Bosch: Po, ka raport për rikthimin e vizave

Ish–ambasadori i OSBE-së në Tiranë, së fundmi ambasador i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka pranuar ekzistencën e raportit të Policisë dhe Prokurorisë holandeze për rikthimin e vizave për shqiptarët. Raporti, që shpreh shqetësim për rritjen e kriminalitetit shqiptar, u mohua nga ambasadorja e Shqipërisë në Holandë.
“Nuk bëhet fjalë për një raport, por për një artikull të një gazete. Ai është një artikull i shkurtër me një intervistë me një polic. U habita kur e pashë artikullin e përkthyer si raport në disa media në Shqipëri. Në artikull thuhet se ekziston një memo, normalisht duhet të ekzistojë një gjë e tillë, nga ana e policisë, por nuk është raport”, u shpreh ambasadorja Aida Sakiqi.
Ambasadori Bosch as që e vë në dyshim ekzistencën e raportit, por thotë se ai duhet të mbetej në kuadrin e një dokumenti të brendshëm të policisë.
“Duhet të mbetej në kufijtë e një dokumenti të brendshëm të policisë, pasi policët nuk janë diplomatë”, deklaroi Bosch.
Ai tha se, shqiptarët janë kthyer në një problem për Holandën, por më së shumti ata që kërkojnë të emigrojnë në Angli.
“Kemi një problem të madh me shqiptarët në Holandë. Të rinjtë përpiqen që të shkojnë me anije drejt brigjeve britanike në mënyrë ilegale. Në të shumtën e rasteve nuk ia dalin dhe jetojnë në rrugë. Ata nuk vjedhin, por ama pjesa më e madhe e njerëzve nuk e pëlqejnë që ata enden rrugëve të Holandës. Holandezët u kërkojnë policëve që t’i dëbojnë, por duke pasur regjim të lirë të vizave, policët nuk munden ta bëjnë këtë. Këta emigrantë tregojnë në këtë formë se as nuk e kanë idenë se ç’do të thotë regjim i lirë vizash, sepse mendojnë se mund të bëjnë gjithçka. Unë mendoj se, nëse ka krim, dhe krim ka kudo, nuk mund ta përgjithësojmë që janë shqiptarët ata që e bëjnë krimin në Holandë, pasi pjesa më e madhe e shqiptarëve janë njerëz të mirë. Kjo gjë u bë e madhe tani, ka shkuar deri në rang ministrish, por le të jemi të arsyeshëm: kriminelët e vërtetë nuk i ndal regjimi i vizave. Do të ishte shumë e padrejtë që njerëzit normalë të jenë viktimat dhe e gjitha kjo për faj të një polici”, deklaroi Bosch.
Në raportin që Policia dhe Prokuroria e Holandës i dërguan qeverisë, thuhej se rivendosja e vizave do t’i mbante shqiptarët më larg Holandës. Në këtë mënyrë, bandat që drejtojnë kryesisht trafikun e drogës, nuk do ta kishin aq të lehtë të lëviznin.
Deklarata e Bosch, ndonëse e minimizon shqetësimin e shprehur në raport, është një shuplakë për qeverinë që nxitoi të nxirrte në publik ambasadoren për të përgënjeshtruar ekzistencën e dokumentit.

 

Artikulli paraprakKristiandemokratët holandezë; Mbështetje për aksionin opozitar të PD
Artikulli tjetërTabaku: Ekonomia në vështirësi nga detyrimet e prapambetura të OSHEE