Blinken do të marrë pjesë në samitin e OSBE-së në Shkup

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të marrë pjesë në një darkë joformale në Këshillin Ministror të shteteve anëtare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), që mbahet në Shkup më 30 nëntor dhe 1 dhjetor, tha të shtunën ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Më herët është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e një delegacioni rus, ku do të duhet të jetë edhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov. Por, për ardhjen e tij të mundshme ende nuk ka konfirmim zyrtar.

Më 24 nëntor, Qeveria e Maqedonisë së Veriut mori vendim për ta hequr ndalesën e fluturimeve të avionëve rusë vetëm për fluturimin e delegacionit rus.

“Sigurisht që nuk duhet të presim që të gjithë të qëndrojnë për tri ditë. Këta janë njerëz të rëndësishëm që do të vijnë në një pjesë të ngjarjes dhe do të largohen. Se a do të përkojnë datat e qëndrimit të tyre, nuk mund të them, sepse ende jemi duke i përcaktuar ato”, tha Osmani në konferencën për media.

Osmani ka thënë më herët se Lavrovi ia kishte dërguar një letër në fillim të nëntorit në të cilën, “ka treguar interes dhe kërkesë për të siguruar praninë e tij në Shkup”.
Para disa ditësh, Osmani tha se kërkesat për viza të delegacionit rus janë duke u proceduar dhe sapo të ketë informacione, opinioni do të informohet.

“Vendimi për sanksionet e Bashkimit Evropian nuk vlen për ngjarjet e natyrës shumëpalëshe siç është OSBE-ja, prandaj është vendim i qeverive që duhet ta sjellin, por ka një bazë ligjore në BE. Tani, ne dhe të paktën një nga vendet tona fqinje duhet të marrim një vendim të tillë. Bullgaria apo Greqia për të mundësuar një fluturim të tillë”, tha ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, më 15 nëntor.

Artikulli paraprakKanceri: Gjashtë shenja të dyshimta që paralajmërojnë sëmundjen. Çfarë duhet të bëni
Artikulli tjetër“E ktheu përmbys kontratën e sterilizimit, dëm ekonomik dhe favore”, BIRN: Arsyet pse gjykata vlerëson se Beqaj duhej të ishte në qeli