Çfarë pritet të ndodhë?/ Çështja në Gjykatën Kushtetuese, Qeveria miraton fondin për Teatrin e ri

Aleanca për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar pritet që të dorëzojë nesër në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për të përshpejtuar vendimin që kjo e fundit duhet të japë për shembjen e godinës historike të Teatrit Kombëtar.

Shkak për këtë është bërë vendimi i qeverisë, për ti kaluar bashkisë fondin për ndërtimin e Teatrit të ri, edhe pse Kushtetesja nuk ka dhënë ende një vendim për aktin e shembjes.

“Nisur nga fakti se Qeveria ka kaluar fondin per Teatrin e Ri Bashkise dhe priten te fillojne punimet, Aleanca për mbrojtjen e Teatrit, neser ora 11.00 do depozitoje ne Gjykaten Kushtetuese nje kerkese per SHPEJTIMIN e VENDIMIT, nisur nga nevoja urgjente e shpalljes se vendimit dhe pezullimin e zbatimit te tyre”, bëjnë me dije burime nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.

Që në krye të herës, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe Presidenca i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese pezullimin e çdo veprimi për ngritjen e Teatrit të ri, sa kohë që nuk ka një vendim për shembjen e teatrit të vjetër.

Kushtetuesja dha pak ditë më parë një vendim të ndërmjetëm, për vazhdimin e hetimit për çështjen e Teatrit Kombëtar, duke shtuar si objekt dhe vendimin e Këshillit Bashkiak për shembjen e godinës.

Çfarë deklaroi jozyrtarisht Bashkia e Tiranës, për nisjen e punimeve për Teatrin e ri Kombëtar:

“Projekti, tashmë i përfunduar dhe gati për të nisur nga zbatimi, ofron një godinë të arkitekturës me dizajn modern dhe që krijon një hapësirë unike në qytetin e Tiranës, duke ofruar të gjitha kushtet e nevojshme dhe frymëzuese për zhvillimin e talentit të aktrimit, ashtu edhe për vetë publikun.

Teatri i ri do të jetë disa herë më i madh se i vjetri dhe do të ofrojë kushte sipas të gjithë standardeve. Ai do të ketë të dedikuar disa ambiente të posaçme për shfaqjet dhe aktorët. Gjithashtu, do të ketë një skenë teatri prej 630 metra katror dhe dy salla Black Box prej 200 metra katror secila.

Për artistët do të ketë një hapësirë prej 200 metra katror që do përdoret si sallë ndërrimi, një sallë provash prej 200 metrash katror, tualete dhe dushe si dhe një dhomë të gjelbër. Në shërbim të shfaqjeve të ndryshme artistike do ketë një dhomë instrumentesh muzikore, një depo materialesh skenike, një depo dekori, sallë teknikësh, etj. Gjithashtu, do të ketë sallë kursesh dhe të gjitha facilitetet për publikun.

Po kështu, Teatri i ri Kombetar, përvec ambienteve të tjera ndihmëse, do të ketë edhe një parkim nëntokësor që do i shërbejë kësaj godine moderne”.

Artikulli paraprakRama-Veliaj zhdukin 35 objekte “Monumente Kulture” në Tiranë, do të ndërtohen kulla
Artikulli tjetërManeyval: Pastrim parash me ndërtimet dhe pasuritë e paluajtshme