“Çmendet” Zidane

Real Madrid do të bëjë disa ndryshime në skuadër gjatë kësaj vere, duke larguar shtatë lojtarë. Pavarësisht se Real Madrid këtë sezon fitoi La Ligan dhe Ligën e Kampionëve për të dytin vit radhazi, trajneri Zinedine Zidane do të bëjë disa ndryshime. Ai nuk është i kënaqur me disa lojtarët, të cilët pritet të largohen gjatë kësaj vere, ndërsa të tjerë të do të ofrohen në skuadër, shkruan “AS”.
Tashmë dy lojtarë janë larguar Pepe dhe Coentrao. Njërit i kishte skaduar kontrata, ndërsa i dyti do të huazohet në Sporting Lisbona. Por, rrugës së tyre janë edhe pesë futbollistë të tjerë, të cilët nuk kanë vend në skuadrën e trajnerit francez.
I pari që do të largohet është James Rodriguez, për shkak të minutazhit të vogël dhe mospërshtatjes në stilin e lojës së Zidane. Për të njëjtën arsye do të largohet edhe sulmuesi Alvaro Morata, i cili para një sezoni u kthye në skuadër nga Juventus.
Largim tjetër i madh është edhe ai i portierit Keylor Navas, i cili nuk dëshiron të jetë portier i dytë, pasi Reali pritet që gjatë kësaj vere të transferojë portierin e Manchester Unitedit, David de Gea. Dy largimet e tjera më pak të dhembshme janë ai i mbrojtësit të djathtë Danilo dhe i sulmuesit të talentuar Mariano.
Sulmuesi i Realit të Madridit, Alvaro Morata nuk ka marrë ende asnjë vendim për të ardhmen pas një sezoni plot dritëhije në aspektin personal, çka ka bërë që të nisë një ankand i vërtetë. Milani në Itali është skuadra që ka shfaqur hapur interesin për të veshur kuqezi bomberin iberik, por futja në lojë e skuadrave angleze e komplikon misionin për klubin piemontez. Milan i ka bërë Moratës një ofertë konkrete nga e cila mund të përfitojë rreth 6 milionë euro në sezon, por Morata mbetet i pavendosur pasi ai është shumë i lidhur me ngjyrat bardhezi ku shpërtheu duke lënë gjurmë në futbollin italian.
Dashuria për Juventusin për momentin e mban Moratën larg Serie A dhe nga kjo situatë përpiqet të përfitojë Jose Mourinho. Largimi i paralajmëruar i Zlatan Ibrahimoviç e ka vënë në lëvizje trajnerin luzitan për të gjetur zëvendësuesin ideal të suedezit. Të gjitha rrugët e çojnë Mourinhon në Madrid, por gjithashtu në garë për të është edhe Chelsea. Fakti që klubet angleze nuk e kanë aspak problem çështjen e parave, mund ta shtyjë sulmuesin drejt ishullit.
Te Manchester United, Morata e ka vendin e titullarit të sigurt, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Chelsean ku Diego Costa mbetet zgjedhje e parë. Gjithsesi, e ardhmja e bomberit të bluve mbetet ende mes Kinës dhe Anglisë dhe një largim i mundshëm i tij në Azi do ta hidhte menjëherë në sulm Antonio Conten, i cili nuk dëshiron të humbasë cilësi në repartin e tij të avancuar.

Artikulli paraprakPerez shpërblen lojtarët me miliona
Artikulli tjetërSpalletti: I lumtur që do të drejtoj Interin