Chelsi jep në huazim David Luiz

Raportimet pretendojnë se Chelesea do të lejojë David Luiz që të largohet në janar, më pëlqyeshëm në huazim. Braziliani nuk është aktivizuar në Premier League me “Blutë e Londrës” që nga fundi i muajit tetor. Marrëdhënia e tij me trajnerin Antonio Conte është futur gjithashtu në krizë, pasi italiani e la jashtë fitores 1-0 ndaj Manchester United, muajin e kaluar. Luiz është aktualisht i padisponueshëm për shkak të një dëmtimi në gju, por gjithashtu do të vuajë të rigjejë vendin në formacionin e Contes, edhe pasi të jetë rekuperuar plotësisht. Referuar “Gambling Times”, Chelsea është gati ta huazojë brazilianin në janar. Nga klubi i bluve preferohet që 30-vjeçari të largohet në formë huazimi deri në fund të sezonit, pasi drejtuesit shohin ende një të ardhme të mbrojtësit në “Stamford Bridge”.
Luiz gjithashtu dëshiron të përfundojë kontratën e tij që skadon në vitin 2019, por është i vetëdijshëm se i nevojitet të luajë me minutazh të rregullt, nëse synon që të jetë pjesë e kombëtares së Brazilit në Botërorin Rusi 2018. Real Madrid është përfolur për një tentativë të mundshme në fillim të vitit për ish-yllin e PSG, por do të duhet të përballet edhe me konkurencën e Barcelonës. Nga Spanja raportohet se të dy klubet synojnë përforcimin e reparteve mbrojtëse me eksperiencën e brazilianit, ndërkohë që garojnë në La Liga dhe Champions League. Luiz ka admirues në “Nou Camp” dhe shihet si një zgjidhje emergjente për merkaton e janarit, pas dëmtimit të Samuel Umtiti, që do të qëndrojë jashtë për të paktën dy muaj.

Artikulli paraprakPorto kualifikohet me “goleadë”
Artikulli tjetërEkipi i Serisë C sfidon Interin