Cana, ambasador i projektit “Grassroots”

Presidenti i Federatës shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në një konferencë për shtyp të organizuar në ambientet e institucionit që drejton prezantoi ish-kapitenin e kombëtares shqiptare, Lorik Cana, si ambasador i “Grassroots” për vendin tonë. Në fjalën e tij, Duka tha se figura e Lorikut do të ndihmojë në çuarjen përpara të këtij projekti, që ka synim masivizimin dhe zhvillimin e futbollit te moshat e reja.
“Jemi me ish-kapitenin për një event shumë të rëndësishëm, për ta emëruar ambasador të projektit ‘Grassroots’. Pas ceremonisë së organizuar në Shkodër, për të gjithë kontributin e tij, ne do të vazhdonim bashkëpunimin. Është prioritet absolut për FSHF-në futbolli i fëmijëve, një projekt që do të vazhdojë. Sot duhet të mendojmë për të ardhmen dhe besoj se çdo fëmijë e ka ëndërr të bëhet i suksesshëm si Lorik Cana. E shfrytëzojmë këtë shembull pozitiv. FSHF do ta mbështesë Lorikun në çdo hap që do të ndërmarrë”.
Për legjendën e futbollit shqiptar, angazhimi në projekte të tilla është mënyra më e mira për të dhënë kontribut në zhvillimin e futbollit.
“Është kënaqësi të jem i pranishëm në ambientet e federatës. E konsideroj veten pjesë të kësaj familjeje për të promovuar futbollin në vendin tonë. Duke qenë një njeri i lidhur me futbollin, është normale që dashuria për futbollin të vazhdojë me implementimin e projekteve, që e zhvillojnë këtë sport. Duke qenë njeri i sportit, dëshiroj të kontribuoj në zhvillimin e futbollit. Këto vitet e fundit, kemi mësuar se me punë dhe përpjekje mund të jemi të suksesshëm. Jemi një vend në zhvillim e sipër, edhe futbolli apo sporti në përgjithësi futet te kjo pjesë.
Kur kemi diskutuar për projektin e ‘Grassroots’, jam bindur se mund t’i shtyj njerëzit të merren me sport. Është një program që nxit dëshirën te fëmijët për të luajtur futboll, pse jo edhe të shkëlqejnë. Ne vendin tonë ka shumë gjëra të mira që mund të bëhen. Si ambasador i ‘Grassroots’ shpresoj të ndikoj që fëmijët të rriten me frymën e sportit. Është një detyrë që kërkon projekte të mëdha, por mund të marrim rezulate shumë të mira në të ardhmen”.

Artikulli paraprakTerrori i Tatimeve ndaj biznesit
Artikulli tjetërSi fitohet në Hollywood?