Blegtorët të pashpresë

Blegtorët, këtë fillimvit, janë të detyruar ta sheshin qumështin 33% më lirë, pasi ka një kërkesë të ulët në markete dhe fabrikat janë plot me stoqe. Edhe pse çmimet e bulmetit me pakicë në vendin tonë janë më të lartat në Europë, ato nuk janë të mjaftueshme për të siguruar qëndrueshmërinë e të gjithë zinxhirit të tregut të bulmetit nga prodhimi në market. Mungesa e subvencioneve dhe ngarkesa e lartë fiskale në të gjithë zinxhirin e prodhimeve blegtorale e ka bërë çmimin e qumështit në ferma 40-50% më të lartë se qumështi i papërpunuar nga importi. Fermat e të imtave falimentojnë nëse shesin poshtë nivelit 160 lekë, ndërsa ato të lopëve, poshtë nivelit 930 lekë për litër. Rritja e subvencionit dhe reduktimi i TVSH vlerësohen si zgjidhje të shpejta
Blerina Hoxha

Dafina, pasi punoi disa vite në Greqi në sektorin e blegtorisë, u kthye në Shqipëri bashkë me bashkëshortin dhe tre fëmijët për të ndërtuar fermën e saj me dele të racës pranë familjes, me përvojë shumëvjeçare në mbarështimin e bagëtive për qumësht.

Sot ajo është e zhgënjyer, me borxhe dhe kredi, pa një treg për produktet dhe gati me vendimin për t’u larguar sërish. Në këtë fillimviti, baxhot nuk po i japin më shumë se 100 lekë për litër qumësht, teksa ajo thotë se poshtë 150 lekë është me humbje.

“Bleva jashtë vendit 200 dele të racës franceze. Profesionin e njoh, pasi kam punuar në Greqi. Mora toka me qira dhe po përdor një stallë të vjetër.

Tokat vitin e kaluar u përmbytën dhe nuk munda që t’i mbjell, kështu që pagova qira pa asnjë përfitim. Në anën tjetër, ujku më dëmtoi delet, pasi u detyrova të përdor kullota në mal.

Tani kam marrë kredi për të blerë misrin për të ushqyer tufën, nuk mund ta përballoj uljen e çmimit”, tha Dafina, e cila e ushtron aktivitetin në zonën e Balldrenit në Lezhë. Si Dafina janë shumica e blegtorëve shqiptarë, të cilët janë të ekspozuar nga ndryshimi i çmimeve nga dita në ditë, në një kohë që kostot sa vijnë e rriten.

Si po intensifikohet kriza

Blegtoria shqiptare është në një pikë që, nëse nuk subvencionohet dhe lirohet nga taksat, do të shkojë drejt zhdukjes. Rritja me 25% e çmimit vitin e kaluar e ka bërë qumështin dhe nënproduktet e tij të paprekshme në raftet e marketeve në këto ditë janari, kur mungojnë edhe turistët.

Fabrikat pohojnë se rënia e kërkesës në tregjet e pakicës ka krijuar stoqe, fenomen që po shton presionin blegtorët për uljen e çmimit të qumështit.

Blegtorët e të imtave, të cilët shiten me çmim të lartë vitin e kaluar (180 lekë litri qumështin e dhisë dhe deles) janë hedhur këto ditë në protesta, pasi pretendojnë se ulja e çmimit poshtë 160 lekë për litër i çon në faliment. Në Bashkimin Europian, një kilogram qumësht i dhisë kushtoi në muajin janar 2023 rreth 105 euro për 100 kilogram (ose 1,05 euro për kilogram).

Një kilogram i qumështit të lopës nga ferma në tregun shqiptar aktualisht shitet nga 50-90 lekë për kilogram në varësi të rajonit dhe llojit të fermës, ndërsa në BE, çmimi mesatar i një kilogrami qumësht në fermë është 35-45 cent.

Veç të tjerash, tregu i bulmetit vuan nga çrregullimi i lartë i kërkesës dhe ofertës. Luis Ndreka, nga kompania “Lufra”, tha se në sezonin e verës ka shumë kërkesë, e cila nuk përballohet nga qumështi i blegtorëve, ndërsa tani ka qumësht, po nuk ka kërkesë në treg.

Prodhuesit dhe blegtorët pohojnë se kostot në zinxhirin e blegtorisë janë të larta, pasi shteti nuk e subvencionon sektorin. Me heqjen e përjashtimit të TVSH, duke rikthyer edhe një herë nivelin 20%, situata e përkeqësua më tej. Çmimi i qumështit në fermë aktualisht është 40% deri në 80% më i lartë se në BE dhe rajon.

Në Shqipëri, vitin e kaluar, blegtorët që kishin mbi 10 krerë lopë morën nga 98 euro për kokë me dy këste.

Ndërsa në Serbi pas grevës së blegtorëve, vitin e kaluar, subvencioni për një lopë qumështi është 365 euro dhe për çdo litër, blegtori merr mbrapsht 0.16 cent.

Kjo diferencë në çmime po i orienton fabrikat shqiptare drejt importit të qumështit nga jashtë, gjë që do të thotë se është një presion i shumëfishtë për blegtorët që tashmë vuajnë nga kostot e larta të lëndës së parë, mungesa e fuqisë punëtore dhe braktisja e fshatit.

Zoti Begeja, nga kompania “Erzeni”, thotë se, vitin që shkoi kishte kërkesë të lartë në treg për produkte të bulmetit nga të imtat dhe konkurrenca ishte shumë e fortë, duke rritur çmimet e qumështit në nivele jashtë çdo lloj arsyeje biznesi.

Vitin e kaluar pati vështirësi për furnizime nga jashtë, pasi edhe Rajoni po vuante pasojat e vitit të kaluar, por tani situata është normalizuar.

“Këto çmime u reflektuan edhe në treg, duke ua bërë të pamundur konsumatorëve për t’i blerë, duke sjellë uljen e konsiderueshme të konsumit dhe i gjithë prodhimi është stok në magazinat e përpunuesve. Edhe pse përpunuesit i kanë ulur çmimet nën kosto, përsëri kërkesa për këto produkte është shumë e ulët.

Në këtë situatë jemi të detyruar të reflektojmë uljen e çmimeve te fermerët, por edhe në shitjen e djathit me shumicë, me qëllim rritjen e konsumit”, – tha zoti Begeja. Blegtorët e të imtave kanë pohuar se shitjet nën 160 lekë për kilogram e bëjnë të pamundur mbarështimin.

Taulant Pupa, administratori i fabrikës së përpunimit të qumështit “Vita 2001”, thotë se në zonën e Korçës, çmimi i blerjes së qumështit për shkak të mungesës së shitjeve ka rënë. Sipas tij, çmimet e qumështit të lopës kanë rënë nga 70 lekë në 65 lekë për litër pa TVSH.

Madje disa fabrika, sipas tij, po e blejnë qumështin nga fermeri 50 lekë për litër pa TVSH. Zoti Pupa tha se rënia e çmimit nuk i favorizon fermerët, të cilët në këto momente janë të dyzuar të qëndrojnë në Shqipëri apo të largohen në emigracion. Kjo pritet të ndikojë te rënia e prodhimit të qumështit, pasi çmimi i ulët nuk e nxit fermerin të mbajë bagëti.

Ervin Resuli, i cili ka një fermë të nivelit mesatar në zonën e Fierit tha se, çmimet nën 93 lekë për litër me TVSH falimentojnë fermat e lopëve.

 

Luhatjet në çmime dëmtojnë blegtorinë

Shqipëria nuk ka një konsum të shpërndarë në mënyrë të qëndrueshme në të gjithë muajt e vitit. Vitin e fundit pati një kërkesë jo të zakontë në tre muajt e verës, për shkak të fluksit të lartë të turistëve.

Pas festave të dhjetorit, tani në janar, shitjet kanë prekur fundin. Administratorët e kompanisë “Erzeni” pohuan se çmimi i djathit të deles dhe dhisë është ulur me 18%, nën kosto por sërish nuk ka shitje.

Vitin e kaluar, në pranverë, djathi kaçkavall i deles arriti në 1500 lekë për kilogram, nga 1350 që ishte më parë, ndërsa aktualisht gjendet me ulje në markete edhe me 1200 lekë kilogrami.

Në këtë periudhë, çmimi ka rënë, pasi në vend është vetëm popullsia rezidente, e cila është në ulje, në krahasim me 10 vite më parë nga emigracioni i lartë. Sipas INSTAT, nga viti 2011-2022 kanë emigruar mbi 500 mijë njerëz.

Përpunuesit e brumërave dhe importuesit e sheqerit kanë dhënë alarmin se konsumi në vend ka rënë si rrjedhojë e niveleve të larta të emigrimit të të rinjve, që janë edhe konsumatorë të mëdhenj të këtyre produkteve.

Është e vërtetë që çmimet e bulmetit në vend janë të larta, si të produktit final, por gjithashtu edhe ato të blerjes nga fermat. “Kostoja e lëndës së parë qumësht ferme është mbi 50% e kostos totale të produktit final.

Sigurisht që ka ndikim të madh te çmimi i produktit final, që do të thotë se, nëse çmimi i qumështit do të bjerë, rrjedhimisht do të ulet edhe çmimi i produktit në raft”, – tha z. Ndreka nga kompania “Lufra”.

Shoqata e Përpunuesve të Qumështit argumenton se, duhet patjetër që lënda e parë në sektorin e përpunimit të qumështit, pra qumështi i freskët që blihet nga fermerët, të ketë një çmim të barabartë, ose shumë të përafërt, me çmimin e qumështit të prodhuar nga fermerët e rajonit ose të Bashkimit Europian.

Vetëm në këtë mënyrë, sipas Shoqatës, mund të këtë perspektivë dhe rritje sektori i përpunimit të qumështit në vendin tonë.

Nëse në Shqipëri, kompanitë e përpunimit do të vijojnë të operojnë me kosto shumë të larta, atëherë do të jetë e pamundur që të përballohet presioni i vazhdueshëm i produkteve të importit. Kostot e sektorit janë shumë të larta dhe për disa operatorë, edhe të papërballueshme.

Deformimet në treg dhe konsumi me hope dëmton fermerët. Blegtorët shqiptarë nuk kanë kapacitete depozituese, nuk kanë mundësi të përballojnë kostot e transportit, nuk janë të përfaqësuar me sindikata dhe janë “viktima” të ndryshimeve të çmimeve, sipas nevojave të tregut.

Në vende të tjera të Europës, këto luhatje eliminohen nga subvencionet. Në të gjithë vendet fqinjë, subvencionet ndaj blegtorëve u rritën më tej pas kostove që krijoi lufta në Ukrainë, duke rritur më tej konkurrencën me vendin tonë.

 

Blegtori qumeesht lope bulmet 3 1116

 

Importet e bulmetit dyfishohen nga 2015-a, rrezik për tufat

Vitin e kaluar, importet e bulmetit ishin 31 mijë tonë, me rritje 11% në sasi në krahasim me vitin 2022 dhe mbi 100% në raport me vitin 2015. Sipas të dhënave zyrtare të doganave, 1 litër qumësht i papërpunuar me yndyrë 3.5%, importohet me çmime referencë maksimumi 55 cent, teksa 1 litër qumësht lope në vend kushton 50-90 lekë sipas fermave dhe rajoneve.

Në çdo rast, qumështi i fermave shqiptare po konkurrohet nga importet e bulmetit nga jashtë, që vijnë me çmime më të lira. Në vitin 2022, qumështi i prodhuar në vend ishte 15% më i ulët se në vitin 2105, teksa numri i krerëve të gjedhit në të njëjtën periudhë ra me 40% dhe i të mitave, me 26%.

Vitin e kaluar, numri i krerëve në të gjitha kategoritë e bagëtive të qumështit shënoi rënie. Gjedhi në numër krerësh shënoi rënie me gati 12% në krahasim me 2021, delet me 2.7% dhe dhitë, me 6%.

Rënia më e fortë e kafshëve në stalla vitin e kaluar është në Fier, me tkurrje 34%. Qarku me numrin më të madh të krerëve të gjedhit, me rreth 12% të totalit, pësoi edhe tkurrjen më të fortë.

INSTAT raportoi se në Fier numëroheshin rreth 39 mijë krerë vitin e kaluar, nga mbi 58 mijë krerë në vitin 2021. Në vitin 2022, ishin 20 mijë krerë më pak. Qarku i dytë me rënien më të madhe të numrit të krerëve ishte Tirana, me rënie vjetore 27% në vitin 2022.

Blegtoria po përballet me konkurrencë brenda sektorit të bujqësisë. Në zonat fushore, blegtorët konkurrohen nga serrat. Për 1 hektar serrë, të ardhurat arrijnë mesatarisht në 40 mijë euro në vit, ndërsa për një lopë duhet një një hektar dhe fitohet 1000 euro në vit, analizon blegtori Resuli.

Ai tha se fermerët e kanë kuptuar që serra të jep 2-3 mbjellje në vit, që, edhe nëse humbet në një kultivar, fiton tek një tjetër. Vitet e fundit, në zonat ku serrat kanë përhapje masive, numri i bagëtive ka shënuar rënie drastike.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se, gjatë vitit 2022, rënia më e madhe vjetore e bagëtive të gjedhit që janë edhe prodhuesit kryesorë të qumështit dhe bulmetit ishte më e lartë ishte në Belsh me 56%, Mallakastër 55%, në Vorë 52%, Lushnjë me 46%, Shijak 45%.

Në Veri, blegtorët po shesin lopët dhe po blejnë koshere. P.sh. në zonën e Tropojës, krerët e gjedhit kanë rënë me 35% në pesë vitet e fundit, por numri i koshereve të bletëve po rritet me shpejtësi.

Vitin e kaluar, në Bashkinë e Tropojës u numëruan 19,569 koshere me bletë me një rritje 22% nga viti 2021 dhe 166% nga viti 2018. Emigracioni është një fakt që e ka ndikuar gjithashtu negativisht sektorin, i cili pritet të reduktohet më tej.

Bulmeti është produkti kryesor i shportës së mallrave, konsumohet nga të gjitha moshat dhe është i domosdoshëm për mbarëvajtjen e shëndetit, tani po kthehet në një mall luksi.

Më vështirësish, përpunuesit rrisin të ardhurat

Në vitin 2022, të ardhurat e tre operatorëve në sektorin e përpunimit të qumështit që zënë mbi 70% të tregut, arritën në 3.8 miliardë me një rritje vjetore 24%. Në të njëjtën masë u rritën edhe fitimet.

Luis Ndreka, nga “Lufra”, tha se më 2023 ecuria financiare është në rënie të lehtë, për shkak të presionit të kostove të ngritura, duke filluar nga energjia, pagat e punonjësve, nafta, materialet paketuese dhe mbi të gjitha, qumështi i freskët nga fermat, që zë peshën më të madhe të kostove tona.

Sipas tij pritet një ecuri pak më e mirë në shitje, si në volume, edhe në vlerë, kryesisht për shkak të riorganizimeve të brendshme, rritjes së turizmit gjatë verës, rritjes ekonomike të Shqipërisë në tërësi dhe mbi të gjitha, nga reflektimi që nga fundi i vitit të shkuar, një rënie e lehtë çmimesh në raft.

Shoqata e Përpunuesve të qumështit analizon se është bërë mjaft i vështirë parashikimi mbi ecurinë e aktivitetit “Informaliteti vazhdon të shtohet çdo vit, numri i krerëve (kafshëve të mbarështuara për qumësht) ka rënë, shoqëruar kjo me sasi më të pakta të qumështit të prodhuar nga fermerët shqiptarë, kurse çmimi i qumështit që blihet nga fermerët ka shkuar në vlerat më të larta.

Madje, çmimi i qumështit që blihet nga fermerët në Shqipëri është shumë më i lartë se qumështi i fermerëve të rajonit dhe në Europë. (40-50% më i lartë).

Sipas tij, produktet e importit në sektorin e qumështit dhe nënprodukteve të tij janë bërë më të pranishme dhe dominuese në tregun shqiptar, të ndikuara veçanërisht nga subvencionet e larta në vendet e origjinës, nga kostot e ulëta që kanë industritë përpunuese në rajon dhe Europë, por ndikim ka sjellë edhe rënia e kursit të këmbimit.

Administratori i fabrikës së përpunimit të qumështit “Erzeni” thotë se, çmimet e blerjes së qumështit janë ulur në Europë, si dhe çmimi është shumë më i lirë se sa e blejmë në tregun tonë. Gjithashtu në Europë, kostot e grumbullimit të qumështit janë më të ulëta se në Shqipëri, pasi janë ferma të mëdha dhe falsifikimet nuk mendohen, e jo më të veprohet.

Në Shqipëri, ne grumbullojmë qumështin dy herë në ditë, pasi fermat janë shumë të vogla dhe nuk kanë mundësi të ruajtjes, tentohet të falsifikohet qumështi. Kjo sjell kosto të shtuar për përpunuesin, pasi janë të detyruar të analizojnë çdo fermer, të rrisin kostot në punësimin e grumbulluesve, punësimin e laborantëve, testet analizuese, në karburante dhe në mirëmbajtjen e mjeteve”.

Sipas INSAT, sasia e grumbulluar e qumështit të lopës arrin në 140 mijë tonë, ose 14.7% e prodhimit, duke bërë që fabrikat e përpunimit të përballen me një informalitet të lartë.

Zgjidhja shihet të subvencionet dhe reduktimi i TVSH

Si blegtorët, edhe përpunuesit e qumështit, pohuan njëzëri se sektori i blegtorisë mund të shpëtohet vetëm nga subvencionet dhe ulja e barrës fiskale. Duhet rritur kompensimi për krerë i qumështit dhe duhet të subvencionohet prodhimi për litër, tha blegtori Resuli. Gjithashtu, blegtorja Dafina nga Balldreni thotë se, po detyrohet të shesë bagëtitë për shkak të mungesës së mbështetjes.

Zoti Ndreka, nga kompania “Lufra”, thotë se dy pikat kryesore për ta përmirësuar këtë treg janë mbështetja që u duhet dhënë fermerëve me anë të politikave nxitëse zhvilluese, si dhe ulja e informalitetit në sektor.

Diçka tjetër që do ta përmirësonte edhe më shumë situatën është edhe ulja e nivelit të TVSH për këto produkte nga 20% në 6%. Kjo do të ndikonte menjëherë te çmimet e produkteve të bulmetit në raft, gjë e cila do të nxiste konsumin dhe formalizmin e tregut edhe më shumë.

Shoqata e Përpunuesve të Qumështit kërkoi gjithashtu normë të reduktuar TVSH në shitje për sektorin e përpunimit të qumështit në 6%, siç e kanë edhe vendet e rajonit dhe vlerësimin e efekteve afatmesme nga ulja e normës së TVSH për industrinë e qumështit.

Masa konkrete fiskale kundër informalitetit në sektorin e përpunimit të qumështit, duke përfshirë qumështin e rrugës, produktet e paetiketuara dhe njësitë e përpunimit të palicencuara/të paformalizuara.

Shoqata thotë se duhen skema mbështetëse subvencionimi për blegtorinë të ngjashme me ato të rajonit dhe të orientuara qartazi drejt prodhimit dhe masa mbrojtëse për produktet e prodhimit vendas në sektorin e qumështit, në përputhje me rregulloret e CEFTA dhe MSA.

Zoti Begeja nga kompania “Erzeni” e shikon zgjidhjen te kompensimi për litër qumështi direkt te fermeri, i cili duhet të jepet në këmbim të faturave, me qëllim uljen e informalitetit (detyron grumbulluesin të regjistrojë blerjet dhe të shesë me faturë që të shkarkojë magazinat).

Ai tha se duhet të ulet TVSH-ja nga 20% në 6% për fermat e prodhimit dhe përpunuesit e qumështit, pasi 70% të blerjeve janë nga fermat e vogla, të cilat janë konsumatorë/pagues të TVSH-së, nuk e transferojnë atë.

Fermerët të marrin lehtë kredi të buta, ku të dalë garant shteti, vetëm për të blerë makineri, pajisje dhe ndërtim të kapanonëve, pa të drejtë shitjen e tyre, deri në likuidimin e plotë të kredisë, për të rritur kapacitetin prodhues, si dhe për të ulur kostot e prodhimit, tha z. Begeja./ Revista “Monitor”

Artikulli paraprakJa çfarë thoshte Theçer për teknologjinë në vitin 1984!
Artikulli tjetër“Një grup i vogël interesash kontrollojnë ekonominë”/ Basha: Janë tmerruar nga alternativa jonë