Çfarë e tërbon Ramën tek rekomandimi 88 i Venecias

Nenit 88 i rekomandimeve të Komisionit të Venecias për Reformën në Drejtësi është bërë diskutim i zakonshëm, për shkak të faktit se pakica parlamentare këmbëngul në zgjidhjen e mosdakordësisë me shumicën, duke zbatuar rekomandimin e këtij neni.
Exit shpjegon më poshtë çfarë sugjerohet në këtë rekomandim.

Teksti i Nenit 88 dhe pasojat e tij

Neni 88 i rekomandimeve të Komisionit të Venecias, apo siç njihet ndryshe neni i “vendeve të rezervuara”, ndër të tjera, sugjeron:
“Nëse partitë politike të përfshira në proces nuk bien dakord për shumicën e cilësuar që duhet për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit (KLGJ), Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), të cilët do të vijnë nga jashtë sistemit të drejtësisë, ata mund të zgjedhin një sistem proporcional zgjedhjeje, i cili i garanton opozitës përfaqësimin në këto organe kolektive ose çdo lloj modeli tjetër të përshtatshëm, i cili do t’i siguronte opozitës një ndikim të caktuar në procesin e zgjedhjes së tyre”.
Çfarë do të thotë më konkretisht ky propozim?
Së pari, ai thotë që opozita duhet të ketë ndikim në zgjedhjen e këtyre kandidaturave, pra anëtarët nuk duhet të zgjidhen me mekanizma që përjashtojnë çdo ndikim të vërtetë të pakicës.
Së dyti, ai propozon një formulë të caktuar (shpjeguar më poshtë) dhe le të hapur formula të tjera, të cilat duhet të plotësojnë kushtin e parë, më sipër.

Varianti i Vendeve të Rezervuara

Formula që përmendet tekstualisht në rekomandim, i ashtuquajturi mekanizëm i “vendeve të rezervuara”, garanton që pesë vendet e anëtarëve në katër institucionet e reja që krijohen u rezervohen, në mënyrë proporcionale, propozimeve të shumicës dhe pakicës parlamentare-një numër i caktuar i anëtarëve duhet të zgjidhen me votim nga kandidaturat e propozuara nga shumica dhe një numër tjetër anëtarësh nga kandidaturat e propozuara nga pakica. Numrat përcaktohen afërsisht proporcionalisht në bazë të përqindjes së vendeve që shumica dhe pakica kanë, respektivisht, në Kuvend.
Për ta ilustruar këtë mekanizmin, le të marrim rastin e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit (KLGJ).
KLGJ do të përbëhet nga 11 anëtarë, 6 nga të cilët do të jenë gjyqtarë dhe do zgjidhen me votim nga të gjithë gjyqtarët e vendit, kurse pesë të tjerë janë juristë të cilët nuk janë pjesë e sistemit të drejtësisë, pra janë juristë nga jashtë sistemit.
Nëse zbatohet rekomandimi i Nenit 88 të Komisionit të Venecias, zgjedhja e këtyre pesë anëtarëve të KLGJ-së që vinë nga jashtë sistemit duhet të bëhet me procedurën e mëposhtme:
Shumica (PS plus aleatët e saj) dhe pakica parlamentare (PD plus aleatët e saj) përgatit secila një listë të veçantë me kandidaturat që ato propozojnë për anëtarë të KLGJ-së.
Lista e propozimeve të shumicës i nënshtrohet, veçmas, votimit për të zgjedhur prej saj tre anëtarë të KLGJ-së, me shumicën e tre të pestave të Kuvendit. Kurse me votim të veçantë të listës së propozuar nga pakica zgjidhen, me tre të pestat e Kuvendit, dy anëtarët e tjerë të KLGJ-së.
Kjo metodë garanton që nuk do të ketë bllokim të procesit të zgjedhjes pasi, rezervimi i vendeve për propozimet përkatëse mes shumicës dhe pakicës shmang përplasjet dhe mundëson bashkëpunimin.
Një variant i kësaj procedure është që shumica dhe pakica të propozojnë secila nga dy anëtarë, kurse anëtari i pestë të propozohet nga Shoqëria Civile dhe të miratohet me tre të pestat e votave në Kuvend.

Varianti aktual i shumicës

Në variantin aktual që mbështetet nga Kryeministri Rama, procedura e zgjedhjes është si më poshtë:
Anëtarët e KLGJ-së duhet të zgjidhen nga pesë grupime të ndryshme juristësh jashtë sistemit gjyqësor-prokurori: një anëtar nga radhët e avokatëve, një anëtar nga radhët e noterevë, një anëtar nga radhët e pedagogëve të drejtësisë, një anëtar nga radhët e pedagogëve jogjyqtarë të Shkollës së Magjistraturës dhe një anëtar nga Shoqëria Civile.
Secili prej grupimeve të mësipërme paraqet disa propozime kandidaturash për anëtarin e tij përfaqësues, nga të cilët Kuvendi duhet të zgjedhë me votim tre të pestat një anëtar të KLGJ-së. Kjo do të thotë që do të ketë pesë votime të veçanta për të zgjedhur, në mënyrë të pavarur nga çdo votim, një anëtar të veçantë.
Në rast se nuk arrihet shumica, tre të pestat-çka është shumë e mundshme, duke patur parasysh natyrën konfliktuale të marrëdhënieve shumicë-pakice-procedura përsëritet përsëri me pesë grupe të reja propozimesh nga secili prej grupeve propozuese.
Nëse edhe në votimin e dytë nuk arrihet përsëri shumica e nevojshme, atëherë zgjedhja e anëtarëve të KLGJ-së mes emrave të propozuar nga secili grupim propozues nuk do të bëhet më nga Kuvendi, por nga Këshilli i Lartë i Emërimeve, një tjetër mekanizëm i krijuar nga reforma.
Kjo do të thotë se në këtë variant, zgjedhja e anëtarëve të pesë institucioneve të përmendura më sipër do të bëhet, praktikisht jashtë Kuvendit, çfarë është një rast i rrallë në mos unik në botën demokratike perëndimore.

Lëshimi i Kryeministrit Rama për votimin me dy të tretat

Për variantin aktual të shumicës (më sipër), Kryeministri Rama bëri, para pak ditësh, lëshimin që në vend të votimit me tre të pestat (84 deputetë), ai është gati të pranojë votimin me dy të tretat (94 vota).
Por ky lëshim nuk ka ndonjë pasojë apo vlerë praktike, pasi, sikurse u shpjegua më sipër, në këtë variant Kuvendit rrallë do t’i mbetet zgjedhja e anëtarëve-me shumë gjasa, Kuvendi do të bllokohet, qoftë edhe si presion për çështje të tjera, dhe zgjedhja e anëtarëve do t’i kalojë Këshillit të Emërimeve, cili nuk ka asnjë lidhje me Kuvendin, as në mënyrën e zgjedhjes së tij dhe as në mënyrën e funksionimit apo të kontrollit ndaj tij, duke shmangur çdo ndikim të opozitës në proces.

Artikulli paraprak109 milionë euro investimeve të huaja më pak në tre muaj
Artikulli tjetërBasha: Rekomandimi 88 i Venecias i panegociueshëm dhe i plotë