Dalja e Ronaldos, masë paraprake

Deri në fund të sezonit në Kampionatin Spanjoll mbeten edhe 4 javë dhe Reali i Madridit do të kërkojë të luftojë deri në fund për të zbritur nga vendi i parë Barcelonën. Në ndeshjet e mesjavës tre skuadrat kryesuese arritën të dilnin fitimtare, duke mos e ndryshuar situatën në klasifikim dhe në rast se katalanasit dhe Atletico do ta mbyllin sezonin me të njëjtën kuotë pikësh, atëherë titulli do të shkonte për skuadrën e Luis Enriques, që ka dominuar në përballjet direkte. Nga përplasja mes dy kryesuesve shpreson të përfitojë skuadra “Los Blancos”, që pas suksesit 3-0 ndaj Villarreal duhet të bëjë llogaritë me një problem serioz, dëmtimin e Cristiano Ronaldos. Dukshëm i shqetësuar, portugezi u largua nga fusha e lojës pak përpara fundit të ndeshjes dhe mimika e fytyrës së numrit 7 nuk premtonte asgjë të mirë për Zinedine Zidane.
Gjithsesi, trajneri i skuadrës madrilene siguron tifozët, duke theksuar se dalja nga fusha ishte një masë paraprake për të mos rënduar situatën. “Një lojtar si ai e ka të nevojshme që ndonjëherë të mos e mbyllë ndeshjen deri në fund edhe pse Cristiano dëshiron të mos largohet asnjëherë. Për mua është një çështje shumë e vështirë, por nëse kishte probleme ishte e drejtë që të largohej pa mbaruar ndeshja. Tani duhet të presim me qetësi dhe të vlerësojmë situatën”, deklaroi Zidane, i cili nuk mund të flasë më shumë për shkallën e dëmtimit të sulmuesit luzitan.
Mjekët e klubit janë vënë në lëvizje për t’i dhënë një përgjigje sa më të shpejtë, pasi aktualisht lojtari duhet t’iu nënshtrohet analizave më të detajuara. Pas dhimbjeve që ndjeu në gju, fillimisht lojtari iu nënshtrua testeve ekografike, por një përgjigje e saktë do të merret të premten pas rezonancës magnetike. Në Madrid janë në pritje të Ronaldos, pasi 6 ndeshjet e ardhshme janë vendimtare për fatet e këtij sezoni dhe pa Ronaldon në fushë misioni titull dhe Champions do të bëhej shumë i vështirë.

Artikulli paraprakRafa ishte trashaluq
Artikulli tjetërObama dhe vendet e Gjirit Persik debatojnë për Lindjen e Mesme