Daut Haradinaj nuk ka bërë thirrje për spastrim etnik në Kosovë

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, tha se ai nuk ka bërë asnjëherë thirrje për spastrim etnik në Kosovë, por vetëm ka ngritur alarmin për provokimet e Serbisë ndaj Kosovës. Daut Haradinaj – vëllai i Ramush Haradinajt që po mbahet në Francë nga autoritetet franceze bazuar në një urdhërarrest të Serbisë – ditë më parë në një emision televiziv në “RTV Dukagjini”, duke komentuar mundësinë e ekstradimit të Ramush Haradinajt në Serbi, tha se “në rast se gabojnë dhe bëjnë kësi veprime, atëherë të bëhen gati për tema më serioze. Nëse e duan Kosovën etnikisht pa serbë, atëherë le të bëjnë hajgare”.

Reagimet të ashpra
Menjëherë pas kësaj deklarate pasuan reagimet e shumta të përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe udhëheqësve të institucioneve të Kosovës. Deputeti Daut Haradinaj, sqaroi dje deklaratën e tij para Parlamentit të Kosovës, duke thënë se “ishte keqinterpretuar” për deklaratën e dhënë ditë më parë në lidhje me reagimet që mund të pasojnë nëse Ramush Haradinaj ekstradohet nga Franca në Serbi.
“U bëj thirrje të gjithë atyre që e kanë interpretuar dhe e kanë kapur për bishti një deklaratë timen, se asnjëherë nuk kam thënë se do të ketë spastrim etnik. Por në rast se mendojnë që përmes një njeriu ose me transferimin e tij në Beograd do të arrijnë qëllimet e veta, atëherë duhet t’ia venë gishtin kokës dhe të kenë kujdes”. “Ata po duan të tentojnë ta spastrojnë Kosovën. Beogradi zyrtar donte ta spastronte Kosovën etnikisht, jo Daut Haradinaj, jo shqiptarët. E nëse duan të luajnë me zjarr puna e mbarë u qoftë”, sqaroi të martën deputeti Daut Haradinaj.

Beogradi do të destabilizojë Kosovën
“Ata që sot po krekosen për serbët e Kosovës është mirë të na tregojnë neve hapur se si ndodhi vrasja e pandave në Pejë, e fëmijëve të Pejës, për t’i fajësuar shqiptarët e Kosovës. Unë kam folur dhe e përsëris edhe një herë që të kihet kujdes se nuk luhet më me kombin tonë”, u shpreh Daut Haradinaj, duke qenë i bindur siç tha se me ndalimin e Ramush Haradinajt, po mundohet të destabilizohet Kosova. “Këtë duhet ta dinë edhe përfaqësuesit diplomatikë se po e mbajnë një njeri peng për qëllime të caktuara dhe e kanë shumë gabim”.
Komenti i deputetit Daut Haradinaj, lidhur me mundësinë e ekstradimit të Ramush Haradinajt në Serbi, se “në rast se gabojnë dhe bëjnë kësi veprime, atëherë të bëhen gati për tema më serioze – nëse e duan Kosovën etnikisht pa serbë, atëherë le të bëjnë hajgare”, pasoi me reagime të shumta nga përfaqësues vendorë dhe ndërkombëtarë në Kosovë.

Ndërkombëtarët kundër deklaratës
Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Zahir Tanin, në një komunikatë të lëshuar për mediat tha se, “deklarata e kësaj fundjave e një deputeti të Parlamentit të Kosovës, që përdori gjuhën e urrejtjes duke kërcënuar me spastrim etnik, është e papranueshme dhe shkakton shqetësime serioze”. Ai u bëri thirrje të gjithë udhëheqësve të përgjegjshëm “që të dënojnë këtë deklaratë dhe autoritetet e drejtësisë të hetojnë dhe të marrin veprime në pajtim me ligjin”.
Edhe zyra e Bashkimit Evropian, përmes një postimi në rrjetin social, tha se “dënon deklaratat kërcënuese ndaj komuniteteve dhe etnive të tjera. Ato nxisin gjuhën e urrejtjes te pakicat, pengojnë pajtimin, si dhe dialogun”. Më herët gjatë fundjavës, pati reaguar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, duke thënë se “kjo është një gjuhë e rrezikshme dhe nuk ka vend në Evropë”.

Thaçi kundër kërcënimeve me hakmarrje
“Për institucionet dhe popullin e Kosovës, deklaratat kërcënuese ndaj etnive të tjera joshqiptare, nxisin mllef, urrejtje dhe hakmarrje, duke na kthyer në të kaluarën e hidhur. Për më tepër, bllokojnë dialogun për normalizim të marrëdhënieve, vënë në pikëpyetje pajtimin e domosdoshëm dhe perspektivën e Kosovës evropiane dhe shumetnike. Nuk kemi lejuar një gjë të tillë as gjatë luftës dhe nuk do të lejojmë që të ndodhë as tani, sepse askush nuk e dëshiron”, u shpreh Presidenti Thaçi.
Ramush Haradinaj është arrestuar më 4 janar në Basel nga autoritetet franceze. Ai po mbahet në burg sipas një fletarresti të Serbisë, e cila e ngarkon ish-kryeministrin e Kosovës me krime lufte. Gjykata e Apelit në Colmar do të vendosë lidhur me kërkesën e Serbisë për ekstradimin e Haradinajt në Serbi më 27 prill.

Artikulli paraprakTurqi, shpërthimi në Dijarbakir ishte sulm terrorist
Artikulli tjetërBritania dhe iluzionet perandorake