadrën më të mirë të vitit 2016