Daul-Bashës: PPE mbështetje të fuqishme PD si alternativë qeverisëse

Partitë Popullore Europiane ndajnë të njëjtin shqetësim të opozitës në lidhje me situatën dramatike që po kalon vendi ku pushteti është i lidhur tërësisht me krimin e drogën, ndërsa mbështesin Partinë Demokratike si të vetmen alternativë qeverisëse për shqiptarët.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua në Bruksel me Presidentin e Partisë Popullore Europiane, Joseph Daul. Pozita e vështirë në të cilën qeveria e ka vënë Shqipërinë dhe integrimin e saj europian, ishte tema kryesore e takimit.
Kryetari i opozitës ndau me Presidentin e PPE, shqetësimin se mbrojtja politike, përmes imunitetit parlamentar, e ish-ministrit të Brendshëm Tahiri, i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, dështimi i policisë për të arrestuar tre ish-drejtues të lartë të saj për të njëjtën dosje droge, si dhe përpjekja për të emëruar një Prokuror të Përgjithshëm vetëm me votat e PS, janë veprime të qeverisë për të penguar drejtësinë dhe që minojnë shanset e vendit për integrim europian.
Kryetari Basha e falenderoi Presidentin e PPE-së, Joseph Daul si një nga zërat e parë të Europës që denoncoi kriminalizimin dhe fenomenimin e kanabizimit të Shqipërisë. Presidenti Daul i garantoi Lulzim Bashës mbështetje të plotë të PPE-së për Partinë Demokratike si alternativë qeverisëse.
Me Presidentin Daul u bisedua edhe rreth shqetësimit të shumë vendeve anëtare të Bashkimit Europian në drejtim të hapave që vendi ynë duhet të ndërmarrë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Rezultatet në luftën kundër krimit, drogës dhe korrupsionit konsiderohen si kushte të patejkalueshme për integrimin europian të Shqipërisë.
Kreu i PD tha se, interesi më i mirë i shqiptarëve është nisja e bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Kërcënimi dhe pengesa kryesore mbetet kriminalizimi i politikës dhe ekonomisë së vendit.
Për të avancuar projektin europian të vendit, opozita ka parashtruar si zgjidhje politike krijimin e një qeverie antimafia, që do të shkëpusë lidhjet e krimit me politikën, do të përgatisë një reformë të vërtetë zgjedhore dhe do ta çojë vendin me sukses drejt një qeverie legjitime përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Në një postim të tij në lidhje me këtë takim, Basha shpreh mirënjohjen ndaj Kryetarit Daul dhe Popullorëve Europianë për mbështetjen ndaj Partisë Demokratike dhe Shqipërisë si dhe rolin e luajtur prej tyre në shqetësimet e ngritura për forcimin e pushtetit të drogës dhe krimit në pushtet.
“Takova në Bruksel Presidentin e Partisë Popullore Europiane, Joseph Daul. Pozita e vështirë në të cilën qeveria e ka vënë Shqipërinë dhe integrimin e saj europian, ishte tema kryesore e takimit.
Falenderova Presidentin Daul si një nga zërat e parë të Europës që denoncoi kriminalizimin dhe fenomenimin e kanabizimit të Shqipërisë. Zoti Daul garantoi mbështetje të plotë të PPE-së për Partinë Demokratike si alternativë qeverisëse”.

Artikulli paraprakMë 28 nëntor 1944, Shqipëria – nga një pushtim i vjetër në një pushtim të ri!
Artikulli tjetërSpanja tërheq urdhërarrestin për Puigdemontin