Çako rrëfen përgjimet për tritolin tek farmacia e babait të Tahirit

“IMSI Catcher” nuk është pajisja e vetme e përgjimit e futur në territorin e Shqipërisë këto dy vitet e fundit.
Mediat kanë mundur të zbardhin një pjesë të dëshmisë dhënë nga një zyrtar i lartë i Policisë së Shtetit, për çështjen e përgjimeve.
Ky zyrtar ka sqaruar para grupit hetimor se, policia italiane, më 2015 ka ofruar ndihmë për ngjarjen e vendosjes së eksplozivit në farmacinë dhe makinën e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Ai pranon se në atë kohë ka parë një pajisje dhe ajo ndryshonte në formë nga pajisja “IMSI Catcher”, që kishte ardhur për trajnim, në mars të këtij viti.
Ajo pajisje, vazhdon zyrtari i lartë i policisë në dëshmi, ishte nga prodhues tjetër, por nuk ndryshonte në funksione.
Kjo është një nga dëshmitë më të forta që ka Prokuroria për të konfirmuar dyshimet e saj se, “IMSI Catcher” është përdorur në përgjim.
Nuk bëhet i ditur identiteti i oficerit të lartë të bluve, por sqarohet se ai ka dhënë detaje të vlefshme për hetimin.
Ndërkohë hetuesit janë në pritje të një përgjigjeje nga misioni italian policor “Interforce”, të cilës i është kërkuar që të vihet në dispozicion të hetimit pajisja dhe mjeti me të cilin ajo lëvizte.
Për këtë çështje, Prokuroria kërkoi arrestimin e dy oficerëve të lartë të policisë Artion Duka dhe Entiol Xhelilaj. Ata u lanë në arrest shtëpie nga gjykata.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako u pezullua nga detyra dhe në datën 16 qershor, ai do të jetë në Gjykatën e Apelit, ku do të kërkojë rikthimin në detyrë.

Personat që u morën me pajisjen nuk kishin çertifikatë sigurie

Prokuroria ka konstatuar se personat që janë marrë me pajisjen e përgjimit të ardhur nga Italia nuk kanë qenë të pajisur me çertifikatë sigurie. Sipas ligjit, çertifikata jepet nga Drejtoria e Informacionit të Klasifikuar në Kryeministri, por duket se kjo zyrë nuk ishte informuar fare për ardhjen e pajisjes në vendin tonë. Referuar ligjeve në fuqi, Prokuroria thotë se, “Policia e Shtetit duhej të ishte konsultuar paraprakisht për përdorimin e kësaj pajisjeje me prokurorin e Përgjithshëm si autoriteti qendror dhe i vetëm i përgjimit dhe me Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, në mënyrë që qëndrimi i kësaj pajisjeje në territorin e Republikës së Shqipërisë të kishte përkufizim ligjor dhe transparent për qëllimet e përdorimit dhe mundësitë teknike të saj”. Sipas Prokurorisë, kreu i policisë, Haki Çako, pretendon në formë konsekuente se aparatura nuk është përdorur në asnjë moment nga shtetas shqiptar, por nga këqyrja e librit të hyrje-¬daljeve në FPO dhe nga pyetja e specialistëve të mbajtjes së librit, rezulton se të paktën në dy raste automjeti ka qenë në posedim të shtetasit shqiptar Entiol Xhelilaj i vetëm. Sipas Prokurorisë, Artion Duka, në cilësinë e drejtorit të Forcave Operacionale, nuk ka marrë masa për administrimin e pajisjes, si edhe për të siguruar që ajo nuk do të përdorej për qëllime të tjera, përveçse trajnimit. Fakti që mjeti, së bashku me pajisjen “IMSI Catcher” ka lëvizur në të paktën dy herë nga një specialist shqiptar, është një prej arsyeve që e ngarkon me përgjegjësi titullarin e Forcës. Po ashtu, ky shtetas ka deklaruar se pajisja, në përfundim të çdo seance trajnimi, lëvizte së bashku me ekspertët italianë. Ky deklarim rezulton i rremë, pasi, siç shkruhet nga libri i hyrje-daljeve, mjeti me pajisjen ka qëndruar thuajse gjatë të gjithë kohës së trajnimit në ambientet e Forcës Operacionale. Pika e fundit e shkeljeve të dyshuara se janë kryer nga shtetasi Artion Duka është edhe më e rëndësishmja. Ky shtetas merr përsipër me përgjegjësinë e tij, pa kryer asnjë hulumtim të natyrës penale apo administrative, se gjatë veprimtarisë së përdorimit të aparatit “IMSI Catcher” nuk është kryer asnjë veprim i jashtëligjshëm. Ka dyshime të arsyeshme se kjo gjë nuk është e vërtetë. Kështu nga hetimi ka rezultuar se aparati konkret funksionon, duke u klonuar si një antenë e rrjetit telefonik mobil dhe duke marrë rolin e antenës ligjore. Antena e gënjeshtërt emeton një sinjal më të fortë se antena ligjore dhe kësisoj shkakton lidhjen e aparateve fundor nga antena ligjore te antena e gënjeshtërt. Kjo gjë bie ndesh me detyrimet e Ligjit 9918, neni 123/2. Po sipas Prokurorisë, punonjësi i policisë, Ention Xhelilaj me funksion specialist pranë Forcës Operacionale, ka kryer veprime të paautorizuara, siç është përdorimi i mjetit me pajisjen “IMSI Catcher” pa asnjë urdhër me shkrim. Veprimtaria e tij nuk është rregulluar ligjërisht nga eprorët e tij. Ai ka dijeni se në cilën pikë kufitare ka hyrë automjeti, ku qëndronte ai gjatë kohës së trajnimit dhe jashtë kësaj kohe. Ai është në dijeni të parametrave teknikë të automjetit dhe çfarë ushtrimesh janë kryer në bazë. Ky shtetas nuk ka asnjë tagër ligjor që të ishte kaq afër dhe kaq në dijeni të fakteve. Nga këqyrja e librit të hyrje-daljeve të mjeteve dhe personave në FO, del qartë se ai ka hyrë e ka dalë me mjetin, të paktën dy herë, duke qenë në drejtim të tij. Ai ka hipur në automjet edhe ditën kur ka dalë vendimi i sekuestrimit për mjetin dhe pajisjen. Prokuroria e Tiranës po vijon hetimet mbi këtë rast, për të provuar, ndër të tjera, edhe zyrtarë të tjerë të lartë që mund të jenë përfshirë në veprimtarinë e dyshuar si të paligjshme të përgjimeve.

Skema e lëvizjes së pajisjes së përgjimit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako u pezullua më datën 7 qershor nga detyra për skandalin e përgjimeve me “IMSI Catcher”. Prokuroria zbardhi të gjithë skemën e lëvizjes së pajisjes së përgjimit, si dhe oficerët e policisë që janë përfshirë në këtë lëvizje të pajisjes në mënyrë të paligjshme. Pajisja sipas Prokurorisë është lëvizur nga Drejtoria e Policisë në momentin kur në këtë drejtori ka mbërritur grupi i prokurorëve që kishin shkuar aty për të kërkuar sekuestrimin e pajisjes. Pasi prokurorët kanë pritur me orë drejtorin e Policisë është konstatuar edhe lëvizja e pajisjes së përgjimit nga specialisti i Forcave Operacionale, Xhelili, i cili ndodhet në arrest shtëpie me kërkesë të Prokurorisë dhe vendim të gjykatës.
Pajisja e përgjimit dyshohet se u përdor nga policia në mënyrë të paligjshme, për përgjime. Prokuroria ka siguruar vendimin e gjykatës për pezullimin nga detyra të Haki Çakos, i cili akuzohet për shpërdorim detyre, pasi ka administruar në kundërshtim me ligjin pajisjen e përgjimit. Gjykata ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në shtëpi” me mbikëqyrje elektronike për shtetasit Artion Duka, me funksion drejtor i Forcave Operacionale (FO) dhe Entiol Xhelilaj, specialist pranë FO, dy efektivët e policisë që dyshohet se përdorën pajisjen.

Artikulli paraprak“Përgjegjësia individuale” e deputetëve kriminelë!
Artikulli tjetërZyrtarja e Ramës kapet duke vjedhur në Gjenevë