Bota në kohërat e përqindjes së interesit zero

“Hannes Grassegger”

Të kesh 24 dritare të hapura në browser, 3 chat-e, kufjet në vesh, diçka për të ngrënë. Të shkruash një e-mail teksa botohen online fotot e pushimeve. Të kontrollosh Facebook në ecje. Të punosh në mënyrë konstante dhe gjithsesi të mos ndryshosh asgjë. Është kjo përqindja zero. Nga Liechtenstein në Tokio duke kaluar nëpër Bruksel. E kanë vendosur sovranët e parasë në kështjellat e tyre racionale, me shtetet e frikësuara të sulmuara të kapur pas fundeve. Bankat qendrore i kanë çuar përqindjet e interesit në zero dhe në disa raste kanë shkuar edhe pak poshtë zeros. Përqindja zero është një botë e re. Qysh kur ekziston kapitalizmi, paraja shtohet vetë. Përtej kapitalit, ekzistojnë interesat mbi kapitalin dhe interesat mbi interesat. Kapitali lëviz vetë. Interesi u jep forcë kreditorëve dhe bën të shkojnë përpara debitorët. Për këtë arsye përqindja zero i ekzalton kundërshtarët e kapitalizmit. Është diçka më e rëndë sesa disa rafte bosh në një supermarket të Venezuelës, vetëm se jashtë botës së financës askush nuk e ka kuptuar akoma. Përqindja e interesit është e ngulitur në gjithçka që është kapitalizëm, duke parë se cikli ekonomik bazohet mbi paranë. Sot çdo kompani e re, çdo produkt i ri duhet të garantojë një rendiment më të lartë të përqindjes së interesit. Përndryshe, në vend që të investojë, një kreditor mund ta depozitojë paranë e tij në bankë dhe të kufizohet me marrjen e interesave. Në qoftë se përqindja e interesit nuk ekziston më, atëherë më mirë të shkohet me pushime sesa në bankë. Toka rrotullohet me shpejtësinë e duhur nga përqindja e interesit. Sa më e lartë që të jetë, aq më shumë ia vlen barra qiranë të presësh nesër. Përqindjet e interesit masin vlerën e së ardhmes. Janë syri me të cilin kapitali shikon nga e ardhmja. Të shmangësh ngrënien e kokrrës së grurit sot dhe të ruash të kokrrat e nesërme: është ky fillimi i qytetërimit tonë. Antropologu David Graeber ka shpjeguar se në çfarë mënyre borxhet kanë krijuar qytetërimin tonë. Por pa përqindje interesi nuk do të ekzistonin borxhet, pasi paraja huazohet vetëm për t’i nxjerrë diçka në këmbim. Ndoshta ka qenë kjo që na ka frenuar për të bërë menjëherë gjithçka që na vinte në mendje, që na ka bërë të zhvillojmë ligje, shtete dhe marrëdhënie. Çfarëdolloj sistemi të mbizotëronte dhe çfarëdo pushteti të qeveriste, problem ka qenë gjithmonë administrimi i së ardhmes. Kështu ka lindur bota në të cilën jetojmë.
Por më 2007 e ardhmja është hedhur në erë. Vlera e të gjithë titujve financiarë që në atë kohë qenë shitur dhe blerë kudo – dokumente format pdf plot me përqindje që premtonin të ardhme më të mira, kontrata të gjata që thithnin kapital si sfungjer – është bërë e pallogaritshme. Atëherë përmbajtja e këtyre dokumenteve është bërë papritmas e errët. Gota gjysmë plot apo gjysmë bosh? Askush nuk e dinte më. Vlera reduktohej. Nga çdo anë që të shikohej, dyshimi bënte pluhur çdo të ardhme. Kështu ka ardhur kriza financiare, që është transformuar në një gjendje emergjence permanente. Në një moment të caktuar ministrat e Ekonomisë nuk kanë ditur më se çfarë të bëjnë dhe u janë drejtuar institucioneve të fundit që akoma mund të bënin diçka: bankave qendrore. Organizmat që prejnë paranë dhe përcaktojnë përqindjet e interesit: gardianët e ekonomisë së tregut. Bankat qendrore kanë analizuar situatën dhe kanë zgjedhur për përqindjen e interesit zero. Fillimisht në Shtetet e Bashkuara e më pas në Europë. Nëse sot një bankë depoziton para pranë Bankës Qendrore Europiane, në këmbim nuk merr asgjë. Në Japoni, Danimarkë, Suedi e Zvicër merr deri më pak se asgjë. Pjesa më e madhe e ekonomisë botërore, 60 për qind e PBB-së botërore, sot luhatet në hapësirën e përqindjes së interesit zero, përfshi midis -1 dhe 1 për qindëshit. Bankave nuk u nxjerr më asgjë që të posedojnë para. Për këtë arsye llogaria jonë në bankë na jep 0.1 për qind. Paraja që një baba heq mënjanë për djalin e tij duke i hequr bukën nga goja nuk i sjell asgjë në fund të vitit. Është kjo përqindja e interesit zero. E ardhmja nuk ka më vlerë. Përqindja e interesit zero mbretëron në Bashkimin Europian, në Zvicër, në Japoni dhe pak a shumë edhe në Shtetet e Bashkuara. Është një fenomen i lidhur me ato shoqëri që e kanë parë mirë dhe shumë gjatë me paranë e tyre dhe që tani u evokohet e ardhmja dhe e kaluara në të njëjtën kohë: postmoderne, postkomunizëm, postpunk, postkapitalizëm, postutopi. Gjithçka duket e mbaruar, e nesërmja është në pritje, por nuk vjen kurrë.

Epoka e smartfonit
Më 2007 ka nisur edhe aksesi i drejtpërdrejtë i njerëzve në rrjet, kur Steve Jobs ka inauguruar epokën e smartfonëve. Ka qenë fillimi i gjendjes së lidhjes së përhershme tonë. Qysh atëherë ngjarjet, pyetjet dhe përgjigjet janë gjithmonë përpara nesh. Jemi hiper të pranishëm. Mbretëron realiteti i YouTube, një konvergjencë e së ardhmes dhe e së kaluarës, e seriozes dhe e qesharakes. Rihanna kërcen teksa Hitleri shpall luftë. Këngët nashid celebrojnë xhihadin, ndërsa relatorët e konferencave TED lajmërojnë një të ardhme të ndritshme. Gjithçka është e disponueshme. Sinkronia definitive e asinkronit. Nuk kemi mjetet e informacionit referuese, por mjetet e arkivimit. Në kulturën e përqindjes së interesit zero, koha bllokohet. Zeroja është bërë një ideal për t’u ndjekur. Në Gjermani politika ka deklaruar schwarze Null (zeron nul, asnjë borxh të ri në bilancin shtetëror) një prej objektivave kryesore për të cilën mund të sakrifikohet gjithçka tjetër. Në Zvicër më shumë se një e treta e popullsisë ka mbështetur një iniciativë që duke filluar nga ky vend i vogël do ta çojë rritjen e popullsisë botërore në zero. Ekonomistët predikojnë rritjen zero. Është era e Google Now dhe e kohës reale: orët tona janë bërë matësit e vetë neve. Numërojnë çdo hap. Të dish se ekzistojmë është më e rëndësishme sesa të dish në çfarë momenti jemi. Zemra e Europës blen aplikacione për të perceptuar të tashmen, ushtrohet në vëmendje, do të arrijë mindfulness (vetëdijen), të jetojë në të tashmen. Më mirë sot sesa nesër, ditë pas dite, minutë pas minute. Periudha e shkurtër e operacioneve ekonomike transformohet në parim shpirtëror. Përqindja e interesit zero është përqindja e “gëzo të tashmen”. Si të ecësh mbi litar në park. Më të mirë të paguash abonimin e palestrës sesa fondin e pensionit. Jemi ultralokalë sepse jemi ultraglobalë. Nga këtu bumi i muzikës new age. Nga këtu, ndoshta, pasioni për Japoninë në mjediset kulturore europiane. Atje kultura e përqindjes së interesit zero ekziston prej dekadash. Ndërkohë, koleksionet e muzeumeve gëlojnë, blerjet e veprave të artit rriten në mënyrë konstante. Është formuar një lëvizje personash që blejnë vepra, e financuar nga elitat.

Kapitali është çmendur
Sinkronia e asinkronit është e dukshme kudo. Ushqime bio të importuara nga cepat më të largëta të planetit, Nike që kombinon atletet Huarache të viteve nëntëdhjetë me modelet aktuale. Është një realitet i përzier në të cilin punojnë edhe grupet e mëdha hi-tech: shtrirja virtuale dhe e personalizuar e ekzistueses. Secili hapësirën mendore të tij, plus gjithçka që nuk u shkakton shqetësime të tjerëve. Kjo botë është mbytëse, e rregulluar dhe politikisht korrekte. Hapat, ndjenjat dhe mendimet tona vërehen e regjistrohen dhe lind një kapital i ri të dhënash të padukshme që nuk futet në asnjë prej bilanceve të vjetra dhe krejt rastësisht, ushqen një strukturë të re që gllabëron botën materiale. Transparenca shërben për të vepruar në mënyrë të tillë që ky kapital i padukshëm të lulëzojë i pashqetësuar. Makina e madhe e modelit të ri ekonomik, e lidhur me një rrjet gjithnjë e më të gjerë, që eksperti i teknologjive Benjamin Bratton e quan black stack (mullar i zi), e përdor transparencën për të eliminuar faktorët bezdisës që has në rrugën e tij. Edhe pse kemi mësuar të bashkëjetojmë me përqindjen e interesit zero, nuk kuptojmë faktin që mjeti në të cilin jemi zhytur tashmë do edhe të shkëputet nga rritja. Rrjeti nuk është statik. Kundërshtari i shoqërisë së përqindjes të interesit zero është lëvizja e pastër dhe e thjeshtë. Edhe për këtë shoqëria e përqindjes së interesit zero duhet të heqë kufijtë. Rrjedhat ende të pashkruara të jetës së të ardhurve të rinj në brigjet europiane, paparashikueshmëria e tij, duken për këtë shoqëri kërcënimi i vërtetë. Midis njerëzve lundron frika nga ata të dhënat e të cilëve nuk janë të regjistruara. Europa ngre barriera për të garantuar rilevimin biometrik. Pikërisht ashtu si në Bruksel miratohen masa për të parandaluar disruption, përmbysjen totale, hopet evolutive aq të dëshiruara nga biznesmenët e Silicon Valley. Është një konflikt që ekziston edhe në brendësi të Shteteve të Bashkuara, ku kapitali i riskut lufton kundër kapitalit të vjetër. Ky i fundit fiton nga ruajtja e sistemit, ndërsa i kërkon që të përfitojë nga shkatërrimi i tij. Ky konflikt ka bërë që të shkrihet edhe ndarja tradicionale midis të djathtës dhe të majtës. Janë formuar aleanca krejtësisht të reja, siç mund të vërehet po të shikosh koalicionet e lindura në Gjermani apo mendimet e miliarderëve subversivë si Silvio Berlusconi dhe Donald Trump. Duket se për momentin gjithçka vërtitet rreth një përplasjeje midis progresistëve dhe konservatorëve, por përkufizimi i këtyre koncepteve ka ndryshuar.
Ata që i kundërvihen status kuosë, populistët emergjentë në pothuajse të gjithë vendet perëndimore, mund të konsiderohen progresistë sepse luftojnë kundër sëmundjeve të sistemit. Shfrytëzojnë forcën e ekspansionit të rrjetit dhe e konceptojnë në mënyrë territoriale. Antieuropeistët e djathtë hidhen në rrjet për të luftuar kundërshtarët e tyre që aspirojnë në kohezionin e Bashkimit Europian dhe kështu krijojnë grupin më koheziv të Parlamentit Europian. Grupi Shteti Islamik e shpall veten “shtet” dhe në ndryshim nga Al-Qaeda që mbështet argumente ideologjike të ngjashëm, por nuk vendoset në një vend të caktuar, kërkon që të pushtojë territore të mëdha. Kështu ideologët mesjetarë reaksionarë mund të promovohen si progresistë. Në kuptimin fizik janë të tillë. Kemi parë qartë sesa këto lëvizje kanë nevojë pikërisht për imobilitetin e shoqërisë me përqindje interesi zero: Shteti Islamik ka hedhur në erë mbetjet e Palmirës në Siri për t’u financuar më pas duke ua shitur copat koleksionistëve të artit. Zbulohet kështu se rreziku i vërtetë nuk është regresi, përqindja negative, pasi në njëfarë mënyre një regres mund të menaxhohet, ashtu siç mund të menaxhohet progresi. Rreziku qëndron pikërisht këtu. Syri profetik i kapitalit është verbuar. Dora e padukshme e tij nuk dihet më se çfarë kap, nuk ka më përqindje interesi që ta drejtojë. Kriza ka gjeneruar një krizë të re. Menaxherët e botës financiare ndjejnë detyrimin e mbajtjes në jetë të sistemit. Në një letër investitorëve të botuar kohët e fundit, sovrani i heshtur i Wall Street, Laurence Fink, president i Këshillit Administrativ të Blackrock, fondit më të madh të menaxhimit pasuror të botës, shkruan se sot kapitali gjendet në një mjedis armiqësor. Në një kontekst rënieje ekonomike, tërmeti teknologjik dhe paqëndrueshmërie gjeopolitike, ajo që e preokupon më shumë Fink janë zgjedhjet e bankave qendrore lidhur me përqindjet e interesit.
Kursimtarët, domethënë ata që shpresojnë ende tek e nesërmja, shkruan ai, po humbasin, ndërsa investitorët bëjnë zgjedhje gjithnjë e më të rrezikshme.
Bizneset i nënshtrohen në një masë gjithnjë e në rritje presionit të periudhës afatshkurtër në vend që të zhvillojnë projekte afatgjata. Kapitali është çmendur. Është në arrati dhe kërkon siguri në të gjithë botën. As ari nuk konsiderohet më i sigurtë. Kush ka para është gati t’i këmbejë paratë e tij me produkte investimi më të paqartë. Tregu i artit vazhdon të lulëzojë me vepra artistësh të panjohur të saposhfaqur në skenë, edhe pse askush nuk e di sesa vlejnë vërtet krijimet e tyre. Metrat e vlerësimit e kanë humbur vlerën e tyre: është kriza e autoritetit. Ka investitorë që i hedhin paratë e tyre tek konfeksionet e Lego-s apo tek uiski japonez. Për këtë arsye investitorët e Silicon Valley shkojnë në gjueti njëbrirëshash, startup-e që vlejnë miliarda edhe pse nuk kanë ende produkte për të shitur. Fenomeni godet deri bankat qendrore. Ka njerëz që blejnë monedha dixhitale korresponduese mezi me disa rreshta kod. Në të njëjtën kohë shpërbëhet materialiteti i së ardhmes. Kë do të zgjedhin njerëzit që janë privuar nga siguritë e tyre? Njerëzit për të cilët çdo lodhje ka qenë e kotë? Nuk do të dalim edhe aq me lehtësi, paralajmërojnë bankat. Si do të bënin të gjithë debitorët që po shpërdorojnë të ardhmen e tyre apo që janë strehuar tek imobiliaret – tek to nuk lëvizet – për të paguar këstet e tyre nëse papritmas do të rishfaqej një përqindje interesi? Në kartëmonedhat tona shikohen fusha, makina dhe njerëz.
Të gjitha gjëra që sigurohen në këmbim të parasë. Paraja simbolizon të gjithë këtë. Punë, kapital dhe kreativitet. Ajo që shikohet në kartëmonedhat është ajo që duhet të rritet me kartëmonedhat. Kështu, nëse paraja nuk mund të premtojë më asnjë të ardhme, atëherë as këto gjëra nuk mund ta bëjnë: është ky kërcënimi i përqindjes zero. Ndoshta ka qenë impulsi i kapitalit të çmendur që ia ka shtënë në mendje Shtetit Islamik që të hedhë në erë Palmirën për t’i shitur më pas copat. Bota e vjetër është katandisur në gërmadhë. Ndoshta i njëjti impuls do të na çojë shpejt në Mars, ku Elon Musk, themeluesi i SpaceX, projekton të krijojë një avampost të njerëzimit. Më 1490 një teknologji e re, e zhvilluar as 40 vite më parë, u përhap duke i dhënë fund një diçkaje shekullore. Shtypi me germa të lëvizshme i reduktoi ndjeshëm kostot e nevojshme për sigurimin e informacionit. Europa u unifikua dhe për një periudhë të shkurtër, pati edhe një vetëdije të sajën: Erazmusin e Roterdamit. Në të njëjtën kohë u zbuluan kudo territore të reja, kontinente të rinj, botë të reja. Njerëzimi rizbuloi vetëveten. Arriti rilindja. Lindi një imazh i ri i qenies njerëzore: humanizmi. Njerëzimi nisi të ëndërrojë. Më 1516 anglezi Thomas Moore shkroi “Utopinë”. Pak kohë më pas në qytezën Wittenberg një teolog i zemëruar nisi të shkruajë kodin bazë të shoqërisë së re. Librin që përcaktonte se çfarë ishte e drejtë dhe çfarë e gabuar: Biblën. Do të ishte libri më i shitur i kohës së tij.
Qeniet njerëzore marrin vendime mbi bazën e informacioneve që kanë në dispozicion. Nëse baza e informacioneve të tyre ndryshon, atëherë dhe veprimet e tyre modifikohen. Falë shtypit, idetë e reja qenë në dispozicion të të gjithëve, kudo dhe Luteri e përmbysi rendin e botës. Përpara Luterit një sipërmarrje e vetme, Kisha katolike, kishte pasur monopolin ndaj rregullave të sjelljes njerëzore. Me Luterin, Kisha Katolike u gjend përballë një konkurrence të ashpër. Të dy premtonin aksesin në parajsë. Ajo që pasoi qe riorganizimi i shoqërisë europiane. Një përmbysje e jashtëzakonshme përfshiu botën perëndimore në 100 vitet e mëpasme derisa u transformua në luftë, jo një luftë totale, por një gjendje emergjence permanente, që shpërthente në mënyrë të përsëritur, në nivel lokal dhe global. Një seri konfliktesh paralele që u shumëfishuan aq sa të bëhen një e pandarë. Një luftë ushtrish të përbëra nga njerëz të mundur nga përmbysja. Njerëz që nuk kishin më asgjë se çfarë të humbisnin dhe lëviznin mbi kufirin e dy botëve, një akoma e pamundur për t’u kuptuar dhe tjetra tashmë e pamundur për t’u mbajtur. Në qoftë se shpresat janë të mëdha dhe e tashmja është e pakuptueshme, shpesh harrohet se midis të sotmes dhe parajsës ka një rrugë që duhet bërë. Por kjo rrugë është e ardhmja e afërt. E nesërmja e vërtetë.

“Onepage”

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakJaponia në epokën e Trump
Artikulli tjetërArmiku i përkryer