Çfarë do të bëjë NATO për lidhjen turko-ruse?

Keith Johnson

Ditën e mërkurë NATO hodhi një hap të pazakontë duke riafirmuar se Turqia, anëtare e organizatës transatlantike që prej vitit 1952, është ende pjesë e aleancës. Statusi i Turqisë, u tha në deklaratën për shtyp “nuk është vënë kurrë në diskutim”. Megjithatë, kohët e fundit duket se është vënë.
Ankaraja dhe Moska janë duke rinovuar lidhjet e tyre të ngushta pas një ftohjeje prej pothuajse nëntë muajsh, të shkaktuara nga tensionet e luftës civile në Siri dhe shfryrjes së Rusisë në lidhje me rrëzimin e avionit rus që shkeli hapësirën ajrore turke nëntorin e kaluar. Për pjesën më të madhe të vjeshtës së shkuar, Vladimir Putin lëshoi ofendime dhe embargo ekonomike kundër Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan – duke e akuzuar atë, për shembull, se po ndihmon operacionet e trafikimit të naftës të Shtetit Islamik – teksa lidhjet ekonomike dhe turizmi ndërmjet dy vendeve është zvogëluar ndjeshëm.
Këtë javë, pakënaqësitë reciproke u zbehën teksa të dy liderët përpiqen të krijojnë “partneritetin strategjik” për të cilin kanë folur prej vitesh dhe kjo do të përfshijë projekte të profilit të lartë në sektorin e energjisë si gazsjellëset dhe centralet bërthamore. Putini dhe Erdogani patën një takim të pazakontë miqësor ditën e martë dhe një delegacion i ushtrisë turke është nisur për Shën Petersburg ditën e mërkurë për të krijuar “lidhjet e reja të sigurisë” ndërmjet dy vendeve.
“Marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe Rusisë janë më të mira se vitet e kaluara”, tha Erdogani pas takimit të tyre dy orësh në Shën Petersburg, sipas një deklarate për shtyp të lëshuar më pas nga zyra e tij. “Të dyja palët janë të përkushtuara dhe kanë vullnetin e nevojshëm për t’i çuar marrëdhëniet në nivelet e mëparshme, madje edhe më tej”.
Putini u tregua po kaq entuziast, duke i thënë reporterëve se “takimi kishte një rëndësi të jashtëzakonshme për të ardhmen e marrëdhënieve dypalëshe”. Afrimiteti i rigjetur është shenja se Putini ka pikasur një shans për të shfrytëzuar përçarjet ndërmjet Turqisë dhe partnerëve të saj në Perëndim, veçanërisht Bashkimit Europian, NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara. Pikërisht në kohën kur Ankaraja ndihet e braktisur dhe e tradhtuar nga Perëndimi, Putini fillon përsëri të lëshojë inçentiva joshëse për të tërhequr Erdoganin afër tij.
“Mendoj se Putini do ta përdorë këtë frikë të Ankarasë për të ofruar marrëveshje tregtare dhe politike për ta afruar Turqinë sa më shumë me Rusinë”, thotë Soner Cagaptay, drejtues i programit kërkimor në Institutin e Washingtonit për Politikën e Lindjes së Afërt. Ajo çfarë e bën më shqetësuese këtë situatë, nga këndvështrimi i Shteteve të Bashkuara, është se kjo martesë për interes vjen në një kohë kur NATO ndodhet në vështirësi edhe për arsye të tjera.
Planifikuesit e luftës kanë sugjeruar tashmë se anëtarët e aleancës do ta kishin të vështirë të mbronin rajonin e vendeve balltike nga një sulm potencial rus. Për më tepër, kandidati republikan për President, Donald Trump, ka ngritur pikëpyetje lidhur me dobishmërinë e aleancës, duke u shprehur se nuk ka domosdoshmërisht në mendje të mbrojë aleatë si vendet balltike në rast se Rusia do t’i pushtonte. “Ëndrra e Putinit do të ishte përçarja ose shkatërrimi i aleancës së NATO-s dhe Turqia është aktualisht një prej hallkave më të dobëta”, thotë Michael Reynolds, një profesor i historisë otomane dhe ruse në Universitetin Princeton.
Turqia dhe Rusia kanë filluar që tani të kenë lidhje më të ngushtë për sa i përket situatës së Sirisë, një pikë e fortë interesi ndërmjet dy vendeve sepse Ankaraja prej kohësh ka mbështetur grupet rebele që përpiqen të rrëzojnë regjimin e Presidentit Bashar al-Assad, një aleat i ngushtë i Putinit, të cilin Moska e ka furnizuar me trupa dhe avionë luftarakë për ta mbrojtur.
Ditën e mërkurë, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu tha për agjencinë shtetërore “Anadolu” se Moska dhe Ankaraja tani kanë qëndrime të ngjashme mbi nevojën urgjente të vendosjes së armëpushimit dhe mundësimin e aksesit të trupave humanitare në vend. Deklarata erdhi pasi ministri rus i Mbrojtjes tha se plani i armëpushimit për qytetin e ndarë më dysh të Aleppos, duke përfshirë një ndërprerje ditore prej 3 orësh të zjarrit për të lejuar delegacionet humanitare të hyjnë në qendrën e qytetit ku mbi 2 milionë njerëz jetojnë pa akses ndaj ujit të pijshëm, situatë që po rrezikon prej kohësh jetën e fëmijëve.
Planet e mëparshme ruse për krijimin e korridoreve humanitare janë parë me skepticizëm nga grupet rebele dhe mbështetësit e tyre, të cilët besojnë se Damasku do t’i përdorë këto pauza për të rifurnizuar trupat. Deklarata e Cavusoglu mund të sinjalizojë një dakordësi të re kundrejt bashkëpunimit me Rusinë për t’i dhënë fund kësaj lufte civile pesëvjeçare.
Riafrimi i Turqisë me Rusinë vjen në një kohë kur vendi po përpiqet të riparojë marrëdhëniet me vendet fqinjë, madje kohët e fundit ndërpreu një ngërç diplomatik me Izraelin, i cili vazhdonte prej gjashtë vjetësh. Gjithashtu vjen vetëm një muaj pas grushtit të shtetit të mbetur në tentativë që mund të kishte rrëzuar Erdoganin dhe që i ka ashpërsuar së tepërmi marrëdhëniet e Ankarasë me Washingtonin. Që pas grushtit të shtetit të dështuar, Turqia ka burgosur e arrestuar mijëra ushtarë, mësues dhe gazetarë me argumentin se kanë lidhje të ngushta me Fethullah Gulen, një klerik i diskutuar së tepërmi dhe kundërshtar politik i Erdoganit, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara.
Turqia fajëson Gulenin dhe ndjekësit e tij për organizimin e grushtit të shtetit të dështuar dhe ka kërkuar ekstradimin e tij nga Shtetet e Bashkuara, por zyrtarët amerikanë ende nuk janë të bindur se Gulen është përgjegjës për orkestrimin e puçit ushtarak dhe kanë thënë se çdo kërkesë zyrtare ekstradimi do të duhet të mbështetet me prova, një qëndrim që e ka inatosur së tepërmi Ankaranë. Akuzat e shumta nëpër mediat turke kanë fajësuar aktorë të ndryshëm të Shteteve të Bashkuara për grushtin, përfshirë këtu edhe “Wilson Centre”.
Për shumicën e turqve, tentativa e grushtit të shtetit, me avionë luftarakë që bombardonin kryeqytetin e Ankarasë dhe duke gumëzhirë mbi rrugët e Stambollit, ka qenë një goditje e fortë psikologjike. Situata e shkaktuar më pas ka bërë që qeveria dhe partitë opozitare të presin dhe kërkojnë mbështetjen që ndjejnë se u ka munguar nga Perëndimi, veçanërisht nga Washingtoni.
“Askush nuk e kupton me të vërtetë sa traumatik ka qenë grushti i shtetit për Turqinë. Hera e fundit që Ankaraja është sulmuar në këtë mënyrë ka qenë në vitin 1402 kur u pushtua nga ushtria e Tamerlanit”, thotë Cagaptay. Ai e ka quajtur grushtin e dështuar si eventin më traumatik të historisë turke që pas rënies së Perandorisë Otomane, pak pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore.
Kështu shumë turq ankohen, aleatët e mëparshëm të Turqisë u treguan kritikë kundrejt qeverisë së zgjedhur teksa përpiqej të luftonte kundër tentativës për grusht shteti. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, për shembull, bëri thirrje për “përmbajtje” kur fliste me homologun i tij turk pak pas dështimit të grushtit. Putini, në të kundërt, nxitoi menjëherë të bënte thirrje dhe t’i ofronte Erdoganit “mbështetje të pakufizuar”, siç thuhet në Turqi.
“Shtetet e Bashkuara e kanë trajtuar shumë keq përpjekjen e grushtit të shtetit dhe kjo e ka përkeqësuar së tepërmi situatën”, thotë Reynolds. Kjo, sipas tij, ka bërë që shumëkush në Turqi të mendojë: “Do të doja shumë të formonim lidhje më të ngushtë me rusët, vetëm për t’u hakmarrë ndaj amerikanëve”.
Nëse Departamenti amerikan i Shtetit është i shqetësuar për ngrohjen e marëdhënieve ndërmjet Moskës dhe Ankarasë, atëherë nuk është duke e shfaqur shumë mirë publikisht. Ditën e martë, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Elizabeth Trudeau, tha se nuk ka asgjë që nuk shkon dhe asgjë të pazakontë me faktin që Erdogan viziton homologun e tij rus, edhe pse Shtetet e Bashkuara kanë mosmarrëveshje të forta me Moskën. “Ky nuk është ekuacion me barazim zero”, tha ajo.
Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, i cili foli më pas, mbajti të njëjtin qëndrim. “Ne nuk mund ta gjykojmë Turqinë sepse viziton Moskën, ashtu siç nuk mund ta gjykojmë nëse shkon të vizitojë Francën”, tha zyrtari. “Ata në fakt kanë shumë gjëra të përbashkëta. Kanë lidhje të forta ekonomike dhe janë duke bërë marrëveshje biznesi”.
Megjithatë, shumë ekspertë besojnë se 60 vitet e Turqisë brenda aleancës së NATO-s do ta ndihmojnë vendin që të ribashkohet me Perëndimin, pavarësisht flirtimit aktual me Putinin. Edhe sikur Turqia dhe Rusia të mbusheshin me ndjenjë antiamerikane dhe antiPerëndim, kjo nuk mund të jetë e mjaftueshme për të krijuar një lidhje të fortë afatgjatë, argumentojnë të tjerë.
Por tani për tani, Putini nuk ka humbur kohë për ta shfrytëzuar shansin për riafrim, i cili në fakt ka nisur përpara dështimit të grushtit të shtetit. Ai tha ditën e martë se Rusia do të fillojë të heqë një nga një sanksionet ekonomike kundër firmave turke dhe do të heqë kufizimet e udhëtimit për turistët rusë. Ai u zotua gjithashtu se do të niste menjëherë projektet e sektorit energjetik ndërmjet dy vendeve, duke thënë se “energjia dhe projektet e energjisë përbëjnë themelin kryesor të lidhjeve dypalëshe”.
Turqia është konsumatorja e dytë më e madhe në botë e gazit rus, pas Gjermanisë, dhe një prej tregjeve të pakta të Europës që parashikohet të rritet ndjeshëm gjatë viteve të ardhshme. Të gjithë këto faktorë së bashku, i vendosin të dy vendet në pozicionin e një viti më parë, përpara se avionët turq F-16 dhe kokëfortësia e rusëve t’i dëmtonin ndjeshëm marrëdhëniet mes dy shteteve”, thotë Cagaptay. “Rusia kërkon ta përdorë këtë shans për ta kthyer Turqinë në gjendjen që ndodhej një vit më parë: një anëtare e NATO-s që nuk parapëlqen të luajë gjithmonë sipas rregullave të Shteteve të Bashkuara”, thotë ai.

Artikulli paraprakFaqja e parë
Artikulli tjetërE-mail-et e reja dhe fondacioni “Klinton”