Cana në “radarin” e Pescaras

Lorik Cana mund të rikthehet në Serie A. Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare që gjatë kësaj vere ndërpreu kontratën me Nantes, aktualisht është ende pa një skuadër dhe Pescara synon ta rikthejë në fushën e blertë. Ekipi abrucez ku militojnë edhe Memushaj e Manaj, kërkon një emër me eksperiencë në mbrojtje dhe Cana është profili i identifikuar nga drejtuesit. Lajmin e bën të ditur “Gazzetta dello Sport” në seksionin e merkatos.
Sipas kësaj gazete, emri i Canës është ai që intrigon më shumë klubin bardhekaltër. Shkak për lëvizjet e Pescaras në merkato është bërë dëmtimi i mbrojtësit, Norbert Gyomber, i cili do të mungojë për rreth një muaj. Afrimi i mundshëm i Canës te Pescara do të ishte një garanci më shumë për ekipin e Massimo Oddos që synon qëndrimin mes më të mirëve të Italisë. Në rast se marrëveshja konkretizohet, atëherë kjo do të ishte aventura e dytë e ish-mbrojtësit kuqezi në Itali pas 4 sezoneve në radhët e Lazios.

Artikulli paraprakSHBA po investon për ta luftuar korrupsionin në Kosovë
Artikulli tjetërMemushaj titullar ndaj Torinos