Biznesmeni dëshmon në Gjykatë: Si më kërcënoi e gjobiti Shullazi

Gjykata e Krimeve të Rënda administroi një pjesë të dëshmisë së biznesmenit Ylvi Beqja, me cilësinë e dëshmitarit të mbrojtur, që akuzoi Emiljano Shullazin dhe bandën e tij për “gjobëvënie”. Pas dy muajve zvarritje, pesë gjyqtarët e kësaj gjykate vendosën të vazhdojnë procesin e sigurimit të provës në prani të avokatëve të caktuar nga shteti, duke parë që mbrojtësit e zgjedhur nga familja dhe të dyshuarit po e zvarrisnin pambarimisht procesin.
Pak minuta pas nisjes së seancës, dy avokatët e zgjedhur nga vetë të pandehurit u larguan nga salla e gjyqit. E ndodhur përballë faktit që seancat gjyqësore janë shtyrë radhazi vetëm për shkak të të dyshuarve dhe avokatëve, e duke e konsideruar sjelljen e tyre si pengesë në bërjen e drejtësisë, Gjykata vendosi të caktojë një avokate ‘kryesisht’, e cila pranoi të mbronte interesat e të dyshuarve si pjesëtarë të një grupi kriminal me tendenca në fushën e gjobëvënies. Në praninë e avokates kryesisht, nën masa të rrepta sigurie, Gjykata nisi dëgjimin e dëshmisë së Ylvi Beqjas.
Biznesmeni Beqja ka pranuar të rrëfejë edhe para Gjykatës për kërcënimet dhe gjobat që ka paguar ndaj bandës së Shullazit. Beqja i ka treguar Gjykatës se si është njohur me Shullazin, duke treguar se ka qenë një avokat, i cili ia ka prezantuar si personi që zgjidh çështje në Gjykatë. Ai ka treguar për takimin me Shullazin në një lokal në zonën e rrugës së “Kavajës”, ku edhe i ka treguar për problemin e pronës së ish-hotel “Vollgës” në Durrës.
“Kam patur problem me një proces gjyqësor në Apel, që lidhej me ish-hotel “Vollgën”. Avokati im më tha se këtë çështje mund të ma zgjidhte Emiljano Shullazi. E kam takuar dhe me të ramë dakord, që nëse me zgjidhte problemin në fjalë, do të merrte 20 për qind të ndërtesës dhe truallit. Por pas regjistrimit të pronës nën kërcënimin e armës Emiljano Shullazi më detyroi të firmos një kontratë të re sikur i dhuroja edhe 10% të pronës, pra në total 30% të ish-hotel “Vollgës”, ka deklaruar Beqja.
Gjithashtu, dëshmitari i mbrojtur në prani të avokatit të tij mbrojtës ka treguar edhe për kërcënimin me armë që Shullazi i ka bërë pranë zyrës së noteres në Durrës, ku i ka kërkuar t’ia dorëzojë paratë e shitjes së një pjese të objektit të ish-hotel “Vollgës”. Mësohet se Ylvi Beqja ka thënë se kishte paguar para kesh tek Shullazi dhe pjesëtarët e bandës së tij, deri në momentin kur kompania arabe, që biznesmeni e përfaqësonte në Shqipëri i kishte kërkuar të mos lëshonte para kesh, por me çeqe. Beqja i ka thënë Gjykatës se Shullazi i kishte kërkuar që çeqet t’i shkruajë në emër të Gilmando Danit dhe personave të tjerë, që më pas rezultuan se ishin nipi i Shullazit dhe shoku i tyre.
Burimet thonë se, në kohën që Beqja po sqaronte pagesat me çeqe, avokatja e caktuar nga shteti u largua nga salla me arsyetimin se kishte një masë sigurie. Veç kësaj, edhe Gjykata kishte parashikuar zhvillimin e një seance tjetër, duke u bërë shkak që të ndërpritet dëshmia e Ylvi Beqajt për të vazhduar ditën e hënë. Në sallë, nuk ishin të pranishëm të dyshuarit edhe pse ishin njoftuar, ndërsa vetë Shullazi ka deklaruar nëpërmjet avokatit të tij se është shtruar në një spital.
Kërkesa për marrjen e dëshmisë së të penduarit, që konsiderohet dhe si prova kyçe në proces, u bë nga Prokuroria me arsyetimin për të shmangur rrezikun që i kanoset jetës së Ylvi Beqjas nga personat kundër të cilëve ka dëshmuar.

R.POLISI

Artikulli paraprakSkandal! Policët e Veliajt i sekuestrojnë qepët dhe sallatën një gruaje
Artikulli tjetërPrinti apo dixhitali? Jetë të gjatë gazetës