Cambiasso, tërhiqet nga futbolli

Estaban Cambiasso, një ndër kolonat e Interit të Mourinhos që më 2010-tën fitoi gjithçka, i ka dhënë fund futbollit të luajtur në moshën 37-vjeçare, për t’iu përkushtuar tërësisht profesionit të trajnerit. Në fund të fundit trajner ai ishte edhe kur luante me zikaltërit, sepse me shumë karizmë dhe pak fjalë ishte një lider i vërtetë në fushë dhe me klasin e tij dirigjonte çdo aksion sulmues të Interit. Para pak ditësh, Cambiasso kaloi me sukses provimet duke marrë licencën e trajnerit në Covercianno dhe që nga ky momenti ai mund të drejtojë të gjitha skuadrat e sektorit të të rinjve në Itali deri në Serinë C. Pasi i përfundoi kontrata me Olympiacosin dhe meqenëse ende nuk kishte gjetur një skuadër të re për të vijuar karrierën, argjentinasi vendosi t’i japë fund karrierës, me Cambiasson që ka menduar se ky është momenti i duhur për të thënë stop. Një zgjedhje logjike kjo e mesfushorit. Me inteligjencën e tij taktike dhe mënyrën sesi e koncepton futbollin, ai ka të gjitha premisat për t’u bërë një trajner i madh.
Cambiasso është futbollisti i tretë argjentinas që ka fituar më shumë trofe gjatë karrierës së tij, plot 24, vetëm Messi me 31 dhe Di Stefano me 26 kanë bërë më mirë se ai. I rritur te Argentinos Jrs dhe më pas te skuadra B e Realit të Madridit, Cambiasso u afirmua si futbollist te Indipendiente dhe River Plate me të cilët fitoi edhe një titull të Clausuras në Argjentinë. Më 2002 ai u rikthye te Reali i Madridit duke fituar 4 trofe me Los Blancos.
Më 2004-tën karriera e tij mori një tjetër rrjedhë, pasi falë intuitës së Marco Brancës, Cambiasso u transferua tek Interi me parametër zero. Në 10 vite te zikaltërit ai u shndërrua në një lider të mesfushës, ndërsa ishte një nga heronjtë e tripletës së famshme të fituar në vitin 2010. Me përkëdheli te Interi gjithmonë do ta quajnë El Cuchu Cambiasso, pasi fansat zikaltër një si ai nuk do ta harrojnë kurrë. 2 etapat e fundit në karrierën e 37-vjeçarit ishin Leicester në Angli dhe Olympiacos në Greqi. Për Cambiasson tashmë fillon një jetë e re, ajo e trajnerit me ëndrrën se do të jetë do të jetë i ulur në stolin e Interit.

Artikulli paraprakMilani për fitore
Artikulli tjetërShqipëria po zbrazet, ikje dhe rënie e lindjeve