Buxheti 2020, asnjë lek për rritje pensionesh e pagash, por qindramilionë euro për koncesionet

Qeveria ka prioritet koncesionet dhe jo rritjen e pagave per 150 mijë punonjësit e administratës. Në projektbuxhetin për vitin e ardhshëm nuk është parashikuar asnjë fond për rritjen e pagave. Në tabelat që shoqërojnë buxhetin e vitit 2020 fondi është zero për këtë zë.

Shtesa në paga sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave pritet të aplikohet në vitin 2022. Përsa i përket pensioneve shtesa do të jetë me një fond prej 2.5 mld leke që duket se i përket vetëm indeksimit.

Por edhe pse me kursim në këto dy zëra të rëndësishëm të buxhetit, qeveria do të rrise pagesat për koncensionet. Qytetarët shqiptarë do të paguajnë nëpërmjet taksave të tyre në buxhetin 2020 mbi 14.6 miliardë lekë si pagesa për 14 kontratat koncensionare me PPP.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave kjo shumë është 15.8 për qind më e lartë se pritshmëria e këtij viti. Në buxhetin e vitit të ardhshëm një ulje e konsiderueshme parashikohet edhe për investimet.

Sipas tabelave shpenzimet për investime parashikohen 83.7 mld lekë ose 4 mld më pak se një vit më pare. Të ardhurat në buxhetin e vitit të ardhshëm pritet të jenë 502.6 miliardë lekë në vlerë nominale me një rritje modeste prej 3.2 % në krahasim me aktin normativ 2019.

Ndërsa para nuk do të ketë për rritjen e pagave dhe të pensioneve, ajo që bie në sy është se buxheti do të vazhdojë të shpenzojë qindramiliona euro që do të shkojnë nga xhepat e qytetarëve tek xhepat e një grushti koncensionesh. Për këto ka para, ndërsa për pjesën tjetër të shoqërisë nuk do të ketë para në 2020.

Artikulli paraprakReforma zgjedhore/ Basha: Duhet vullnet politik për të prerë lidhjet e politikës me krimin
Artikulli tjetërFaqja e pare