BND gjermane përgjime të krerëve të qeverive, në BE dhe NATO

Në vitin 2013 Kancelarja Merkel u shpreh pas bërjes publike të skandalit për përgjimin e telefonit të saj nga NSA-ja amerikane: “Përgjim mes miqsh, kjo nuk shkon”. Por më vonë u bë e qartë: Po, shkon. BND-ja e kishte bërë po të njëjtën gjë në BE dhe NATO. Në këtë përfundim arrin Bundestagu, një përfundim që përmban brenda mjaft lëndë eksplozive.
Në aferën e BND-së janë publikuar tani detaje të reja për përmasat e aksionit të përgjimit deri në tetor 2013. Sipas agjencisë së lajmeve “dpa”, që zotëron një vlerësim të komisionit hetimor të Bundestagut për kontrollin e shërbimeve sekrete dhe skandalin e përgjimit të BND-së janë përgjuar “një numër dyshifror i vogël” i zyrave në BE apo vendet e NATO-s. Këtu përfshihen krerë qeverish, ministra, rrethi i tyre, zyra ose shtabi. Më intensivisht BND-ja gjermane ka përgjuar përfaqësitë diplomatike të BE-së apo NATO-s në botë. Në këtë kategori futen gati dy të tretat e përgjimeve të 3.300 objektivave që kishte vënë në shënjestër shërbimi sekret gjerman, BND, deri në fund të vitit 2013. Si shembuj përmenden armatimi, transporti, baza ushtarake, mediat dhe konsultimet.
Zbulimet e reja mund ta vënë në situatë të vështirë Kancelaren Merkel dhe qeverinë e koalicionit me bazë të gjerë, edhe pse shumë aksione përgjimi ishin anuluar nga BND-ja deri në fund të 2013-s, sipas pohimeve të saj. Qeveria gjermane në situatën aktuale në Europë pas Brexit dhe krizës së refugjatëve është e varur nga bashkëpunimi dhe partneriteti me vendet e BE-së.
Komisioni hetimor i Bundestagut në seancën e fundit para fillimit të pushimeve të verës i jep BND-së një çertifikatë jo pozitive. Shumë nga aksionet e përgjimit ishin edhe të panevojshme ose edhe jo proporcionale. Madje ka raste që ato “nuk kanë qenë në përputhje me detyrën dhe nga ana ligjore të palejueshme”. Deputeti i Gjelbër gjerman, Hans-Christian Strobele e akuzon BND-në për shkelje të ligjit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.

Artikulli paraprakObama kërkon një Europë të bashkuar
Artikulli tjetërSHBA kërkon anëtarësimin e Malit të Zi në NATO