“Bomba” e merkatos

Gazeta portugeze “A’Bola” ka zbuluar dje bombën e merkatos së verës, largimin e Cristiano Ronaldos nga Real Madrid. Nuk është thjesht një thashethem, pasi lajmi është konfirmuar nga mediat spanjolle, të cilët janë siguruar që Ronaldo ia ka shprehur këtë dëshirë presidentit Florentino Perez, duke i kërkuar njëkohësisht që të mos e pengojë.
Sipas burimeve, vendimi ka ardhur pasi autoritetet financiare në Spanjë kanë nisur hetimin kundër lojtarit për evazion fiskal dhe shmangien e taksave për një shumë prej 14,7 milionë eurosh. Futbollisti mendon se po persekutohet në Spanjë ndaj dëshiron të largohet sa më parë nga ky vend, ku pavarësisht se ka fituar gjithçka, vazhdon të urrehet nga shumë tifozë.
Sipas “A’Bola”, vendimi i Ronaldos është i pakthyeshëm, që do të thotë se do të nisë negociatat shumë shpejt me klube të tjera. Ndërsa edhe spanjollja “Marca” bën të ditur se kjo situatë ka alarmuar madrilenët.
Gazeta spanjolle insiston se Florentino Perez është në kontakt të vazhdueshëm me futbollistin për të cilin pak ditë më parë ka marrë një ofertë prej 180 milionë eurosh. Nuk dihet se kush e ka bërë këtë ofertë, por në Spanjë janë të bindur se Manchester United, PSG dhe Monaco janë gati të bëjnë çmenduri në merkato për të siguruar firmën e tij, në atë që parashikohet si transferimi më i bujshëm në historinë e futbollit.
Pas raportimeve se portugezi do të largohet nga Los Blanco, kanë nisur edhe spekulimet e mediave se ku mund ta vazhdojë karrierën. Sipas të përditshmes sportive madrilene “AS”, Ronaldo ka disa opsione për ta vazhduar karrierën. Ronaldo, i cili ka kontratë me Realin deri në vitin 2021, ka oferta nga Kina, Amerika, PSG, Manchester United dhe Manchester City.
Por bomba për Realin nuk mbaron këtu pasi edhe Toni Kroos mund të largohet nga Madridi. Sipas revistës sportive javore, e cila botohet në Spanjë, menaxheri i Manchester City, Pep Guardiola ka nisur misionin për transferimin e Toni Kroosit nga Real Madrid. Ish-trajneri i Barcelonës dëshiron që ta sjellë në “Etihad” reprezentuesin e Gjermanisë, për ta përforcuar skuadrën për sezonin e ri.
Kroos ka qenë njëri ndër më meritorët që Real Madrid fitoi La Ligën dhe Ligën e Kampionëve.  Kështu, Los Blancos vështirë se do të pranojë shitjen e ish-anëtarit të Bayern Munichut. Kroos, i cili pëlqehet edhe nga menaxheri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho, ka kontratë me Real Madridin deri në vitin 2022.

Artikulli paraprakReal Madridi nis bisedimet për transferimin e Mbappe
Artikulli tjetërNuk e dua Bonuçin në Madrid