DASH: E ardhmja e Zimbabves duhet të vendoset nga populli

Presidenti prej një kohe të gjatë i Zimbabves, Robert Mugabe, nuk e respektoi afatin e caktuar për të hënën, për largimin nga posti. Tani ai përballet me një proces ligjor për shkarkimin e tij. Të dielën, ai deklaroi në televizion, se nuk kishte ndër mend të jepte dorëheqjen.
Miliona vetë e ndoqën fjalimin e zotit Mugabe në televizion dhe në radio, me shpresën për të festuar fundin e sundimit të tij autokratik 37-vjeçar.
Njerëzit u zhgënjyen, disa madje shpërthyen në lot, kur dëgjuan deklaratën e zotit Mugabe, se do të drejtojë Kongresin e Partisë së tij ZANU-PF muajin e ardhshëm.
Ai nuk e përmendi fare dorëheqjen dhe as e mori seriozisht çështjen e ndërhyrjes ushtarake për zgjidhjen e krizës politike.
Në Uashington, një zyrtar i Deparatmentit të Shtetit tha se, “ardhmja e Zimbabves duhet të përcaktohet dhe vendoset nga populli” dhe se Shtetet e Bashkuara mbështetin tranzicionin e vendit drejt demokracisë.
Zyrtari i tha “Zërit të Amerikës” se, “cilado qoftë marrëveshja afatshkurtër e qeverisë, e ardhmja duhet të sjellë zgjedhje të lira dhe të drejta, që populli i Zimbabves, të gëzojë lirinë e grumbullimit dhe të shprehë opinionet e veta pa patur frikë, si dhe t’i zgjedhë vetë udhëheqësit e vet”.
Një analist në kryeqytetin e Zimbavesë, Harare tha se refuzimi i zotit Mugabe për të dhënë dorëheqjen është lëvizja e tij e fundit.
“Ky është një refuzim për t’i dhënë legjitimitet pasardhësit të tij dhe një përpjekje për të krijuar një situatë në të cilën ai detyrohet të largohet dhe pastaj të heqë çdo pretendim se ajo që ka ndodhur nuk është një përpjekje për grusht shteti. Ai shpreson të marrë mbështetje rajonale dhe nga Bashkimi Afrikan, sepse Bashkimi Afrikan ka dispozita të qarta sipas të cilave ata nuk tolerojnë grushtshtete në asnjë vend afrikan”, thotë Derek Matyszak nga Instituti i Studimeve për Sigurinë.
Mugabe udhëhoqi përpjekjet e Zimbabvesë për pavarësi nga Britania, por që kur u bë udhëheqës i vendit më 1980, ai e bëri atë një nga vendet më të varfëra në botë. Udhëheqja e tij është përfshirë nga autoritarizmi dhe nga korrupsioni.
Lufta e tij e pamëshirshme për të mbajtur pushtetin përfundimisht çoi në konflikte brenda partisë së tij. Kriza e fundit politike në Zimbabve shpërtheu rreth dy javë më parë, pasi Mugabe shkarkoi zëvendësin e tij dhe ish-aleatin Mnangagwa në atë që shihet si një përpjekje për të mbështetur ambiciet politike të bashkëshortes së tij.
Disa anëtarë të partisë në pushtet thonë se fillimi i procedurës së shkarkimit nuk do të çojë në dorëheqjen e menjëhershme të zotit Mugabe dhe mund të kërkojë disa ditë për të përfunduar.

Artikulli paraprakPresidenti Steinmeier u kujton partive thelbin e politikës
Artikulli tjetërKosovë, fitorja e Listës Serbe rikonfirmon ndikimin e Beogradit