Borxhi i jashtëm, Shqipëria pagoi 190 milion euro për shlyerjen dhe interesat

Shqipëria pagoi 190 milionë euro vitin e kaluar vetëm për interesat dhe shlyerjen e borxhit të jashtëm. Shifrat janë bërë publike nga Banka e Shqipërisë, e cila raportoi se pjesa më e madhe e kësaj shume është shlyerje e borxheve të marra gjatë viteve të kaluara, ndërsa një pjesë tjetër më e vogël është pagesë interesash. Pagesat për të shërbyer borxhin e jashtëm pritet të rëndohen edhe më shumë gjatë viteve të ardhshme. Në tre vitet e fundit qeveria e ka orientuar thuajse të gjithë huamarrjen publike në tregjet e huaja. Të dhënat e  Bankës së Shqipërisë tregojnë se si pasojë e kësaj politike borxhi i jashtëm i qeverisë është rritur me ritme të shpejta duke arritur në mbi 3.4 miliardë euro në fund të vitit të kaluar. Krahasuar me fundin e vitit 2013, qeveria e ka rritur borxhin e jashtëm me mbi 50 për qind ose 1.2 miliardë euro. Borxhi i Qeverisë përbëhet nga huatë afatgjata, obligacionet dhe dëftesat kryesisht afatgjata. Shumë ekspertë thonë se rritja e shpejtë e borxhit të jashtëm shton rreziqet për qëndrueshmërinë financiare të vendit. Sipas tyre, financat publike të vendit do të jenë të ekspozuara përballë luhatjeve të kursit të këmbimit, veçanërisht  euros dhe dollarit. Por përtej kësaj, ekspertët paralajmërojnë se rreziku më i madh nga rritja e borxhit është ai i  se pagesat për shlyerjen e këtij borxhi do të rëndojnë ekonominë duke nxjerrë valutë jashtë vendit. Në shumë vende pagesat për borxhin e jashtëm kanë çuar në kriza të thella financiare, ku rastet më të fundit janë ai i Greqisë dhe Portugalisë.

Artikulli paraprakFuqizimi i Ivanka Trump
Artikulli tjetërKandidatja e Ramës për Kavajën, me biznes të përbashkët me Elvis Roshin