Brukseli të hetojë të korruptuarit e Sorosit

Ish-Kryeministri Berisha ka kërkuar hetim ndërkombëtar për aktivitetin e George Soros në Shqipëri. Berisha reagoi menjëherë pas deklaratës të raporterit për Shqipërinë në PE, Knut Fleckeinstein, i cili i konsideroi si “përralla sorosiane” denoncimet e Berishës mbi kontrollin e Sorosit në majat më të larta të pushtetit në vend. Në një kundërpërgjigje të tij ndaj deklaratës së Fleckeinstein, Berisha e cilëson si të nxituar reagimin e eurodeputetit, ndërsa argumenton me disa pika qëndrimin e tij.
Së pari, Berisha sqaron se të gjitha deklaratat dhe akuzat e tij mbi rrezikshmërinë që paraqet influenca dhe kontrolli i Sorosit në Shqipëri janë të dokumentuara me fakte konkrete.
Së dyti, ish-Kryeministri sqaron se qëndrimi i tij ndaj aktivitetit të Soros nuk ka lidhje me debatet e fundit që po zhvillohen në SHBA, pasi ai prej shumë vitesh më parë ka akuzuar veprimtarinë e Sorosit dhe rrjetin e tij në Shqipëri.
Së treti, teksa argumenton lidhjet dhe rolin e Sorosit si njeriun që ka korruptuar qeveri të brishta, ish-komuniste e deri tek ato më seriozet siç janë institucionet ndërkombëtare, Berisha vë theksin tek rëndësia që ka nisja e një hetimi me transparencë nga Parlamenti Europian apo parlamente të vendeve të interesuara ndaj rolit të Sorosit dhe veprimtarisë së tij përmes njerëzve që kontrollon.
“Deputeti i Parlamentit Europian dhe reporteri për Shqipërinë, Knut Fleckenstein në një konferencë shtypi sipas mediave ndër të tjera ka deklaruar sa vijon: ‘Kam shumë respekt për Berishën, ndoshta më shumë sesa mendoni ju dhe këtë e kam me të vërtetë. Por ama do të doja që t’i kërkoja të mos fliste më për këto përralla sorosiane, e njëjta histori që kam dëgjuar edhe në Maqedoni. Zoti Berisha nuk është i dobët’, tha deputeti i Parlamentit Europian që vizitoi Tiranë këto dy ditë.
Me këtë rast, duke shprehur me sinqeritet vlerësimin tim të palëkundur për kontributin e tij qenësor personal dhe të Parlamentit Europian në dekriminalizimin, por dhe probleme të tjera të vendit, më duhet t’i them se deklaratën e tij e konsideroj të ngutur dhe të pabazuar për arsyet që vijojnë:
– Deklaratat e mia për Xhorxh Soros dhe mafien e tij, si një rrezik madhor për demokracinë shqiptare janë të bazuara jo në hamendje, por në dokumente autentike të pakundërshtueshme nga të gjithë ata që duan të besojnë të vërtetën.
– Denoncimet e mia në Parlamentin shqiptar ndaj veprimeve mafioze të Soros dhe network-ut të tij në Shqipëri, të bazuara në dokumente dhe fakte, datojnë vite më parë dhe nuk kanë lidhje me polemikën e sotme që zhvillohet në SHBA për veprimtarinë e kryespekulantit të planetit.
– Xhorxh Soros përfaqëson sot miliarderin që ka korruptuar më shumë se kushdo tjetër mbi tokë politikanë, personalitete lokale dhe ndërkombëtare në vendet ish-komuniste, por edhe në vende të tjera. Ai ka korruptuar gjithashtu individë dhe grupe në institucione serioze ndërkombëtare të vendosura në kryeqytete të vendeve të ndryshme, përfshi këtu Berlinin!
Në këtë kontekst, mendoj se jo hedhja poshtë me apriori apo paragjykime të zërave që kërkojnë të nxjerrin në shesh një të vërtetë tronditëse, por hetimi me transparencë nga Parlamenti Europian dhe parlamente të vendeve të interesuara duhet të ishte përgjigjja e duhur dhe respekti i detyruar nga e vërteta.
Së fundi, shtoj se me deklaratat e mia kam vetëm një qëllim: të mbroj një të vërtetë që e vlerësoj se ka interes të padiskutueshëm për vendin tim, por edhe miqtë e mi kudo që janë!”, shprehet Berisha në reagimin e tij.

A.Shahini

Artikulli paraprakRusia, sulme kibernetike kundër Ukrainës?
Artikulli tjetërBumçi: BE thotë 100% qëndrimin e PD