Çalja një medalje bronzi në Europian

Briken Çalja shpresonte të kthehej me medaljen e kampionit të Europës për peshën deri në 69 kilogramë nga aktiviteti që po zhvillohet në Kroaci. Por shtangisti shqiptar ka gabuar në shkëputje në të tre provat e tij dhe është detyruar të kënaqet vetëm me një të bronztë në shtytje, në një aktivitet ku mund të ishte përfaqësuar edhe më mirë.
Çalja kishte pretendime për medalje të artë, ndaj që në fillim të garës kishte caktuar pesha të larta për të filluar si në stilin e shkëputjes, ashtu edhe në shtytje, duke vendosur përkatësisht peshat 145 kg dhe 175 kg, të njëjtat me të cilat kishte filluar garën në Rio 2016, ku zuri vendin e 6-të.
Por shtangisti shqiptar duket se nuk i kishte bërë mirë llogaritë me peshën fillestare në shkëputje, pasi nuk arriti të realizonte asnjërën nga provat me 145 kilogram dhe humbi mundësinë për medalje si në këtë stil, ashtu edhe në dygarësh.
Shpresa e vetme e tij për sukses mbetej shtytja dhe Çalja vendosi që të ulte peshën fillestare me 5 kilogramë, duke realizuar provën e parë me peshën 170 kilogram. Ai u pozicionua menjëherë mes medalistëve në këtë stil me realizimin e peshës 175 kilogramë në provën e dytë, por më pas nuk ngriti të tretën me 178 kilogramë dhe mbylli aktivitetin me medaljen e bronztë.

Artikulli paraprakJuventusi bën ofertën për James Rodriguez
Artikulli tjetërDuka nuk arrin të zgjidhet në UEFA