Buxheti 2018, thellimi i krizës!

Jorida TABAKU

Dje u miratua vetëm me votat e mazhorancës buxheti i vitit 2018! Partia Demokratike paraqiti 16 amendamente për paketën fiskale dhe për buxhetin. Në respekt të përmbytjeve u tërhoqëm nga diskutimet, për të lënë qeverinë të dilte në terren.
Propozimet tona varionin që nga ndryshimi i konceptit për taksimin me një taksë të sheshtë që i jep frymë ekonomisë dhe rrit punësimin deri tek mbështetja e sektorëve prioritarë si arsimi, shtresat sociale e bujqësia. Unë propozova dy amendamente për rritjen e fondit për të përndjekurit politikë dhe regjistrimin e koncesioneve si pjesë e borxhit publik, kjo një detyrim ligjor që të mos vendosen financat publike në rrezik.
Partia Demokratike nuk i heq asnjë presje diskutimit që ka bërë muajin e fundit për buxhetin. Ky është buxhet i thellimit të krizës, i infomalitetit, buxhet që vetëm me projektin 1 miliard vendos një rrezik fiskal prej 7% të PBB (siç thekson dhe FMN), e së fundmi ky është një buxhet që paratë e krimit e të drogës do t’i hedhë në ekonomi nëpërmjet ndërtimit, favore fiskale në turizëm e rëndimit të biznesit të vogël, duke ulur pragun e regjistrimit në TVSH. Vetëm dje BSH raportoi se kreditimi i biznesit ra përsëri me 2,5% në krahasim me periudhën e kaluar. Ku gjenden paratë për të investuar në ndërtim nqs nuk përdoret sistemi bankar?
Buxheti i 2018 ka këto veçori:
– Rrit taksat për biznesin e vogël me uljen e pragut të TVSH për 40 000 biznese, e trefishon taksën e pronës për qytetarët e thjeshtë.
– Ul tvsh në 6%, e heq tatim fitimin për resortet me 5 yje, e nuk ofron asnjë lehtësi për mijëra biznese të vogla familjare në turizëm që janë në kushtet e mbijetesës prej rritjes së taksave.
– Nuk ofron asnjë rritje pagash për 88 000 punonjësit e administratës, as me normën e inflacionit.
– Nuk ofron asnjë rritje pensionesh për 600 000 pensionistë.
– Nuk mbështet asnjë sektor prioritar as arsimin, as bujqësinë, as energjinë.
– Rrit faturën e koncesioneve në 90 milionë euro në vit.
– Vendos rrezikun më të lartë fiskal në ekonomi që ka njohur ndonjëherë një buxhet shteti, duke përfshirë projektin 1 miliard, që rrit borxhin publik me 7% dhe nuk e regjsitron si borxh publik.

 

Artikulli paraprakBanorët-Bashës: U përmbytëm nga shkarkimi i Bovillës pa paralajmërim
Artikulli tjetërBB: Shqipëria me taksat më të larta në Ballkan