Coronavirus/ Studentja Silva Doçi evakuohet nga Wuhan

Ministria e Jashtme ka sqaruar sot procedurën e ndjekur për finalizimin me sukses të largimit nga Wuhan të studentes shqiptare Silva Doçi, e cila mbeti e izoluar brenda ambienteve të kampusit universitar në këtë qytet, pas masave të marra për izolimin e tij në 23 janar 2020.

MEPJ duke e ndjekur me prioritet çështjen e studentes shqiptare, në kushtet e vështira kur askush nuk mund të hynte apo dilte në Wuhan, prej ditësh ka qenë në kontakte me palën turke, duke i paraqitur kërkesën zyrtare për të përfshirë edhe studenten shqiptare në operacionin e largimit të ndërmarrë për shtetasit turq që jetonin në Wuhan.

“Në vijim të komunikimeve, pala turke u dakordësua që studentja Silva Doçi të udhëtojë në avionin ambulant turk.

Pas përfundimit të procedurave zyrtare me autoritetet kineze për lejimin e largimit të tyre nga Wuhan, avioni nga Kina u nis sot drejt aeroportit ushtarak në Ankara.

Studentja shqiptare, Silva Doçi ka kryer të gjitha testet dhe ka dalë negative për virusin nCOV, por udhëtimi i gjatë në një avion me mbi 45 persona të tjerë të evakuuar nga Wuhan, e bën të detyrueshëm qëndrimin e saj në karantinë. Çdo shtetas që del nga provinca Wuhan, është i detyruar t`i nënshtrohet një regjimi mjekësor karantine 14 ditor para se të lëvizë lirshëm”, thuhet në njoftimin zyrtar të MEPJ-së.

Për këtë fazë evakuimi, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme vazhdoi kontaktet e pandërprera me Ministrinë e Jashtme turke, me qëllim vijimin e regjimit të karantinës së studentes shqiptare në Turqi.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme po ndjek dhe do të vazhdojë të ndjekë të gjithë procedurën e evakuimit të studentes shqiptare, deri në mbërritjen e saj pranë familjes në Shqipëri.

Artikulli paraprakMesazhi i Ambasadores së SHBA: Shërbyes publikë, bëni punët tuaja me besnikëri ndaj shtetit ligjor
Artikulli tjetërKapoja është i tmerruar!