Data e zgjedhjeve ndryshim me ligj dhe jo me Kushtetutë

Oerd BYLYKBASHI

Shpjegim i thjeshtuar për Kryeministrin dhe ndonjë analist për datën e zgjedhjeve. Dëgjova mbrëmë një analist që fliste me “kompetencë” se Kushtetuta nuk lejon ndryshimin e datës së zgjedhjeve dhe binte dakord me Kryeministrin që e refuzonte ndryshimin e datës së zgjedhjeve. Më vinte për të qeshur sepse bashkë me një koleg i kemi shkruar këto dispozita të Kushtetutës më 2008. Le ta mbyllim njëherë e mirë këtë argument qesharak.
Kushtetuta nuk cakton asnjë datë për zhvillimin e zgjedhjeve. Kushtetuta përcakton rregullin që llogarit vetëm fundin e mandatit, e cila është data 9 shtator 2017 (Kushtetuta neni 65, pika 1). Kushtetuta përcakton se zgjedhjet zhvillohen në periudhën zgjedhore që i paraprin fundit të mandatit, pra që i paraprin 9 shtatorit. Kushtetuta përcakton se periudha zgjedhore përcaktohet nga Kodi Zgjedhor. (Kushtetuta neni 65, pika 2). Pra, e vetmja gjë që detyron Kushtetuta është që data e zgjedhjeve të caktohet para fundit të mandatit. Pikë!
Periudhat zgjedhore në Kodin Zgjedhor (pra, në ligj dhe jo në Kushtetutë) janë dy: e pranverës 15 mars-30 qershor dhe e vjeshtës 15 shtator-30 nëntor. Presidenti mund të caktonte datën në një nga dy të dielat e fundit të periudhës zgjedhore që i paraprin 9 shtatorit (Kodi Zgjedhor nenet 8 dhe 9), pra ose 18 ose 25 korrik 2017. Presidenti zgjodhi datën 18 qershor. Pra, data është thjesht ligjore dhe jo kushtetuese.
Nëse Kodi do të caktonte një periudhë tjetër para 9 shtatorit, data do të ishte një tjetër dhe jo 18 qershori. Nëse Parlamenti vendos që për këto zgjedhje apo gjithmonë, periudha e zgjedhjeve të jetë një periudhë tjetër, mund ta ndryshojë Kodin tani me vetëm 84 vota dhe pa ndryshuar Kushtetutën. Dhe Parlamenti mund të caktojë çdo të dielë deri më 3 shtator (sepse 3 shtatori është e diela e fundit para datës 9 shtator) si datë të zgjedhjeve, vetëm duke ndryshuar ligjin pa patur nevojë të ndryshojë Kushtetutën.
A mund të zhvillohen zgjedhjet pas datës 9 shtator? Po! Mjafton një dispozitë tranzitore e thjeshtë në Kushtetutë që është shumë më pak e shëmtuar se ai aneksi i tmerrshëm që u miratua për reformën në drejtësi që nuk e ka asnjë Kushtetutë e botës.
Kur deshi Rama të shtynte zgjedhjet me sebepin e çertifikatave, më 2007, Kodi u ndryshua për të shtyrë datën e zgjedhjeve. Zgjedhjet ishin dekretuar për datën 20 janar 2007, më datë 13 janar u ndryshua ligji që detyronte presidentin të dekretonte një datë të re jo më vonë se 20 shkurt 2007. Presidenti i dekretoi për datën 18 shkurt 2007. Nëse nuk e mbani mend, shihni këtë foto. Ndërsa Kryeministri dhe analisti të lexojnë nenet më sipër dhe Kodin Zgjedhor.

Artikulli paraprak10 tendera mbi 15 miliardë lekë nga bashkitë e Ramës në vetëm një muaj
Artikulli tjetërReal Madrid kërkon Boateng