Buxheti i Kosovës, 2 miliardë euro

Përmes debatesh dhe mospajtimesh, jo vetëm ndërmjet deputetëve të pozitës e opozitës, por edhe të vetë partnerëve të koalicionit qeverisës, Kuvendi i Kosovës ka nisur diskutimet për projektbuxhetin e vitit 2017, që fillimisht u prezantua nga ministri i Financave, Avdullah Hoti.
Hoti tha se buxheti, që kap shifrën e mbi 2 miliardë eurove, e ka pajtimin e plotë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, në të gjitha pozicionet buxhetore me të cilat është përgatitur ai.
Ministri Hoti tha se “bazuar në vlerësimet e Ministrisë së Financave, rritja ekonomike për vitin 2017 pritet të arrijë në mbi 4.4 për qind”.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka ftuar deputetët që të votojnë buxhetin për vitin 2017, pasi që, siç e ka theksuar ai, ky buxhet si i tillë është buxhet zhvillimor.
Sipas tij, buxheti për vitin 2017 shpreh përcaktimin për zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të punës dhe ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe stabilitetit fiskal brenda vendit.
“Ky buxhet është refleksion i reformave dhe avancimit të parametrave makroekonomike, është refleksion i përmirësimit të ambientit të të bërit biznes. Përmes këtij buxheti për herë të parë mbi 2 miliardë euro qeveria e Kosovës synon të rrisë investimin në fushën kapitale në mbi 700 milionë euro ose 45 për qind më shumë në vitin 2017 sesa që ka qenë në këtë vit”, ka bërë të ditur Mustafa.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, që në parim e ka përkrahur buxhetin për vitin 2017, ishte kritik në veçanti në orientimin e mjeteve që i janë bërë buxhetit.
Zëvendëskryetarja e parë në Komisionin për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ka theksuar se është bërë ndarje joproporcionale e mjeteve nëpër komuna.
Po ashtu, sipas Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, nuk i janë ndarë mjete të nevojshme institucioneve të drejtësisë dhe arsimit.
Hadërgjonaj ka drejtuar kritika edhe në rritjen e borxheve që janë paraparë në buxhetin e vitit 2017 .
“Rritja e buxhetit, duke rritur borxhet, nuk është e shëndetshme për ekonominë tonë, nuk është mirë që gjeneratat e ardhshme të paguajnë koston e punës sonë. Rritja e borxhit për 177 milionë euro më shumë se krahasuar me vitin e kaluar është trend i përshpejtuar i rritjes, i cili nuk reflekton në mënyrë pozitive, sidomos kur efektet e rritjes së këtyre borxheve nuk japin rezultatet e tyre në të mirë të mirëqenies së qytetarëve”, ka thënë Hadërgjonaj.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërBiznesit i hiqet e drejta e apelit për padrejtësitë nën 200 milionë