Çmimi u rrit, por edhe për dy vite Tirana do jetë pa ujë 24 orë

Një tender prej 75 milionë lekësh është hapur nga UKT me qëllim shërbimin e konsulencës për realizimin e një masterplani strategjik. Pas hyrjes në fuqi të rritjes së çmimit të ujit, faturë që do t’u kushtojë shumëfish qytetarëve të Tiranës aq ta shohin edhe pirjen e ujit të pijshëm si luks, UKT ka nisur menjëherë nisjen e tenderave për të ashtuquajturin “përmirësim” të sistemit të furnizimit me ujë për kryeqytetasit.
Ndonëse UKT vetëm me fondet ekzituese që kishte mund të investonte në një numër të lartë zërash që do të çonin në përmirësimin e rrjetit të furnizimit me ujë të pijshëm. Konkretisht, Shoqëria Ujësjellës-Kanalizime Tiranës do të kontraktojë një kompani konsulente, e cila do të përcaktojë qartë hapat që duhen ndjekur për të arritur objektivat e UKT: Ofrimin e shërbimit të vazhdueshëm 24 orë ujë në ditë për mbi 1 milion banorë; Reduktimin e ujit pa të ardhura si dhe Zhvillimin i performancës së drenazhimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura.
Qesharak është fakti se UKT i vë në dispozicion kompanisë konsulente 2 vite kohë për hartimin e masterplanit që do të përcaktojë hapat e garantimit me 24 orë të ujë të pijshëm për banorët e Tiranës. Pra, për këto dy vite, qytetarët e Tiranës do të paguajnë dyfish çmimin e ujit të pijshëm, megjithëse nuk do ta kenë këtë shërbim ende 24 orë non stop.
Konkretisht, Kompania fituese do të hartojë atë që quhet “Masterplani” i zhvillimit teknik dhe strategjik të furnizimit me ujë dhe rrjetit të kanalizimeve për qytetin e Tiranës. UKT ka caktuar një fond maksimal prej 75 milionë lekësh për këtë shërbim, ndërsa ofertat do të mund të dorëzohen deri më 23 gusht 2017.
Kriteret për përzgjedhjen e fituesit do të bëhen në bazë të çmimit dhe propozimit teknik, ku vlerësohen sipas rëndësisë: metodologjia e propozuar, kualifikimet e stafit kryesor të propozuar, përvoja për punë të ngjashme dhe transferimi i njohurive. Masterplani do të realizohet në 2 faza, ku faza e parë do të zgjasë tre muaj dhe përmban hartimin e masterplanit afatmesëm të zhvillimit teknik; ndërsa faza e dytë që do të shtrihet në një periudhë dy-vjeçare ka të bëjë me azhurnimin, monitorimin dhe kontrollin e këtij masterplani.
Plani do të përfshijë, përveç arkitekturës e IT e nevojshme, edhe transformimet e organizimit të punës. Pak kohë më parë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj njoftoi kryerjen e investimeve me vlerë 220 milionë euro në rrjetin e transmetimit dhe shpërndarjes së UKT. Pak ditë më parë, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim vendosi t’i japë Shqipërisë një kredi prej 30 milionë eurosh për këto projekte, me kushtin që 15 milionë euro të jepen pasi UKT të përfundonte studimin për Burimet Strategjike të Ujit.
Ndërkohë nga rritja e çmimit të ujit, Bashkia do të fitojë 38 milionë euro në vit. Në rast se do të bëhet një llogari vjetore, për rreth 84 milionë metra kub ujë në vit që prodhon Bovilla, atëherë rezulton që fitimi neto të jetë rreth 20 milionë euro në vit, ose 2,5 miliardë lekë.
Dhe këtu nuk po futet çmimi i ujërave të përdorura, të cilët kanë një kosto të papërfillshme, por që merret 11 lekë për metër kub. Vetë Veliaj deklaroi se në vitin 2016, Ujësjellësi kish kapur një normë fitimi prej 5 milionë euro.
Ndërkohë me çmimin e ri, i bie që kjo shumë pra fitimi i UKT të shkojë në rreth 38 milionë euro në rast se do mblidhej, pra gati një dyfishim të shumës që do duhej të mblidhte UKT, por që do dalë nga xhepat e qytetarëve.
Rritja e çmimit të ujit me qëllimin e shpallur nga Veliaj për të investuar në furnizimin me ujë vjen në një kohë që Ujësjellës Kanalizime Tiranë rezulton një nga kompanitë më fitimprurëse dhe rentabël në Shqipëri, nga njëra anë dhe nga ana tjetër, ka hapësira për të rritur të ardhurat përmes rekuperimit të detyrimeve të prapambetura. Sipas të dhënave zyrtare, të ardhurat e Ndërmarrjes Ujësjellës Kanalizime, në vitin 2016 ishin 2.95 miliardë lekë (21.5 milionë euro). Konsumatorët familjarë sjellin gati gjysmën e të ardhurave të ujësjellësit. Fitimi i kompanisë, para taksave, ishte 675 milionë lekë, apo gati 5 milionë euro, me një rritje prej 8% në raport me fitimin e vitit 2015. Tre vitet e fundit, sipas bilancit, aktiviteti i Ujësjellës Kanalizimeve ka qenë i qëndrueshëm me një rritje të lehtë të të ardhurave, ndërsa norma e fitimit është përmirësuar.
Në vitin 2016, norma e fitimit ishte 23%, çka nënkupton se për çdo 100 lekë të ardhura, 23 ishin fitime (para taksave). Në vitin 2014, norma e fitimit ishte 18%. Sipas bilancit të detajuar të vitit 2015, shpenzimet e personelit ishin rreth 860 milionë lekë (37% të totalit të shpenzimeve), ndërsa shpenzimet e përgjithshme të prodhimit ishin 924 milionë lekë, rreth 40% të totalit. Në vitin 2015, Ujësjellësi kishte llogari të arkëtueshme, si rrjedhojë e mosarkëtimit të faturave nga konsumatorët familjarë, privatë, shtetërorë, etj., prej 2.7 miliardë lekësh (gati 20 milionë euro), me një rritje të ndjeshme prej 70%, në krahasim me 1.9 miliardë lekë që ishin detyrimet e paarkëtuara në 2014-ën. 75% e këtij detyrimi i përket konsumatorëve familjarë.

Artikulli paraprakKarabina: Prokuroria të hetojë shpifjet e sponsorizuara të punonjësve të MAS
Artikulli tjetërVlerësimi për bregdetin shqiptar shënon rënie