Carrasco, pas golave vjen rinovimi me klauzolë 100 mln euro

Vijon momenti i lumtur i Yannick Carrasco. Belgu zgjati kontratën e tij deri në 30 qershor të vitit 2022. Sulmuesi i krahut që ka shënuar 4 gola në dy ndeshjet e fundit, shton kështu me dy vjet kohëzgjatjen e kontratës me një rritje të pagës, ndërkohë që dhe klauzola e largimit shkon në 100 milionë euro.
Carrasco është stabilizuar si titullar këtë sezon, me numrin 10 mbi shpatulla dhe ka shënuar 5 gola në 11 ndeshje që ka luajtur deri në këtë moment. “Jam shumë i lumtur që do të vazhdoj të jem për shumë vjet te Atletiko e Madridit”, deklaroi futbollisti për faqen zyrtare të klubit.
Rendimenti i mirë i belgut kohët e fundit ka rritur interesimin e klubeve të mëdha europiane, ndaj Los Colchoneros rritën presionin për të mbyllur çështjen e rinovimit që po trajtohej prej javësh dhe duhej të materializohej para Krishtlindjeve. Që nga transferimi i tij në Madrid, futbollisti belg ka demonstruar se ka intensitet dhe shpejtësi, cilësi aq të kërkuara nga Simeone për lojtarët e tij. Shkoi te Atletiko vitin e kaluar nga Monaco në shkëmbim të 17.2 milionë euro, dhe që atëherë ka shfaqur vlerat e tij, duke shënuar madje edhe në finalen e Championsit, ku i dha tjetër ritëm ndeshjes me futjen e tij në fushë, edhe pse Atletiko ra më pas në llotarinë e 11 metërashave. Pozicioni i ri i Koke në mesin e fushës i ka hapur portat e formacionit titullar një lojtari që është kthyer në zgjedhje fikse në ndeshjet e fundit për Simeonen. Sezonin e kaluar Carrasco luajti në 43 ndeshje dhe shënoi 5 gola, këtë vit ka shënuar po kaq në 11 ndeshje, ndërsa ka qenë titullar në 8 raste, duke luajtur një total prej 651 minutash.

Artikulli paraprakMaqedoni, Prokurorja Speciale pengohet të hetojë aferën e përgjimeve
Artikulli tjetërQeveria përzë FMN-në, nuk do të ketë rinovim marrëveshje