Borxhi publik rritet sërish, arrin 1.68 trilion

Një nivel i tillë, i llogaritur në bazë të popullsisë prej më pak se 2.9 milionë rezidentësh që raporton INSTAT, tregon se çdo qytetar shqiptar, përveç borxheve të tij personale, ka një barrë borxhi prej 3.7 milionë lekësh të vjetra
Në fund të vitit të kaluar ai arriti nivelin më të lartë ndaj prodhimit të brendshëm bruto, duke arritur sa 74% e PBB-së
Borxhi publik i vendit ka arritur në 1 trilion e 68 miliardë lekë. Edhe pse nuk ka ndryshuar nivelin e tij ndaj prodhimit të brendshëm bruto, krahasuar me pak muaj më parë, borxhi në vlerë është në nivelet e tij më të larta. E llogaritur në euro borxhi arrin në 7.86 miliardë. Një nivel i tillë, i llogaritur në bazë të popullsisë prej më pak se 2.9 milionë rezidentësh që raporton INSTAT, tregon se çdo qytetar shqiptar, përveç borxheve të tij personale, ka një barrë borxhi prej 3.7 milionë lekësh të vjetra. Në fund të vitit të kaluar ai arriti nivelin më të lartë ndaj prodhimit të brendshëm bruto, duke arritur sa 74% e PBB-së. Në fund të vitit 2015, stoku i borxhit publik arriti në 1,043.1 miliard lekë, me një rritje 6.66% krahasuar me fundin e vitit 2014, ose 72.2% e PBB, kundrejt 69.83% në dhjetor 2014, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave. Në strukturën e stokut të borxhit publik, borxhi i qeverisë qëndrore përfaqëson 99.91% të stokut, ndërsa borxhi i pushtetit lokal 0.09% të tij, duke ruajtur të njëjtat nivele me fundin e vitit 2014. Sipas afatit origjinal të maturimit, struktura e stokut të borxhit përbëhet nga borxhi afatshkurtër 24.4%, kundrejt 29.3% në fund të vitit 2014 dhe borxhi afatgjatë 75.6% kundrejt 70.7% në fund të vitit 2014. Kjo ka ardhur si rezultat i faktit se, politika e ndjekur gjatë vitit 2015 për emetim-maturimet e borxhit të brendshëm ka qenë e tillë që ka synuar dhe arritur një zhvendosje të portofolit drejt instrumentave afatgjatë, sipas strategjisë afatmesme të borxhit. Gjithashtu edhe huamarrja e huaj është e gjitha afatgjatë. Sipas instrumentave të borxhit, 55.9% e stokut përbëhet nga instrumenta të emetuara në tregun e brendshëm dhe të jashtëm (Bono Thesari, obligacione, Eurobond), ndërsa kreditë e marra apo të garantuara në tregun e huaj dhe atë vendas përfaqësojnë 44.1% të stokut të borxhit, kundrejt 59.4% dhe 40.6% që ishte ky raport në fund të vitit 2014. Huamarrja e huaj në formën e kredive si edhe maturimet e realizuara në tregun e brendshëm gjatë vitit 2015, kanë ndikuar në rritjen e peshës specifike të kredive. Në krahasim me fundin e vitit 2014, stoku i borxhit të brendshëm të qeverisë është ulur me 2.36% ose -13.3 miliardë lekë. Për financimin e defiçitit stoku është ulur me -17.7 miliardë lekë, ndërsa nga garancitë është rritur me 4.4 miliardë lekë. Sipas afatit të maturimit, 57% e stokut të borxhit të brendshëm të qeverisë është borxh afatgjatë, kundrejt 51.6% në fund të vitit 2014. Treguesi i ditëve mesatare në maturim arriti në 706 ditë, vlera më e lartë historike, kundrejt 630 ditë në fund të vitit 2014, si rezultat i fokusimit të huamarrjes në instrumentat afatgjatë. Struktura e mbajtësve të borxhit të brendshëm ka pësuar ndryshime pozitive drejt diversifikimit të mëtejshëm gjatë vitit 2015. Borxhi i jashtëm përfaqëson 47.1% të stokut të borxhit të qeverisë qëndrore ose 33.97% të PBB. Në krahasim me fundin e vitit 2014 stoku i borxhit të jashtëm është rritur me 78.4 miliardë lekë, ose 19%. Kjo rritje vjen kryesisht si rezultat i shtesës së borxhit në stok me 73.5 miliardë lekë, ndërsa zhvlerësimi i lekut kundrejt monedhave përbërëse të stokut (me përjashtim të EUR), e ka rritur stokun me 4.9 miliardë lekë. Gjatë vitit 2015, ka vazhduar tendenca e uljes së yield-it mesatar të ponderuar të letrave me vlerë të qeverisë, i cili në fund të vitit 2015 arriti vlerën më të ulët historike prej 5.31%, kundrejt 5.386% në fund të vitit 2014. Ky tregues reflekton uljen e yieldeve të letrave me vlerë të qeverisë në tregun primar gjatë vitit si edhe uljen e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë. Shpenzimet për interesat e borxhit arritën në 38.6 miliardë lekë ose 2.67% e PBB.

Artikulli paraprakÇmimi i biletave ajrore nga Shqipëria deri katër herë më të larta se rajoni
Artikulli tjetërVicky for President