City ka hyrë në garë për Griezman

Raportohet se Manchester City ka pasur një kontakt me sulmuesin e Atletico Madrid, Antoine Griezman, rreth një kalimi të mundshëm të francezit në “Etihad Stadium”, në fund të sezonit. Griezman ishte shumë pranë kalimit te Manchester United, gjatë verës së kaluar, por marrëveshja nuk u arrit sepse Atletico Madrid mori një “embargo” nga FIFA në merkato dhe u detyrua të mbante në skuadër francezin. Por në janar kjo “embargo” nuk do të jetë më dhe Atletico do të zyrtarizojë blerjen e Diego Costa, duke i hapur rrugën largimit të Griezman në qershor, ashtu si duket se kanë rënë dakord të dyja palët.
Shtypi francez shkroi në fillim të kësaj jave se Barcelona e kishte arritur marrëveshjen në parim me futbollistin dhe po bëhet gati të paguante 90 milionë euro te Atletico Madrid, por gazeta katalanase “Sport”, dje ka shkruar se Manchester City ka biseduar me futbollistin dhe ai do të ishte gati të vihej nën urdhrat e Pep Guardiola. Kësisoj, pas Manchester United dhe Barcelonës, duket se edhe City ka hyrë në garën për të marrë shërbimet e 26-vjeçarit. Griezman ka shënuar vetëm 3 gola në 13 ndeshje të luajtur me Atletico Madrid në këtë sezon dhe ka një vlerësim 80 milionë euro në “Transfermarkt”.

Artikulli paraprakLewandowski: S’mund të mendojmë për Krishtlindjet
Artikulli tjetërDy yjet e City, afër marrëveshjeve të reja