Blockchain: Një instrument për të na shpëtuar apo….?

Në nëntorin e vitit 2008, një libër i bardhë i titulluar “Bitcoin: A Peer-to-Peer Electronic Cash System” (Bitcoin: Një sistem paraje elektronike peer-to-peer) i Satoshi Nakamoto, një individ apo grup misterioz, paraqiti blockchain, deri më tani ndoshta risia më e rëndësishme e shekullit të XXI-të. Përmbledhja e dokumentit fillon kështu: “Një version pastërtisht peer-to-peer i parasë elektronike do të mundësonte që të bëheshin direkt pagesa online nga një anë në tjetrën pa kaluar nëpërmjet një institucioni financiar… Rrjeti vendos datën dhe orën e transaksionit, duke i shifruar në një zinxhir të vazhdueshëm proof-of-work të bazuar mbi një sistem hashing, duke formuar kështu një regjistrim që nuk mund ta modifikohet pa ribërë proof-of-work”. Libri i bardhë prej 9 faqesh përshkruan 8 karakteristika të valutës dixhitale bitcoin të propozuar, që e ka pasur origjinën në janarin e vitit 2009 me emetimin e bitcoin-ëve të para. Satoshi Nakamoto ka krijuar bllokun e parë të bitcoin (bllokun fillestar) me një shpërblim prej 50 bitcoin-ësh jo të shpenzueshëm. Uebsajti investopedia.com ofron një përshkrim të thjeshtë të teknologjisë blockchain: “Një blockchain është një regjistër publik i të gjitha transaksioneve në kriptovalutë të pakryera ndonjëherë. Rritet dora-dorës që shtohen blloqe “komplete” me një seri të re regjistrimesh. Blloqet i shtohen blockchain në rend linear, kronologjik. Çdo nyje (e lidhur nëpërmjet kompjuterit me rrjetin Bitcoin, duke përdorur një klient që luan funksionin e konvalidimit dhe ritransmetimit të transaksioneve) merr një kopje të blockchain, e cila shkarkohet automatikisht kur hyhet për t’u bërë pjesë e rrjetit Bitcoin… “Një bllok është pjesa “korrente” e një blockchain që regjistron disa prej transaksioneve të fundit, ose të gjitha, dhe sapo përfundon, futet në blockchain si databazë e përhershme. Çdo herë që kompletohet një bllok, gjenerohet një i ri. Ekzistojnë blloqe të panumërta të llojit në blockchain… [Blloqet] janë të lidhur njëri me tjetrin (si zinxhir) në një rend linear në kuptimin e vërtetë të fjalës, me çdo bllok që përmban një hash të bllokut të mëparshëm”. Nëqoftëse krahasojmë blockchain me sistemin bankar klasik, do të gjejmë se është e ngjashme me një histori të plotë transaksionesh bankare. Transaksionet në bitcoin vendosjen në renditje kronologjike në blockchain siç ndodh për transaksionet e veçanta bankare dhe blloqet janë të ngjashëm me ekstraktet e veçanta të llogarisë. Në 9 vitet që kanë kaluar qysh kur Satoshi ka krijuar blockchain dhe bitcoin, janë lançuar më shumë se 900 kriptovaluta, që kanë përcaktuar aplikime në sistemin bankar, në sistemin e regjistrimit, në kuadër qeveritar dhe në asistencën shëndetësore, përveçse në sektorë të tjerë pak të prekur nga fenomeni.

Valutat dixhitale përpara blockchain
Satoshi Nakamoto nuk e ka shpikur paranë dixhitale, por libri i bardhë i tij ka qenë i pari që ka propozuar përdorimin e blockchain për kriptovalutat. Në vitin 1990 kriptografi Davi Chaum krijoi DigiCash, duke përdorur Blind Signature Technology, që “mundëson realizimin e sistemeve të pagesave jo të gjurmueshëm në gjendje që të ofrojnë mundësinë për të kryer verifikime dhe kontrolle më të mëdha respektivisht sistemeve aktuale, duke garantuar në të njëjtën kohë një privatësi më të madhe në nivel personal”. Në vitin 1998, DigiCash dështoi. Beenz.com dhe Flooz.com, të themeluara respektivisht në 1998 dhe në 1999, krijuan kriptovaluta për të lehtësuar blerjet në dyqane të caktuara. Flooz.com u mundësonte përdoruesve që të blinin valutën e tyre virtuale të përdorshme online pranë dhjetëra sajteve të rishitësve me pakicë. Megjithatë, të dyja kompanitë falimentuan me rastin e rënies së new economy të vitit 2001. Në 1999, InternetCash regjistroi patenta të ndrushme për të mbrojtur sistemin e tij monetar, të bazuar mbi karta të parapaguara. Mbështetej mbi një rrjet tregtarësh pjesëmarrës që kërkonin “keshin”. Edhe kjo iniciativë përfundoi keq gjatë rënies së new economy. Megjithëse kriptovalutat paraqiten si alternativa ndaj sistemeve financiare e bankare, është e nevojshme që të shqyrtohet, anipse shkurtimisht, influenca e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare amerikane (National Security Agency ose shkurtimisht NSA) lidhur me zanafillën e tyre. Në qershorin e vitit 1996 Dega e Kriptologjisë së NSA-së shkroi një raport të titulluar: “Si të krijosh një valutë: Kriptografia e parasë elektronike anonime”. Në konkluzionin e tyre, autorët bënë komentin e mëposhtëm: “Ky raport ka përshkruar regjime të ndryshme novatore pagesash që garantojnë anonimitetin e përdoruesit dhe moskompromentimin e pagesave. Regjime të tilla paraje elektronike përdorin mekanizma kriptografikë për të përballuar problemet e shpenzimeve të shumëfishta dhe të falsifikimit të monedhës… “Pasi është e thjeshtë të bëhet kopja e saktë e një monedhe elektronike, një sistem paraje elektronike i sigurtë duhet të përfshijë një mënyrë për t’u mbrojtur nga shpenzimet e shumëfishta… “[…] Anonimiteti mund të ofrohet në nivele të ndryshme, por gjithnjë e më shumë niveli i anonimitetit bën të rriten edhe dëmet potenciale. Është e nevojshme që të shqyrtohet nevoja për anonimitet karshi këtyre preokupimeve. Deri mund të konkludohet se është më mirë të shmangen probleme të kësaj natyre, duke përdorur një sistem elektronik të sigurtë pagesash në gjendje që të garantojë privatësinë, por pa anonimitetin”. Megjithëse, duke mos e dhënë modelin e blockchain, ky libër i bardhë merr në shqyrtim masat e ndërmarra për të zëvendësuar paranë kesh me kriptovaluta dixhitale.

Bitcoin dhe Ethereum
Të flasësh në detaje për të dy sistemet më të njohura të kriptovalutës, Bitcoin dhe Ethereum, është përtej limiteve të këtij artikulli. Megjithatë, tiparet dhe aplikimet e tyre janë të domosdoshme në studimin e blockchain dhe të mënyrës sesi po përdoret për të paraqitur një valutë të re botërore. Pavarësisht se rrjeti Bitcoin përbën një sistem pagesazh dixhitale peer-to-peer që nuk përdor ndërmjetës, njësia bitcoin mund të shkëmbehet me valuta të tjera apo me produkte ose shërbime të tjera. Bitcoin nuk ka nevojë për një autoritet qendror dhe fondet nuk janë të lidhur me njerëz në botën reale, por me adresa Bitcoin. Pavarësisht kësaj, të gjitha transaksionet në blockchain janë publike. Rrallësia shpjegon të paktën pjesërisht vlerësimin e shpejtë e bitcoin e të kriptovalutave të tjera vitin e kaluar. I vetëm, Satoshi ka krijuar 21 milionë në bitcoin, të cilat mund t’u bashkangjiten programuesve, nëpërmjet një procesi që implikon zgjidhjen e një kokëçarjeje të vështirë matematikore lidhur me bllokun aktual të zinxhirit. Një bllok i ri i shtohet blockchain çdo rreth 10 minuta dhe ka përmasa të barabarta me 1.0 MB, ekuivalentë me 7 transaksione në sekondë. Krahasuar me të, Visa përpunon 2000 transaksione në sekondë. Kundërshtimi, nga ana e një numri të caktuar zhvilluesish të valutës, ndaj përmasave të reduktuara të bllokut dhe ngadalësisë së transaksioneve ka përcaktuar më 1 gusht të 2017 Bitcoin Hard Fork, me të cilin është ndalë bitcoin në dy kriptovaluta të veçanta, dhe ajo e reja është quajtur Bitcoin Cash. Kjo valutë “dygjuhëshe” nënkupton se kriptovaluta e re, megjithëse duke qenë e krijuar, e dyfishon blockchain fillestar, kështu që, të paktën teorikisht, një posedues bitcoin disponon të dy valutat.Ethereum, kriptovaluta e dytë më popullore, është propozuar nga kriptografi Vitalik Butterin nga fundi i 2013 dhe është aktivizuar më 30 korrik të 2015. Valuta e tij, ether, katalogohet si EHT në shkëmbimet e kriptovalutës. Në 2016 rrjeti është ndarë në dy blockchain, Ethereum dhe Ethereum Classic, pas vjedhjes së 50 milionë dollarëve në ether nga ana e një entiteti anonim. Risia themelore e tij, Ethereum Virtual Machine, është një software i plotë që zhiron në rrjetin Etherium dhe i mundëson kujtdo që të lëshojë çfarëdo programi, pavarësisht nga gjuha e programimit. Sipas uebsajtit Ethereum.org: “Ethereum është një platformë e decentralizuar që menaxhon të ashutuqjaturat smart contract, domethënë aplikacione që funksionojnë saktësisht në mënyra të programuar pa asnjë mundësi kohe të vdekur, mashtrimi apo ndërhyrjesh nga palë të treta. “Këto aplikacione xhirojnë në një blockchain të personalizuar, një infrastrukturë globale me fuqi të madhe që mundëson të xhirohen vlera dhe të përfaqësohet prona e mallrave. Kjo u mundëson zhvilluesve që të krijojnë tregje, të ruajnë regjistra borxhesh apo premtimesh, të lëvizin fonde në konformitet me udhëzime të dhëna shumë kohë më parë (si në një testament apo në një kontratë të ardhme) dhe shumë gjëra të tjera që nuk janë shpikur akoma, e gjitha kjo pa një ndërmjetës apo një rrezik të caktuar”. Megjithëse duke e përdorur të dyja teknologjinë blockchain, Bitcoin dhe Ethereum kanë aplikime të ndryshme. Ndërsa sistemi Bitcoin synon që të revolucionarizojë online banking dhe të rrëzojë PayPal, qëllimi i Ethereum konsiston në përdorimin e blockchain për të zëvendësuar palët e treta në internet, sidomos ato që magazinojnë të dhëna, ndjekin instrumentë financiarë kompleksë dhe transferojnë kredi. Vetëm ky përshkrim i shkurtër i Ethereum duhet ta alarmojë lexuesin ndaj potencialit shqetësues të kësaj kriptovalute në vitet e ardhshme. Edhe pse blockchain është shpikur për bitcoin, aplikimet e tij shkojnë goxha përtej kësaj kriptovalute, duke arritur që të ofrojë rrjete transferimesh private të sigurta të përdorshëm edhe për çdo gjë me vlerë, përfshi aksione, obligacione apo deri akte imobiliare. Mbështetësit fanatikë e sistemit Bitcoin theksojnë se kriptovaluta është e sigurtë dhe e mbrojtur nga ndërhyrje qeveritare dhe se i ofron qytetarit një vend për të magazinuar pasuri jo të arritshëm nga çdo bankë qendrore apo Fond Monetar Ndërkombëtar (FMN). Veç kësaj, i theksojnë anonimitetin. Fatkeqësisht, vjedhja e 50 milione dollarëve në ether e vitit 2016 dhe zhdukja në 2014 e milionave nga regjistri MT.GOX në Tokio tregojnë se disa kriptovaluta paraqesin probleme sigurie dhe anonimiteti.

Banka dhe korporata adoptojnë blockchain

Në kundërshtim me besimin e rëndomtë sipas të cilit kriptovalutat dhe teknologjia blockchain do të përjashtonin bankat, shumë prej bankave të mëdha botërore po i përqafojnë këto novatorizma.
• Në dokumentin e saj të diskutimit të shkurtit 2015 të titulluar “One Bank Research Agenda”, Bank of England ka eksploruar mundësinë e krijimit të kriptovalutës së saj.
• Në Shtetet e Bashkuara, sipas asaj që theksojnë analisët e valutave Doug Casey dhe J.P. Koning, sistemi i Federal Reserve po planifikon jo vetëm emetimin e kriptovalutës së quajtur Fedcoin, por edhe masa për të siguruar që amerikanët të nisin e ta përdorin.
• Në shtatorin e 2016, uebsajti Business Insider ka përcjellë lajmin e mbështetjes amerikane për valutat dixhitale: “Dhoma e Përfaqësuesve ka miratuar rezolutën jodetyruese që nënvizon impaktin pozitiv që valutat dixhitale dhe teknologjia blockchain mund të kenë mbi sistemet financiare… Teknologjia blockchain është e pajisur me potencialin e nevojshëm për të transformuar mënyrën me të cilën shkëmbehen informacionet. Blockchain mund të rrisë besimin dhe sigurinë në industri të tilla si shërbimet financiare dhe pagesat, duke e bërë më të lehtë e më të sigurtë, midis individëve dhe bizneseve, shkëmbimin e informacioneve, përfshi detajet personale dhe financiare. Kjo sepse llogaritë blockchain janë me provë mosndërhyrjeje dhe transaksionet e bazuara mbi blockchain janë në gjendje që të përmbajnë sasi të mëdha të dhënash. Veç kësaj, llogaritë blockchain mund t’i kërkojnë secilës palë që ta verifikojnë një transaksion, duke u garantuar që informacionet nuk do t’u kalohen palëve të treta pa autorizimin e të gjitha palëve pjesëmarrëse”.
Edhe bankat e mëdha tregtare dhe ato të investimeve po e përqafojnë teknologjinë blockchain.
• Në shtatorin e 2014 CBW Bank dhe Cross River Bank janë bërë institucionet e para financiare amerikane që kanë adoptuar protokollin blockchain të Ripple.
• Blythe Masters, ish-Administrator i JPMorgan Chase, ka nisur Digital Asset Holdings për të ideuar “software që do t’u mundësojnë bankave, investitorëve dhe operatorëve të tjerë të tregut që të përdorin teknologjinë blockchain për të modifikuar mënyrën me të cilën shkëmbejnë tituj, obligacione dhe resurse të tjera financiare”.
• Në marsin e 2017 një konsorcium bankash japoneze ka njoftuar se dëshiron të përdorë blockchain (teknologji Ripple) për pagesat e brendshme dhe ndërkombëtare.
• Në qershorin e 2017 CNCB-ja ka referuar se “IBM-ja po ndërton një teknologji blockchain që do të përdoret nga 7 prej bankave më të mëdha europiane, midis të cilave HSBC-ja dhe Rabobank-a, me qëllim që të lehtësojë tregtinë ndërkombëtare për bizneset e vogla e të mesme”.
• Në korrikun e 2017 Goldman Sachs e ka mirëpritur teknologjinë blockchain duke i kushtuar një uebfaqe.
Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakNjë manual i vogël për Europën
Artikulli tjetërBanorët e Dibrës ngrihen në protestë kundër ndërtimit të HEC-eve