Blerjet online mposhtin dyqanet

Bota priret më shumë drejt blerjeve online sesa atyre në dyqane, një trend në fakt, jo tepër surprizues nëse merren në konsideratë edhe zhvillimet në teknologji. Nga të dhënat zyrtare, amerikanët kanë preferuar “tregtinë elektronike” në fundjavat e uljeve të mëdha si “e Premtja e Zezë”. Gjithsesi, duket se ky trend është tërësisht në kontrast me situatën në Shqipëri, ku taksat mbi blerjet online kanë bërë që ky trend të tkurret.
Migrimi i konsumatorëve nga dyqanet tek blerjet online përgjatë fundjavës së Falënderimeve dhe Të Premtes së Zezë, vazhdoi në mënyrë dramatike edhe këtë vit, duke dëshmuar gjithnjë e më shumë trendin e ri botëror ndaj “e-commerce” ose “tregtisë elektronike”.
Kjo zhvendosje ka shtuar presion mbi mënyrat tradicionale të shitjes, të cilat tashmë rivalizohen fuqishëm nga faqe online të shitjes si Amazon.com.
Sipas një sondazhi të Federatës Kombëtare të Shitjeve, 108.5 milionë amerikanë përllogaritet të kenë blerë online përgjatë fundjavave të ofertave që i japin fillim edhe periudhës së festave të fundvitit.
Krahasuar me të dhënat e vitit të kaluar, kjo do të thotë se rreth 10 milionë amerikanë më shumë kanë preferuar të kryejnë blerje online sesa në dyqane dhe kjo vetëm gjatë fundjavës së “Të Premtes së Zezë”.
Kjo shifër nuk është aspak surprizuese për shumë firma, të cilat kishin filluar matjen e shitjeve online që në Ditën e Falënderimeve, duke eklipsuar kështu edhe pragun e përllogaritur të fitimeve, të cilat këtë vit, shënuan rekord me 7.23 miliardë dollarë.
Kjo zhvendosje i jep gjithashtu përgjigje faktit se përse shumë qendra tregtare ishin relativisht të qeta para natës që shënon edhe fillimin e “Të Premtes së Zezë”, në kontrast me valën e madhe të viteve të mëparshme.
Gjithsesi kjo nuk do të thotë se shitjet në dyqane janë tërësisht të dala jashtë mode. Sipas vëzhgimeve, shitjet në dyqane ishin tepër popullore për grupmoshat 18–34 vjeç.
Duket se ky trend qëndron tërësisht në kontrast me situatën në Shqipëri, ku blerjet online tashmë taksohen, me shpresën se do t’i jepet kështu një shtysë konsumit në ngërç. Kjo natyrisht ka çuar në një tkurrje të numrit të personave që tashmë kërkojnë të blejnë përmes internetit.

Artikulli paraprakItalia rrit borxhin e jashtëm në 20 miliardë euro
Artikulli tjetërEuro rritet në bursa, bie në Tiranë